Simbole të qytetit, të mbetura… në imazh…
Nga Nikolla Sudar*
Ngjarje apo figura të shquara, që kanë bërë emër në vite në një qytet apo krahinë, janë historia konkrete e tij, e cila, e hedhur nëpër libra përbën thesarin e pazëvendësueshëm për të tashmen dhe të ardhmen, përbën krenarinë legjitime që trashëgohet nga brezi në brez. Në këtë kuadër edhe ndërtesat e vjetra, të ruajtura me kujdes, janë imazhi i gjallë që vërteton atë të kaluar të lavdishme, që do të nxisë gjithmonë fantazinë e pasardhësve tanë. Çdo brez ka përgjegjësinë e vet materiale, por sidomos morale për atë që i le trashëgim brezit në vazhdim. Por për fat të keq kjo gjë nuk u mbajt fort parasysh pas viteve 90, pikërisht në periudhën e fitores së demokracisë. Fjala është për dy nga ndërtesat simbol të Shijakut, atë të bashkisë dhe atë të shkollës fillore në qendër të tij, që përbënin të kaluarën historike të qytetit tonë.
Godina e bukur dykatëshë në kohën e Perandorisë u quajt qendra e administratës së kazas, pas vitit 1912 mori emrin qendër e nënprefekturës, nga vitit 1944 e deri në vitin 1992 e mbajmë mend si Komitet Ekzekutv, ndërsa pas kësaj date – bashki e qytetit. Kjo ndërtesë filloi të ngrihej gjatë sundimit turk, pikërisht në vitin 1908, kryesisht me kontributin e banorëve vendas. Ndërtimi i saj zgjati mjaft dhe vetëm pas 1912 mori fizionominë, që ne mbajmë mend. Ngjarjet madhore historike të trevës janë të lidhura ngushtë me këtë godinë. Në pasditen e datës historike të 27 nëntorit 1912, pas telegramit të marrë nga përfaqësuesit e Shijakut të dërguar nga Vlora, mes një entuziazmi të papërshkruar popullor, në ballkonin e ndërtesës u ngrit flamuri kombëtar.
Gjatë rebelizmës së viteve 1914 -15, në këtë ndërtesë u vendos shtabi i Haxhi Qamilit dhe këtu u mbajt ai i burgosur para ekzekutimit. Po ashtu u mbajtën të burgosur edhe shumë kundërshtarë të tjerë të Esat Pash Toptanit. Gjatë Luftës I Botërore ajo u shndërrua në komandë ushtarake e forcave pushtuese autrohungareze si dhe burg për kundërshtarët e tyre.
Pas vitit 1922 ndërtesa u restaurua dhe mori pamjen shumë të bukur, që është fiksuar edhe në kartolinat e kohës së mbretërisë. Këtu u përqendrua administrata kryesore e ish nënprefekurës, që përmblidhte rreth 68 fshatra nga Ndroqi e deri në Prezë.
Gjatë viteve të Luftës II Botërore ndërtesa mori rëndësi të veçantë. Ajo u shndërrua në një administratë civilo-ushtarake, ndërsa kati i parë i saj u kthye në burg për antifashistët. Të moshuarit i mbajnë mend mirë arrestimet e shumta dhe torturat që iu bënë kryesisht të rinjve shijakas, që morën pjesë në luftën ilegale antifashiste.
Më 15 nënor të vitit 1944, në këtë ndërtesë u vendos Këshilli Nacionalçlimtar i nënprefekturës si dhe Komiteti Ekzekutiv i dalë prej tij, më në krye patriotin Qazim Domi. Nga ballkoni i saj, ku më 27 nëntor 1912 ishte deklaruar pavarësia e trevës së Shijakut, tani kryetari i pushtetit, Q. Domi, para mijëra banorëve të qytetit dhe të fshatrave, do të deklaronte çlirimin e saj nga pushtuesit e huaj.
