Sot në 70-vjetorin e lindjes së, Leonit XIV, Atit të Shenjtë që predikon: “Le të jemi ndërtues të paqes, duke përqafuar përulësinë si rrugën drejt pajtimit”

Nga Albert Vataj

Ka ditë që nuk janë thjesht shenja kalendarike, por ndalesa të shenjtë në udhën e njerëzimit. Sot është një prej tyre. Në 70-vjetorin e lindjes së Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV, kujtojmë jo vetëm njeriun që erdhi nga Çikago, por dritën që ai sjell nga një kontinent në tjetrin, nga një zemër në tjetrën.

Rruga e tij nuk është veç një biografi, por një ungjill i gjallë: nga thjeshtësia e jetës augustiniane, te përqafimi i të varfërve në Peru, nga shërbimi i heshtur deri te misioni i madh në Vatikan. Ai ka ecur mes njerëzve si një vëlla, jo si një sundimtar, dhe ky është sekreti i forcës së tij. Në çdo hap ka treguar se pushteti i vërtetë është përulësia, dhe se udhëheqja e vërtetë është shërbesa.

Swiss Digital Desktop Reklama

Motoja e tij, In Illo uno unum – “Në Krishtin jemi një” – është si një psalm i ri për kohën tonë të ndarë. Ajo na kujton se uniteti nuk lind nga marrëveshjet e ftohta, por nga dashuria e gjallë që e shkrin frikën dhe mposht ndarjen.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fjalët e para të papatit të tij, ai nuk e vuri veten në qendër. Foli për paqen. Foli për botën. Foli për ne. “Le të jemi ndërtues të paqes, duke refuzuar dhunën dhe duke përqafuar përulësinë si rrugën drejt pajtimit.” Ishte një thirrje jo me fuqi armësh, por me fuqinë e zemrës që çarmatos. Një thirrje për të lënë mënjanë logjikën e frikës dhe për të gjetur në dashuri forcën që shndërron.

Këtë udhë të shërbesës dhe dashurisë na e kujton edhe dokumentari i fundit i mediave të Vatikanit, “Leo from Chicago”. Një udhëtim nëpër rrënjët amerikane të Papës augustinian, që na çon nga lagjet e Çikagos ku lindi Robert Francis Prevost, deri te kujtimet e dy vëllezërve të tij, Louis dhe John. Ky portret i thelluar, me zëra, imazhe dhe dëshmi, na zbulon një anë të papublikuar të jetës së Papës: fëmijërinë, formimin, miqësitë, pasionet sportive, shijet e thjeshta dhe thirrjen e hershme për shërbesë. Nga pizza e preferuar në restorantin e lagjes, tek bejsbolli me White Sox, nga studimet në Villanova e deri në vendimin e madh për të lënë gjithçka e për të shërbyer në Peru, dokumentari rrëfen se para se të bëhej Papë, ai ishte dhe mbeti njeri i thjeshtë, i afërt, i dashuruar me jetën dhe me njerëzit.

Sot, kur ndalemi mbi 70 vite jetë, nuk është vetëm për të uruar, por për të medituar. Ky Papë nuk është thjesht një udhëheqës i Kishës. Ai është një kujtesë e përhershme se Zoti zgjedh shpesh të përunjturin për të turpëruar krenarin, se dashuria është më e fortë se dhuna, dhe se një zemër e ndezur me besim mund të ndryshojë drejtimin e historisë.

Le të jetë ky përvjetor jo një ditë protokollesh, por një ditë që na rikthen tek e thellta: tek paqja që nis në shpirtin tonë, tek përulësia që na bën më të fortë se çdo pushtet, dhe tek dashuria që, kur bëhet vepër, është bekim për botën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?