Skuadra ruse, police e botës
Nga David Ignatius, The Washington Post
Kumbari i ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Siri është Yevgeny Primakov, një ish-kryeministër dhe shef inteligjence dhe për dekada me radhë arabisti kryesor në vendin e tij. Një shenjë e ndikimit të Primakovit te presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u shfaq në lavdërimin e pazakontë që bëri ky i fundit në funeralin e mikut të tij në Moskë përpara katër muajsh.
“Primakov kishte vizion global dhe ishte i hapur dhe i guximshëm me mendimet e tij, – iu tha Putin njerëzve që po e vajtonin. – Duke mbështetur interesat dhe fuqinë e Rusisë, Primakov e drejtoi vendin gjatë një krize tepër të rëndë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Mënyra sesi e kuptonte ai Lindjen e Mesme qe e jashtëzakonshme dhe ndikimi i tij në Rusi qe i pamohueshëm”, tha Putin.
“Ishin të shumtë ata që flisnin me të, që i kërkonin mendim dhe që ndanë me të planet dhe veprimet e tyre”, – tha Putin. “Mund të them se kjo vlen plotësisht edhe për mua”.
Putini po vepron me një vendosmëri, të cilën Primakovi do ta kishte admiruar – por mund ta kishte parë edhe si të rrezikshme. Duke dërguar avionët luftarakë, trupat dhe tanket në Siri, Putini ka ndërmarrë një prej lëvizjeve më të mëdha ushtarake të Rusisë që prej 1945-s. Ai ka nisur të realizojë ëndrrën e Primakovit për influencën e Rusisë në botën arabe, por me koston që të marrë përsipër barrën e të luftuarit të ekstremizmit mysliman, një përpjekje që ka qenë shumë shteruese për Shtetet e Bashkuara.
Primakovi simbolizonte idenë se fuqia ruse nuk ka vdekur në epokën post-sovjetike dhe se Moska nuk ishte një partner i përhershëm fëminor për Uashingtonin. Momenti i tij përcaktues mbërriti më 1999, kur si kryeministër, ai i e ktheu mbrapsht avionin e tij në ajër teksa ishte rrugës për në SHBA, kur mësoi se NATO do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë, kundër vullnetit të Rusisë.
Rusët e quajtën kthimin pas në mes të Atlantikut “unaza e Primakovit”. Mesazhi ishte se Rusia mund të ishte tepër e dobët për ta ndalur aksionin ushtarak të amerikanëve, por ajo nuk do t’i nënshtrohej lehtësisht diktatit të tyre.
Gazeta Izvestia publikoi një elozh për Primakovin në korrik, që lartësonte rolin e tij në mbështetje të pavarësisë dhe të dinjitetit të Rusisë në ato ditë dëshpërimi kombëtar: “Ai arriti të ndalë këtë rrëshqitje poshtëruese të Rusisë në gjendjen e një vendi të ‘falimentuar’ dhe ta riformatonte politikën tonë të jashtme, duke ringritur nderin dhe dinjitetin”.
Specialiteti i Primakovit ishte bota arabe. Ai qe dora e parë ruse për dy klientët e saj arabë, regjimin e Assadit në Siri dhe atë të Sadam Huseinit në Irak.
Gjatë karrierës së Primakovit, kur fuqia e SHBA-së në Lindjen e Mesme, e mbështetur nga Izraeli, qe në rritje, Rusia në agoni po i humbiste aleatët njëri pas tjetrit.
Putini vendosi ta vërë këmbën në Siri, sikurse e ka këshilluar ndoshta Primakovi. Ndërhyrja e Rusisë atje ka qenë duke përparuar me lëvizje të ngadaltë prej muajsh, por analistët amerikanë duket se nuk i kapën dot përmasat ushtarake dhe pasojat e saj. Presidenti Obama dhe Sekretari i Shtetit, John F. Kerry, e mirëpritën përfshirjen më të madhe diplomatike të Rusisë në rajon pas rolit përgjithësisht ndihmues të Moskës në bisedimet bërthamore me Iranin. Ata nuk e paraprinë në dukje se Rusia do të mundohej të mbështeste presidentin e Sirisë Bashar al-Assad në fushë-betejë si prelud i ndonjë diplomacie.
Putini nuk ka qenë aspak në mëdyshje lidhur me qëllimet e tij. Ai tha gjatë fjalimit të tij më 28 shtator në Kombet e Bashkuara: “Tani është e qartë se vakuumi i pushtetit, i krijuar në disa vende në Lindjen e mesme dhe në Afrikën e Veriut ka sjellë emergjencën e anarkisë në disa zona… Ne mendojmë se është një gabim i madh të refuzojmë që të bashkëpunojmë me qeverinë siriane dhe forcat e saj të armatosura, të cilat po luftojnë trimërisht ndaj terrorizmit ballë për ballë”.
Për Shtetet e Bashkuara, ndërhyrja ushtarake në Irak qe një “luftë nga zgjedhja”. Por në mendjen e Putinit, luftimi i Shtetit Islamik duket se është një çështje ekzistenciale, për një Rusi me një popullsi të madhe dhe në rritje myslimane.
Nëse Rusia ka vërtet ndërmend të jetë një përforcim në luftën kundër Shtetit Islamik, ky do të ishte një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet e forcës në Lindjen e Mesme – me Rusinë që ofrohet për të qenë jo vetëm një protektore e Assadit, por edhe e Europës, e cila është e frikësuar nga terrorizmi, refugjatët dhe furnizimet me energji.
Në Kombet e Bashkuara në shtator, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi e pyeti Putinin nëse e kishte seriozisht me xhihadistët. Sipas një zyrtari irakian, Putini u përgjigj se ai e kishte seriozisht në përballjen me rrezikun e përbërë nga 2000 rusë që i janë bashkuar Shtetit Islamik.
Primakovi ëndërroi për rigjallërimin e fuqisë së Rusisë në Lindjen e mesme dhe anembanë botës. Putini tani po e bën këtë dhe është një ndryshim plot me rreziqe si për Rusinë, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara, që mund ta ndryshojë balancën e fuqisë në rajon dhe më gjerë.