Pas viteve 70 ndërtesa tashmë e vjetër, u restaurua, por e ruajti në vija të përgjithshme fizionominë e dikurshme. Ajo ndërtesë ka para shumë kryetarë, por ndër ta vlen të përmenden ata që kanë lënë gjurmë me plot kuptimin e fjalës. Mbas një përvojë të gjatë pedagogjike, duke qenë deri drejtor i shkollës së mesme të qytetit, kuadri Hyqmet Kalleshi do të mbetet njëri nga më të suksesshmit në këtë post. Në atë periudhë edhe veprimtaritë kulturore morën një hov të veçantë. Po këahtu vlen të përmendet kuadri me përvojë Sulejman Ferra si, icili mbante raporte të mira me intelektualët e qytetit si edhe ish futbollisti i mirënjohur i skuadrës “ERZENI”, Bahri Dallaku, me aftësi të veçantë komunikuese, ndonëse për një kohë të shkurtër në këtë post.
Pra, për 86 vjet me rradhë që nga ndërtimi i saj kjo godinë përjetoi ngjarje nga më të ndryshme e të vrullshme historike. Atë e shkelën pushtuesit turq, austrohungarezë, italianë dhe gjermanë, por askush nuk “vuri dorë mbi të”, pra askush nga këta protagonistë historikë nuk tentoi ta shkatërrojë atë. Por çudia do të ndodhte në vitin 1994, kur papritmas një ditë, akoma pa u zbardhur mirë, banorët e qytetit panë të digjej kjo ndërtesë historike, por tashmë “në kohë paqeje”, fakt që edhe sot mbeti enigmë. Nuk kam ndër mend të analizoj shkaqet, se ajo u takon organeve përkatëse, por është e pafalshme që kjo ndërtesë e vjetër, me vlera të pallogaritshme historike për Shijakun, ndërtesa simbol për dekada me rradhë, të kishte një fund të tillë të trishtuar dhe, për më tepër, që kjo të ndodhte në vitet e konsolidimit të demokracisë.
Fund të palavdishëm do të kishte edhe objekti tjetër simbol, ngjitur me atë të bashkisë, ndërtesa e shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit”. Ajo u ngrit pothuajse në të njëtën kohë me të parën. Në fillim të vitit 1913 në të u hap e para shkollë shqipe në qytet dhe e dyta në ish nënprefekturën e Shijakut, (pas asaj të Ishmit). Që nga ajo kohë e deri sa qendroi në këmbë, shkolla fillore i shërbeu ndershmërisht popullit arsimdashës shijakas, që e ngriti me aq përkushtim dhe dashuri. Në atë godinë mësuan qindra e mijëra banorë të qytetit, të cilët në kujtesën e tyre ruajnë me nostalgji ato vite të lumtura të jetës së shkujdesur shkollore. Por edhe kjo ndërtesë, dëshmitare e gjallë e historisë së mrekullueshme të trevës së Shijakut, u zduk nga harta e qytetit. Realisht duhet pranuar se në atë gjendje që ishin të dyja ndërtesat, stononin me ndryshimet e vrullshme që pësoi qyteti gjatë viteve të demokracisë. Por rikontruksioni i tyre dhe i mjedisit përreth mund të krijonte një kompleks shumë të bukur historiko-muzeal e funksional në qendër të qytetit, që do ta nderonte Shijakun.
Për fat të keq, tashmë qytetit nuk I ka mbetur asgjë nga “e kaluara historike“ e tij. Mbase sot tingëllon si paradoks, por brezat që do të vijnë do të na qortojnë shumë rëndë për “pakujdesinë e pafalshme” që tregoi brezi ynë.
Koha e “mbrapshtë” 1997 – 98…
Gjatë ekzistencës së vet njeriu përjeton edhe momente të bukura, por edhe çaste lajthitjeje, të cilat nganjëherë bëhen domethënës dhe lënë mbresa tronditëse. Por kur një “lajthitje” e tillë, për fat të keq përfshin një popull të tërë, “bëmat” e asaj periudhe lënë gjurmë shumë të thella për shumë kohë. Përveç të tjerash, ato dëmtojnë rëndë imazhin e vendit, si brenda ashtu edhe jashtë tij. Pikërisht një gjë e tillë na ndodhi në atë periudhë “të mbrapshtë 1997–1998”, kur e keqja “fitoi qytetarinë” dhe u ul këmbëkryq mbi tërë dukuritë e jetës sonë të përditshme.
