Të martën vendoset për marrëveshjen
Ditën e martë pritet që opozita dhe mazhoranca të firmosin një marrëveshje që do të mundësojë kthimin e Partisë Demokratike në Kuvend. Dokumenti prej pesë pikash pritet të marrë miratimin përfundimtar, pas negociatave që po zhvillohen nga përfaqësuesit e BE me të dy kampet politike. Socialdemokrati gjerman, Knut Fleckenstein, dhe i djathti sllovak, Eduard Kukan, kanë siguruar tashmë dritën e gjelbër nga familjet respektive politike dhe simotrat e tyre shqiptare, për të ndërmjetësuar mes palëve për kapërcimin e bojkotit parlamentar. Nisma e raportuesit për Shqipërinë, e përkrahur nga ish-kreu i delegacionit për Ballkanin, synon kthimin e opozitës në Kuvend brenda këtij muaji, për të punuar mbi një projektligj mbi dekriminalizimin e Parlamentit, i cili duhet miratuar me konsensus në 6-mujorin e parë të 2015-s. Kjo çështje ishte një ndër 5 shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike ndaj ndërkombëtarëve dhe nisma mundëson ndihmën ligjore të institucioneve europiane për praktikën më të mirë. Por, pas pëlqimit të dhënë nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, për të mandatuar eurodeputetin Kukan, është shtuar presioni i Partive Popullore Europiane mbi deklaratën publike dhe vizitën e mediatorëve të Parlamentit Europian në Tiranë. Majlinda Bregu një nga përfaqësueset e opozitës që shprehu e para javën e shkuar shqetësim demokrat ne Bruksel, pranon se palët janë shumë afër marrëveshjes. Parlamenti Europian, ishte shumë afër zgjidhjes, që të mërkurën e 10 dhjetorit, por eurodeputeti Kukan, kërkoi më shumë kohë për ta diskutuar çështjen me kreun demokrat Lulzim Basha. Edhe deklarata e Parlamentit Europian, ka qënë gjithashtu gati, gjithashtu është lënë kohë për disa ndryshime specifike që do t’i bëhen prej negociatave deri të martën e ardhshme ku do të marrë bekimin e palëve, duke i hapur rrugë një marrëveshje politike mazhoracë-opozitë, dhe me shumë mundësi edhe deputetëve të djathtë që të enjten e ardhshme zënë karriget në Parlament të lëna bosh prej muajsh. Marrëveshja është bazuar në 5 pika ku një pjesë e tyre tashmë janë të plotësuara.
Projekt marrëveshja
1- Respektimi i të drejtës së opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
2- Zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
3- Ndryshimi i rregullores së Parlamentit për të njësuar kohen në parlament me kryeministrin, të përfaqësuesve të opozitës.
4- Garantimin se mazhoranca nuk do të bëhet pengesë e drejtësisë për rastet e hetimit të deputetëve.
5- Hartimi dhe miratimi i një ligji në muajt e parë të janarit për dekriminalizimin e Kuvendit.