Sido që të shkojë kriza, Kushtetuta është përdhunuar!
Nga Ardit Rada
Politika shqiptare është treguar e pamëshirshme në raport me Kushtetutën e vendit sa herë që ka rezultuar e paaftë për t’i dhënë drejtim krizave. Ajo që po ndodh në debatin politik të ditës është shembulli më i qartë se Kuvendi është zëvendësuar nga çadrat dhe tryezat me dyer të mbyllura ndërsa ligji themelor i shtetit nuk ka më asnjë rëndësi dhe funksion.
Dita e nesërme shënon edhe afatin e fundit të regjistrimit të koalicioneve ndërsa mazhoranca është ajo që po tregon paqartësi pasi opozita e ka thënë fjalën e saj. Vendim demokratik apo jo, Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj u janë dhënë tre mundësi për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Duke i ofruar Lulzim Bashës variantin se “nëse nuk e kap autobusin e parë, vjen i dyti”, mazhoranca nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka shkelur afatet kushtetuese për regjistrimin e zgjedhjeve. Përballë kësaj qëndron edhe kreu i KQZ, që i jep opozitës mundësinë që të hipi në autobusin e tretë dhe të fundit që vjen në stacion.
Partia Demokratike që ka refuzuar të regjistrohet më datë 10 Prill si subjekt zgjedhor, nesër ka mundësinë e dytë për t’u regjistruar si parti dhe si koalicion njëkohësisht. Pra 19 prillin opozita ta shfrytëzojë për të regjistruar partitë dhe koalicionin në KQZ. Ndërkohë, 29 Prilli është dhënë si një tjetër zgjidhje nëse Lulzim Basha ndryshon mendje. 29 Prilli kur subjektet duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve, gjithashtu i është lënë opozitës në dispozicion që të kryejë të gjitha regjistrimet e mundshme.
Ndërsa afati i regjistrimit të koalicioneve përfundon në mesin e kësaj jave, i vogli Ilir Meta nuk ka ende një përgjigje nga i madhi Edi Rama që i “lutet”. Kështu, edhe LSI-së po i jepet një mundësi tjetër antikushtetuese për t’u shprehur për koalicionin në datën e dorëzimit të listave, 29 prill.
Sido që të shkojë çështja e krizës apo ngërçit, Kushtetuta është pak të thuash se nuk po respektohet. Me shkeljen e çdo afati dhe detyrimi, ligji themelor është përdhunuar hapur. Politika nuk i nënshtrohet më Ligjit, por vendimeve të fshehta në tryeza restorantesh ose atyre indirekte në konferenca për shtyp. (Javanews.al)