Si janë sot vendet e Ballkanit Perëndimor përballë BE-së?

 

Nga Lavdrim Lita

Bashkimi Europian pritet të botojë së shpejti progres-raportin e këtij viti dhe mediat mezi po presin të lexojnë anët pozitive dhe negative të tij. Botimi i këtyre anëve pozitive dhe negative të progres raportit në kryeqytetet e rajonit do të rëndonte apo do të lehtësonte pozitën e qeverive përballë qytetarëve të tyre. Po si janë sot vendet e rajonit përballë pasqyrës, kjo do të lexohet më poshtë.

Shqipëria gjendet përballë BE-së me një konflikt politik permanent pozitë-opozitë, ku akuzat për skandale multi-milionëshe, krim e korrupsion me tenderët publikë të lidhur me qeveritarë marrin përgjigje përmes një portali on-line për përgënjeshtrim. Ndonëse disa deputetë janë në burg për krime jo të vogla, reforma në drejtësi si pikënisje për ndryshime të mëdha, ka marrë leje lindjeje. Sipas INSTAT, papunësia në vend arrin zyrtarisht në 18.6 % në një popullsi prej 3 milion banorësh, e ndërsa kjo shifër nuk mbledh faktin që 80 mijë shqiptarë janë azilkërkues këtë vit në BE.

Kosova gjendet përballë BE-së me një ngërç të ri politik, ku lotsjellësit në kuvend e opozita në rrugë e bëjnë të pamundur ecjen e reformave dhe zbatimin e marrëveshjeve normalizuese me Serbinë. E ndërsa politika merret me zhurmë e dhunë, qytetarët janë të papunë. Në Kosovë shkalla e papunësisë është zyrtarisht 35.1 për qind, por për moshën deri në 30 vjeç papunësia shkon deri në 70 %, ku nga 10 të rinj 3 janë të punësuar. Nga 1.8 milion banorë rreth 34 mijë qytetarë kosovarë kanë kërkuar azil në Gjermani këtë vit.

Maqedonia gjendet përballë BE-se me një ngërç të ri politik në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth zgjidhjes së prokurorit të ri special për hetimin e “përgjimeve” të opozitës. Kriza politike në Maqedoni ka shqetësuar jo pak fqinjët dhe Brukselin zyrtar, si dhe arritja e marrëveshjes së 15 qershori u pa si një dalje nga kriza. Zyrtarisht papunësia në vend është 27.6 për qind në një popullsi prej 2 milion banorësh.

Mali i Zi gjendet përballë BE-së me një konflikt të ri politik, ku opozita ka dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Vendosja e tendave përpara kuvendit dhe ultimatum i opozitës për dorëheqjen e qeverisë e zgjedhje të reja premton një përkeqësim të parametrit politik në Mal të Zi në prag të progres-raportit. Shkalla e papunësisë në Mal të Zi është 14.93 për qind në një popullsi prej 680 mijë banorë.

Serbia  gjendet përballë BE-së me një konflikt të pashpërthyer politik për shkak të qëndrimeve të ndryshme në koalicionin qeveritar, si dhe presidentit, në lidhje me hapjen rrugë Kosovës në nënshkrimin në organizatat ndërkombëtare. Qeveria serbe pret botimin progres-raportit për të vendosur nëse do të shkojë apo jo në zgjedhje të parakohshme. Në Serbi, sipas Shërbimit kombëtar të punësimit, të regjistruar të papunë janë 741.000, që do të thotë se shkalla e papunësisë në këtë vend është 17,6 për qind në një popullsi 7 milion banorë.

Siç mund të kuptohet fare qartë emëruesi i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor në prag të progres-raportit të BE është konflikti i ashpër politik dhe papunësia e lartë që minojnë zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre vendeve.  Një nga tre kriteret e Kopenhagenit që një vend duhet të zotërojë përpara së të aderojë në BE-së janë kriteret politike që do të thotë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokraci, sundim të ligjit, respekt të të drejtave të njeriut dhe respekt e mbrojtje të të drejtave të pakicave. Konkluzioni i Çurçillit se “Ballkani prodhon më shumë histori nga sa mund të konsumojë” u bë një profeci e realizuar me duart tona. 

 

SHKARKO APP