Më kujtohet fare mirë ajo ditë marsi 1997, kur bashkë me time shoqe ndodheshim afër spitalit të Durrësit. Ndërkohë një bashkëqytetar na krijoi mundësinë për t’u kthyer me mjetin e tij në Shijak. Pikërisht sapo zbritëm kodrën e Rrashbullit, të befasuar dallojmë një turmë njerëzish që kapërcenin hekurudhën dhe të ngarkuar me armë: dikush mbante disa pushkë, një tjetër disa automatikë, të tjerë kishin arka me fishekë apo armatim të panjohur për mua. Përnjëherë më shkoi mendja tek e keqja, e cila për fatin tonë të zi, do të terrorizonte një popull të tërë. Të tmerruar largohemi me shpejtësi drejt vendbanimit, kur papritur dalluam një karvan të madh veturash që vinte nga Shijaku. E para ndaloi përbri veturës sonë dhe, pasi mori informacionin e duhur, me një shpejtësi skëterre, e pasuar nga dhjetra të tjera, mori drejtimin për në Rrashbull. Të tronditur kthehemi në shtëpi dhe nga televizoni u informuam për fillimin e “lajthitjes së madhe mbarëpopullore”, që do të zgjaste muaj të tërë. Ajo natë nuk ngrysej kurrë nga shqetësimi i madh që na përfshiu të gjithëve: vallë, mos jemi në pragun e luftës civile? Kjo qe një dilemë e tmerrshme. Para syve më dilnin imazhe të llahtarshëm nga ngjarjet e freskëta në Bosnjë, që e rrënuan plotësisht atë vend të mrekullueshëm.
Lajthitja u përhap si një epidemi e vërtetë në të gjithë vendin me synimin për të grabitur çdo gjë me vlerë. Kështu në mëngjes herët u sulmuan depot ushqimore në periferi të qytetit. Me të shpejtë njerëzit shfrytëzuan të gjithë mundësitë për të rrëmbyer thasët me miell e për të furnizuar familjet e tyre. Sapo depot u boshatisën, filloi “biznesi” i miellit. Më kujtohen si sot fjalët e sime shoqeje: “Mos bëj gabim të blesh ndonjë thes me miell, sepse askush nuk do ta besojë se e ke blerë, por do të mendojnë se “je treguar i shkathtë, duke e grabitur!” Ajo kishte plotësisht të drejtë. Por synimi kryesor i të gjithëve tashmë ishte grabitja e armëve. Për t’i dalë së keqes përpara komandanti i divizionit të Shijakut njoftoi popullatën që të mos guxonte kush t’i afrohej komandës së divizionit se do të qëllohej me breshëri. Pikërisht atë natë u sulmua divizioni, ndërkohë që breshëria e pandërprerë e armëve nuk lejoi askënd që të afrohej. Të nesërmen komandantin e shohim të veshur civil në qendër të qytetit.
Kështu filloi ajo epidemi e tmershme e rrëmbimit të armëve nga të gjithë, pa përjashtim, prandaj të huajt na stigmatizuan si “njerëz me prirje primitiviste”, “njerëz të shpellave”, “rrezik i madh për gjithë Evropën” etj. etj. Duke analizuar këto “definicione denigruese Perëndimore”, m’u kujtua Fishta, i cili i ka dhënë përcaktim të përjetshëm “diplomacisë Evropiane”. Por, për fat të keq, kësaj rradhe në to kishte mjaft të vërteta.
Një ditë, në rrugicën afër pallatit ku banoja, dallova tre adoleshentë që po merreshin me diçka. Afrohem dhe shoh se njëri prej tyre mbante në duar një pistoletë “TT” dhe po u tregonte shokëve sesi futej e nxirrej krëhëri me fishekë si edhe përdorimin e siguresës. “Çuna, – u drejtohem me të butë atyre, të cilët nuk e prishën terezinë kur më panë, – hiqeni armën; ajo është me rrezik të madh. Një pakujdesi e vogël mund t’i marri jetën secilit prej jush!” Njëri nga djemtë i pëshpëriti disa fjalë në vesh, atij që kishte armën. Por ai “serbes” iu përgjegj: “Mos u bo merak, nuk asht nga ata profesori, nuk na “tradhton” ai neve!” Pastaj ata më treguan se kishin gjetur një veshje antiplumb dhe, pasi të gjenin ndonjë gomar, do t’ia vinin sipër dhe në breg të lumit do ta merrnin në shenjë…”. Dhe ashtu vepruan.
