Të mallkuar apo të papërgjegjshëm!
Nga Kolë Gjoka
Të duket e pabesueshme por është realiteti. Në momentet më vendimtare të demokracisë Shqiptare, në rrugëtimin drejtë demokracisë perëndimore ndodhin përplasje të forta politike midis palëve. E them qëllimisht midis palëve, për mungesën e dallimeve programore midis “partive” të majta dhe të djathta. Dhe kjo, fatkeqësisht, nuk është hera e parë. Natyrisht që nuk pritej që ky udhëtim të ishte në një autostradë, por minimalisht një rrugë me kalldrëm. Por kurrsesi nuk mund të ishte ky udhëtimi ynë, një udhëtim në një fushë të vetëminuar.
Ta quash këtë fakt mallkim është pak. Më shumë i shkon për shtat të quhet papërgjegjshmëri politike dhe Kombtare !
Kjo papërgjegjshmëri besoj se ka një prapavijë të qartë gjeopolitike.
A ka lidhje me pozicionin gjeografik të Shqipërisë ?
Po, dhe lidhje shumë të fort historike.
Këtë pozicion, në historinë tonë Kombëtare, shpesh herë kemi patur rastin ta shfrytëzojmë për të realizuar interesat tona kombëtare. Por kjo asnjëherë nuk funksionoi në kompleks. Gjithmonë dolën në pah ndasitë dhe mendësitë orientale. Atëherë këto mendësi ishin nga halli, kurse tani janë nga malli.
Kjo gjë shikohet qartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Një dritë e vetme shprese, e kohëve të fundit, mbetet deri tani pozicionimi i politikanëve Shqiptar në Malin e Zi dhe së fundi në Maqedoni.
Por kjo nuk mjafton në këto kohëra ciklonesh.
Kam patur rastin të bisedoj me shumë politikan perëndimor të cilët njohin shumë mirë Ballkanin në tersi dhe Shqipërin në veçanti. Kam dëgjuar shumë nga opsionet dhe idetë e tyre. Ata nuk kuptojnë që idetë e tyre diplomatike ne i përkthejmë sipas interesit tonë ! Por edhe kur ata flasin në Shqip ne i kuptojmë me “dialekte”. Edhe kur ata flasin hapur dhe pa fjalorin diplomatik, ne i fyejmë me fjalor asocialësh.
Mbi këto ide kam patur rastin të bisedoj edhe me politikanët Shqiptar.
Mbi përgjigjen e një politikani të lartë, për mundësin e një koalicioni të madh PS-PD, kam mbetur i shokuar. “Një gjë e tillë është shumë Europiane”. Një kohë të gjatë pyesja veten, ku jetojmë ne në të vërtetë ? !!!
Gjithsesi vallja nuk hidhet solo. Së pari duhet të kthehemi në realitet. Të kuptojmë që kundërshtari politik mund të jetë edhe shoku jonë, minimalisht bashkbisedues. Të kuptojnë që opozita i duhet pozitës po aq sa pozita opozitës ! Një fjalë e urtë Gjermane thotë : “shpresa vdes e fundit” .