TAP trajnon dhe punëson në Shqipëri inspektorë për saldime tubacionesh gazi

Tiranë, Shqipëri. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) organizoi në Qershor trajnimin për Inspektorë Saldimesh për tubacionet e gazit. Në këtë trajnim katër ditor, i cili u organizua për herë të parë në Shqipëri, morën pjesë 12 persona, të gjithë shqiptarë. Pjesëmarrësit janë certifikuar si inspektorë saldimesh për tubacione dhe do të nisin punën në TAP.

Trajnimi për inspektorë saldimesh është organizuar nga TAP për të plotësuar nevojat e ndërtimit të tubacionit dhe për t’i krijuar më shumë hapësira profesionistëve shqiptarë në proceset e ndërtimit të gazsjellësit. Trajnimi u organizua nga një prej kompanive më me përvojë në këtë sektor siç është “Bureu Veritas”, një lider botëror në testimin, inspektimin, certifikimin dhe trajnimet industriale.

Richard Yves Anstey, Menaxher i Ndërtimit të Tubacionit të TAP në Shqipëri shprehet se: “Ne do të vijojmë të angazhojmë ekspertë vendas në çdo fazë të ndërtimit të gazsjellësit. Ky trajnim shërben për të zhvilluar njohuritë e profesionistëve vendas në kontrollin e cilësisë së saldimeve.”

Diana Xhafa, pjesëmarrëse në trajnim, tha se: “TAP na ka krijuar një mundësi të dyfishtë të cilën e vlerësojmë shumë. Përveç trajnimit të mirëfilltë, na u ofrua edhe punësimi. Trajnimi dhe përvoja në punë që po na ofrohet pasurojnë profilin tonë profesional për mundësi të tjera punësimi në të ardhmen edhe jashtë Shqipërisë.”

TAP është i përkushtuar për zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve vendase në fushën e energjisë. Në shkurt të 2017-ës, TAP organizoi një takim informues me profesionistë të rinj mbi mundësitë për t’u bërë inspektorë terreni. Përveç trajnimeve për profesionistë, TAP ka krijuar edhe programin e praktikave profesionale për studentët që në të ardhmen do të duan të ndjekin një karrierë në fushën e energjisë. Aktualisht pranë TAP punojnë më shumë se 2,800 persona dhe afërsisht 84% e tyre janë shqiptarë.

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), në kufirin turko-grek në Kipoi, do të kalojë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut. Rruga që përshkon TAP-i mund të përmirësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe vende të tjera. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si në Gjermani, Francë, Britani e Madhe, Zvicër dhe Austri.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, gjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit. Ai do të jetë një burim i madh investimesh të huaja direkte dhe nuk varet nga grante, apo subvencione. Pas fillimit të tregtimit të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, synuar të nisë në fund të vitit 2018, sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Evropë në vitin 2020. Aksionarë të TAP-it janë: BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

SHKARKO APP