Spineri politik
Nga Kastriot kotoni/Kur doli në qarkullim një lodër e quajtur spiner(thuhet nga psikologët se është një mjet antistresi i cili vërvitet nëpër duar me dhe pa ndriçim), fëmijët dhe e gjithë mosha shkollore u marrosën nga magjia e kësaj lodre. E për konçidencë në të njëjtën kohë Partia Demokratike kish ngritur çadrën për “Republikën e Re”. Brezat të cilët e kishin kaluar fëmijërinë e tyre me lodra disi më origjinale, si p.sh.: lojë me topa luftash, kala dibrançe apo cinglash e me kopaca, apo me peta e të mos harrojmë ato me kanoçe me karbit, ose karroca me kushineta si edhe patina apo lojë botash ku çdokush donte të zmadhonte territoret si fizike, por edhe emocionale. Po çuditeshin me këtë hobi të ri, që për nga përmasat ia kish kaluar edhe lojës së kubit e cila zuri vend andej nga fillimi i viteve 1981, por ishte privilegj i një pakice njerëzish, loja me tavëll dhe shahu, apo me letra ende rezistojnë për dekada, por edhe çadra e lirisë siç e cilësonte opozita, ishte edhe një lloj mode e re e njëjtë me lodrën e spinerit e cila e arriti kulmin në këto afro 4 muaj. Dukuria e re për të ngritur një fabul frymëzimi nëpërmjet sensibilizimit të ndërkombëtarëve për të marrë maksimumin e garancive për zgjedhjet e reja në Kuvendin e Shqipërisë, ishte si të thuash loja e re e PD, pse jo edhe fillim-fundi, ose fund-fillimi i fushatës zgjedhore. Por kjo lojë e ngjashme me rrotullimin e spinerit në dorën e gjithkujt, nuk u drejtua me koshiencë politike nga ana e opozitës në favor të çështjes kombëtare, aq sa e detyroi shpesh faktorin ndërkombëtar t’i dorëzojë pozitës në pushtet mandatin për të organizuar zgjedhje edhe pa opozitën. Kreut të opozitës i frynin në vesh për ngjarjet me zgjedhjet në Amerikë, a thua se fati i saj varej nga ato. Dritëshkurtësia dhe tifozllëku deri në absurdin e marrjes së një fotoje me presidentin e SHBA-së, Z.Trump, e tregon se sa me lehtësi i marrin punët udhëheqësit tanë të opozitës, të cilët herë aderojnë me bllokun e vendeve islamike e herë tjetër janë në aleancë me Partinë Komuniste të Kinës e herë tjetër me partitë popullore europiane. Një herë kanë prioritet Greqinë në marrëdhënie me Shqipërinë e herë tjetër Turqinë e ndonjëherë hiqen si super afinitiv me Amerikën e kalojnë në krahun tjetër me Gjermaninë kur mbeten pa mbështetje perëndimore. Italinë e përdorin si salvaxhendë për të zgjidhur situatat e krizave si me operacionin “Pelikan” dhe operacionin “Alba”. Në skenë hynë edhe çekët për hir të një vote. Por ndërkohë çdo ditë në media po deklarohet se kjo opozitë nuk ka funksionuar ose është në dorën e një grushti njerëzish të kastruar, fjalë të cilën e kish në majë të gjuhës ish-lideri i saj z. Berisha. Metamorfoza e vjedhjes së votave për zgjedhje në një vend si Shqipëria me kaq pak vite të pluripartitizmit, ka nisur qysh nga koha e mbretit Zog siç tregon Sejfi Vllamasi, një dëshmitar i vërtet politik i cili shkruan: – “Prishja e Partisë “Krahut Kombëtar” solli në pushtet një diktator si Ahmet Zogu dhe deformoi të gjitha zgjedhjet në vend, aq sa ato ishin thjesht formale, sepse opozitën e detyroi të merrte rrugët e emigrimit po edhe më keq akoma prodhoi armiq ose bashkëpunëtor të tyre kundër fateve të kombit. Ditën që mori pushtetin e u emërua Ministër i Financave Mufit Libohova hoqi nga puna njerëzit më patriotë të vendit dhe i zëvendësoj me përkrahësit e tij dhe pa më të voglën sedër vinte shef dogane një bashkëfshatarin e tij nga Libohova, meqë kishte në pronësi klubin e fshatit nga ku u jepte veresie ndonjë teke raki votuesve të