Tashmë, sidomos marsi, prilli dhe maji, do të shndërroheshin në muajt e “tmerrit të vërtetë”. Në mjaft qytete pati viktima të shumta dhe shkatërrime të pallogaritshme: vendi po jepte simptomat e një lufte civile, pasojat e së cilës mund të ishin të paparashikueshme dhe të pariparueshme. Paradokset pasonin njëri-tjetrin. Një i njohuri im më thotë: “Vajta tek një miku im në fshat dhe u befasova. Ai dhe djemtë kishin rrëmbyer armë e municion sa për të bllokuar rrugën kryesore Durrës-Tiranë. Tek ai pashë pushkë, automatikë, arka me bomba dore, arka me fishekë, madje edhe një mitroloz të rëndë. Me dashamirësi i them: “Po ç’i do të gjitha këto armë, more zotni? Sikur të shpërthejë armatimi që ke, gjysmën e katundit mund ta hedhësh në erë. Në fund të fundit, mbaj një ose dy armë, sa për t’u mbrojtur vetë dhe të tjerat dorëzoji! Në fakt ai ashtu veproi: që të nesërmen i dorëzoi armët “e tepërta”.
Në atë kohë djali im ishte për studime në Glazgou (Skoci). Më vonë në një bisedë të hollësishme do të më rrëfente sa vijon:
“Gjatë tërë kohës nuk më zinte vendi vend. Shokët e mi të kursit (ata ishin nga 22 vende të botës) filluan të më shihnin sikur të isha “ufo”. Arsyeja? Çdo dy orë kanali “famoz BBC” (Bi-Bi-Si) jepte informacione “flesh” nga Shqipëria. Nuk e di nëse i keni parë, por ato ishin shumë tronditëse. Në njërën prej tyre jepej “sulmi rebel” në Institutin e naftës të Patosit. Njerëzit shtyheshin për t’u futur brenda. Por këtu do të fillonte ajo çmenduri, që më rrënqethi të tërin. Nga katet e sipërme të ndërtesës hidheshin poshtë aparatura sizmike shumë të kushtueshme, pajisje zyre, kompjuterë etj. Këtë katrahurë po e ndiqja me një grup të madh studentësh. Ndërkohë njëri prej tyre nga Nigeria më thotë: “More mik, përse këta njerëz bëjnë idotësira të tilla? Të paktën t’i marrin e t’i dërgojnë në shtëpitë e tyre! Ju duhet të keni luajtur nga mendt si popull! Ç’përgjigje t’i jepja këtij konkluzioni naiv në dukje, por tepër domethënës?”
Jehona e këtyre ngjarjeve të kobshme vazhdoi edhe gjatë vitit 1998, por disi e fashitur: tashmë me qindra familje në mbarë vendin ishin veshur me të zeza. Prej disa muajsh isha shpërngulur në Tiranë, ku do bëhesha pa dashje dëshmitar i rastit të pazakontë të shtatorit 1998. Ngjarja e rëndë e goditjes pabesisht të deputetit Azem Hajdari tronditi gjithë vendin. Funerali i tij do të merrte një drejtim të padëshiruar. Atë ditë edhe vetë u ndodha në turmën mijëravetëshe para pallatit të madh të kulturës. Kur kortezhi kaloi përbri kyeministrisë, ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte e që tashmë e dimë të gjithë. Krisma të shumta u dëgjuan nga të gjitha anët e, si për çudi, turma nuk largohej, por qendronte aty “pa u frikësuar, duke bërë sehir”. Pas kaq vitesh pyes veten: “Vallë jemi kaq trima, sa të mos i trembemi plumbit, apo kemi lëvizur nga geni?” Unë mendoj se kjo e dyta është më bindëse. Lidhur me këtë ngjarje m’u kujtua një rast analog jashtë vendit.
