
Protesta studentore kundër qeverisë së Edi Ramës vijon për të 14-ën ditë radhazi, ndërsa protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë, duke zhvendosur tubimin nga Ministria e Arsimit drejt selisë së qeverisë.
Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, studentëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, të cilët kanë vijuar marshimin në drejtim të godinës së Kryeministrisë.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Të rinjtë kanë bërë të ditur se do të vijojnë qëndresën dhe nuk do të heqin dorë nga protestat, pavarësisht masave të reja ligjore të paralajmëruara nga kreu i qeverisë.
Tubimet e dy javëve të fundit janë shoqëruar në disa raste me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa situata vijon të mbetet e lidhur me ecurinë e mobilizimit studentor.