krahinës….” (Vëllimi Bisedime Parlamentare). Për gjashtë muaj parlamenti shqiptar merrej në vitin 1924 me mandatin e deputetit Kuçi, të cilit i ishin vjedhur votat e përfaqësimit. Modeli politik, siç fliste oratori më i madh i parlamentit të asaj kohe Ali Këlcyra, kish ardhur nga Greqia ku partitë në pushtet bënin kërdinë deri në dhunë fizike për të hequr nga puna këdo që nuk ish me bindjet e tyre. Ani Wilms, një shkrimtare e cila ka kaluar pa shumë bujë në memorjen e publikut dhe të medias shqiptare me librin e saj “Pritje të bukura” jep me nota realiste dhe shumë të ndiera të vërteta që askush nuk ka guxuar t’i thotë nga të gjithë autorët e pluralizmit shqiptar. Ani, ka gjetur një gjini artistike si romani për të përcjellë realitetin shqiptar të viteve 1992-1996. Ajo është sa ish e fejuara e një ish ministri 27 vjeçar shqiptar, po aq edhe inspiruese e brezit të saj plot ëndrra e dëshira për ta parë atdheun e saj plot begati dhe dinjitet. Por për çudi asaj ju zvenit shumë shpejt shpresa, kur në dialogun me të fejuarin personazhin, Ilir, ajo pyet: – “Si ndodhi kaq shpejt që këta njerëz të kësaj partie u bënë si ish-bllokmenët e harruan idealet? …Në faqen 195 të librit dialogu mes Dianës dhe Ilirit : – “Ti the gra”. Iliri nuk i ngriti sytë. – “Po, – tha gra”. – “Ç’do të thuash me këtë”? –“Kjo do të thotë, sa më shumë gra të shtëna në dorë, aq më shumë lart ngrihet prestigji yt dhe meritat e tua. Korrupsioni është vetëm njëra anë, por më e keqja është se ai lidhet me të tjera gjëra”. –“Me çfarë lidhet tha ajo?”
Mbetet në dëshirën e lexuesit ta interpretojë këtë frazë e cila kurrsesi nuk i ngjan më lojës së spinerit politik, që është luajtur këto 27 vjet. Janë rreth 40 libra me temë nga pluripartitizmi shqiptar ato edhe pse në kushte e rrethana të ndryshme me pikëpamje të djathta e të majta, ateiste, laike apo jo, kanë qenë dëshmi se në Shqipëri pluralizmi politik u drejtua nga njerëz që dolën nga kulisat e Partisë së Punës e mandej mësuan të jenë sahënlëpirës të pushtetit besëthyer me aleatët e natyrshëm të interesave kombëtare e shpesh për karrigen e pushtetit e çuan vendin në greminën e asgjësimit si komb. Në të kundërt duhet t’i kujtojmë lexuesit edhe librin e gazetarit anglez Misha Glen “Mafia Pa Kufij”. M. Glen shkruan ndër të tjera edhe për krijimin e opozitave në Evropën-Juglindore dhe rolin dhe ndihmën e shoqërisë civile në përmbysjen e regjimeve komuniste. Dilemat dhe pandehmat e narkotrafikut u përdorën në dorën e opozitës si spiner deri në ditën e zgjedhjeve. Tani është momenti që partitë politike në Shqipëri të pozicionohen nga modelet e partive perëndimore e jo me lider të cilët vinë si të rënë nga qielli pa asnjë njohje të realitetit shqiptar e për më tepër ftojnë këshilltarët e partisë së zonjës Merkel. Pakti i parazgjedhjeve të 18 qershorit tregoi se sa dorëlëshuar ka qenë pozita socialiste në të gjitha rastet kur opozita e PD kërcënonte me thyerje xhamash e djegie institucionesh e grushte shteti, pse jo dhe me revolucione antiperëndimore. Për hir të Shqipërisë, shteti ka ligje dhe politika nuk mund të luajë si me lojën e spinerit sa me xhiro të shpejta(ku 4 orë takim zgjidhën gjithçka), apo me lëvizje majtas e djathtas, as nga lindja e as nga perëndimi. Do ishte në nderin e çdo njeriu mediatik apo militanti politik, që t’i thoshte jo çdo loje të tillë në kurriz të fateve të vendit e të përcillte njëherë të vetme idealet e lirisë e të demokracisë perëndimore, ku humbësi e pranon humbjen dhe zgjedh jetën e tij politike me konkurrencë të pastër apo me aktin e tërheqjes nga ajo.