Në një lokal, diku në Veri të Italisë, futen dy persona dhe qëllojnë me automatik në drejtim të një tavoline, ku ndodhej një i huaj. Tmerri pushtoi të gjithë të pranishmit, të cilët ranë përmbys mbi dysheme. Por vetëm në njërën nga tavolinat e qendrës, tre persona nuk lëvizën nga vendi. Menjëherë në vendngjarje mbërritën autoritetet përkatëse dhe rrethuan lokalin. Të tërë të pranishmit u morën në pyetje. “Trimat”, që nuk kishin rënë përmbys, kishin rastisur “bashkatdhetarë tanë”, që, ndër të tjera, u tallën me frikën e italianëve. Mirëpo njëri nga oficerët e karabinierisë me përbuzje u përgjigjet atyre: “Sa më injorant të jesh, aq më trim bëhesh!”.
Për fat të keq këto trazira unikale në kohë paqeje u shoqëruan edhe me një propagandë histerike antikombëtare të pashembullt. Të gjithë e dimë se qarqe të caktuara jashtë ia dëshirojnë të keqen vendit, por fatkeqësia më e madhe është se pikërisht jemi ne, qytetarët e tij, që u japim material atyre; jemi ne ata që për vite me rradhë me një “urrejtje paranojake”, s’kemi lënë gjë pa thënë, (e që fatkeqësisht akoma vazhdojmë ta bëjmë), për të “nxirë vetveten” e për t’u dhënë të huajve “ushqimin e përditshëm” që të na shajnë e denigrojnë në shkallën më të lartë. Vështirësitë e gjithanshme, sidomos ato ekonomike, shkaktuan braktisjen masive të vendit (që vazhdon edhe sot); situata energjetike dhe problemi i ujit të pishëm janë bërë shumë shqetësuese, por kjo nuk do të thotë që, si “pa të keq”, të vjellësh vrerë për të njollosur vendlindjen, sado vuajtje që të kesh provuar në të. Njerëzit duhet të shohin nga e ardhmja; energjitë e tyre me besim duhen kanalizuar drejt objektivave të qarta për t’ia ndryshuar faqen vendit. Por për këtë qëllim duhen ide largpamëse, duhen liderë politikë të përkushtuar ndaj interesave të popullit, të cilët me një strategji afatshkurtër dhe afatgjatë të punojnë për ta nxjerrë vendin nga amullia ku ndodhet dhe, më kryesorja, për të mos lejuar humbjen e shpresës, e cila në popull është cënuar rëndë.
O Shijak “i vogël”, por me halle shumë!..
Qyteti im shtrenjtë ka parë dhe përjetuar paradokse nga më të çuditshmit dhe më skandalozët. Fakt i pamohueshëm është se qendra në Durrës e ka parë gjithmonë Shijakun me syrin e një njerke të egër, mbase nuk e teproj po ta theksoj, me syrin e metropolit ndaj kolonisë. Çdo investim, fuqi punëtore, bursa, objekte industriale apo shkolla përqendroheshin në Durrës, pak në Kavajë dhe gati aspak në Shijak. Harta e objekteve të ndërtuar gjatë viteve të kaluara flet vetë, prandaj me qindra e qindra punëtorë nga Shijaku ishin të detyruar të punonin në Durrës ose në Shkozet. Madje, edhe rivaliteti në sport do të merrte forma poshtëruese: lojtarët më të mirë merreshin me forcë, ndërsa drejtuesit e partisë e të pushtetit në rreth bënin çmos që skuadra e futbollit “Erzeni” të mos futej në kategorinë e parë. Paradokset arrinin deri atë, sa që të ngulmohej që të formohej skuadra përfaqësuese e Durrësit në vojeboll vetëm me elementë shijakas.
Kur tentohej për të ndërtuar një objekt industrial, Shijaku quhej zonë bujqësore nga pushtetarët komunistë, prandaj “nuk duhej dëmtuar” toka bujqësore. Kur vinte puna për t’u furnizuar me bukë gruri (për të mos përmendur mallrat industrialë, që filluan të harroheshin), quhej “qendër bujqësore”, e cila duhej të konsumonte vetëm bukë misri që shpesh herë nuk e shponte as pumbi.
Edhe sot, kur ekonomia e tregut bën ligjin, për fat të keq, akoma ekzistojnë mentalitete të tilla anadollake e të dëmshme. Mjafton të përmendim një fakt skandaloz: kur në vitin 1995-96 u përgatit harta e re e ndarjes administrative, “dikush me dashamirësi” raportoi në qendër se Shijaku paskësh “vetëm 3500 banorë”, prandaj nuk mund të bëhej qendër rrethi (një absurditet i vërtetë, sepse në atë kohë qyteti kishte afro 13 mijë banorë). Në pozita të barabarta me ne ishte edhe Peqini, por peqinasit u treguan më të shkathët dhe arritën që qytetin e tyre ta bëjnë qendër rrethi. Gjithashtu edhe Kavaja më në fund u shkëput nga Durrësi dhe u bashkua me Tiranën (atyre u lumtë). Del pyetja: “Mirë që u krijuan rrethe të tillë si ai i Malësisë së Madhe Madhe, rrethi i Devollit etj., (që s’kanë ekzistuar më parë), po përse Shijaku, pothuajse është zhdukur nga harta? Për një fakt të tillë heshtet edhe sot.
Pra, ja evoluimi paradoksal administrativ në vite i Shijakut:
– në kohën e mbretërisë: qendër nënprefekture me 68 katunde, që përfshinte një territor nga Ndroqi deri në Prezë, me urën me dy harqe (e dyta në Shqipëri, pas asaj të Zogut), me rrugën automobilistike Durrës-Tiranë që kalonte përmes qytetit, me tregti e zejtari tepër të zhvilluar, me taksi të shumta, hotele dhe lokale të përmendura në të gjithë vendin. Thjesht po sjell një kuriozitet: orkestrat e famshme sllave me këngëtarë tepër të njohur vinin nga Beogradi në Podgoricë, prej andej në Kafe të Madhe të Shkodrës dhe përfundonin në Shijak.
– në kohën e diktaturës: në mënyrë arbitrare, në vitin 1949, pushteti qendror i hoqi Shijakut fshatrat e Ndroqit dhe ato të Prezës, duke ia kaluar Tiranës. Gradualisht ai do të humbte edhe Rromanatin, edhe Sukthin, edhe Maminasin, edhe Ishmin. Tashmë Shijaku u shndërrua në qendër kooperative bujqësore e “tipit të lartë”, që kishte në varësi vetëm 11 fshatra përreth dhe me drejtim kryesisht bujqësor, larg rrugës automobilistike dhe hekurudhës, me një fabrikë mesjetare të prodhimit të niseshtesë, me një repart metalik e rrobaqepësi që vareshin nga Durrësi, një repart qilimash, që varej nga Kavaja dhe… vend internimi për kundërshtarët e regjimit.
– në kohën e demokracisë: Shijaku mbeti vetem bashki qyteti (kur flitet që konsiderohet si një nga bastionet kryesore të demokracisë). Pra, kokoshi u shndërrua në një minithelë.
Shpresonim shumë për një rehabilitim në kuptimin më të mirë të fjalës, por… zhgënjimi e mbyti shpresën. Ndarja e fundit administrative e cungoi në maksimun territorin e njohur historikisht të Shijakut: Sukthi(komuna), Sukthi(ish ferma), Manza dhe Ishmi iu hoqën arbitrarisht Shijakut dhe iu bashkuan Durrësit. Përse u veprua kështu? Vallë a nuk i mjaftoi gjithë ai bregdet që kishte Durrësi? Përse hapësira nga Rrushkulli e deri në Kepin e Rodonit të mos administrohej nga bashkia Shijak, gjë që do ta fuqizonte këtë bashki? Apo sepse ishte bregdet me leverdi të madhe për zhvillimin e turizmit dhe pasurimin e disave, prandaj i duhej aneksuar Durrësit? Këtu zë vend ajo thënie e goditur e mençurisë shkodrane: “Ma mirë me kenë m.., sesa me kenë i vogël”.
*Historian dhe përkthyes.