“The Guardian”: Udhëtim në Alpet Shqiptare, një nga destinacionet më autentike të turizmit malor në Evropë
Një familje britanike që udhëtoi në Ballkan për një aventurë njëjavore në male, ka përshkruar përvojën e saj, në zonat alpine të Shqipërisë si një ndër eksperiencat më autentike të turizmit natyror në Evropë, shkruan Holly Tuppen në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Guardian”.
Mes shtegtimeve malore, notit në lumenj dhe takimeve me barinjtë vendas, udhëtimi në Alpet Shqiptare ofron një kombinim unik të natyrës së paprekur dhe traditave të lashta.
Mikpritja shqiptare
Në një stan të largët në malet e veriut, një familje vendase mirëpriti vizitorët në një shtëpi të vogël.
Fëmijët vendas dhe mysafirët e vegjël u miqësuan menjëherë dhe filluan lojën e njohur “Uno”, ndërsa jashtë kishte nisur një stuhi e fortë me breshër.
Në hapësirën e vogël të stanit – ku ndodhej kuzhina, dhoma e ndenjies dhe veranda – mysafirët dhe familja vendase u akomoduan së bashku.
Qentë lehnin, pulat kakarisnin dhe delet blegërinin, ndërsa bubullimat shtoheshin.
Pavarësisht barrierës gjuhësore, atmosfera u mbush me të qeshura dhe komunikim të thjeshtë njerëzor.
Përjetimi i jetës së barinjve në Alpet Shqiptare
Eksperienca organizohet nga Nina, e cila drejton projektin turistik komunitar “Shepherd’s Way” – (Rruga e Bariut).
Qëllimi i tij është të ndihmojë barinjtë malësorë të fitojnë të ardhura shtesë duke ndarë mënyrën e tyre tradicionale të jetesës me vizitorët.
“Zhvendosja sezonale e deleve drejt kullotave gjatë verës – që praktikohet ende nga 12 familje në këtë zonë, së fundmi ka marrë statusin e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, shpjegoi Nina gjatë rrugës drejt stanit.
Vizitorët zakonisht përfshihen në aktivitete si kullotja dhe mjelja e deleve, por moti i keq i ndryshoi planet.
Në vend të kësaj, dita kaloi duke pjekur bukë, duke pirë çaj mali, duke luajtur lojëra dhe duke biseduar.
“Mërzia është një pjesë e madhe e jetës së barinjve”, tha guida shqiptare, Aurora, duke vënë re habinë e vizitorëve për ritmin e qetë të jetës në mal.
Megjithatë, në fund të ditës, ndërsa dielli nisi të dilte dhe fëmijët luanin futboll në fusha të mbushura me flutura, vizitorë përjetuan një qetësi kolektive është ndoshta formën më autentike të përjetimit kulturor.
Shtegtim në majat e Alpeve Shqiptare
Një nga ecjet kryesore zhvillohet duke nisur nga fshati Lëpushë, duke ndjekur një shteg të qetë përmes pyjeve të ahut dhe fushave alpine drejt Majës së Vajushës, në lartësinë 1,859 metra.
Gjatë zbritjes, vizitorët u ndalën në një stan për të provuar kosin e freskët dhe mblodhën boronica të egra, ndërsa në fshat blenë mjaltë nga kooperativa lokale e bletarëve.
“Shpërndarja e turistëve edhe jashtë shtegut kryesor të Alpeve të Ballkanit ndihmon në uljen e mbipopullimit dhe krijon një burim të rëndësishëm të ardhurash për fshatra si Lëpusha”, shpjeguan organizatorët e udhëtimit.
Thethi, zemra e Alpeve shqiptare
Një tjetër etapë e rëndësishme e udhëtimit është lugina e Thethit, e konsideruar si zemra e shtegut të famshëm malor.
Zbritja drejt fshatit ofron pamje spektakolare: pyje të pishave që zbresin në faqet e thepisura të shkëmbinjve, hardhuca që lëvizin mes gurëve dhe shpella që ofrojnë freski për pushim gjatë rrugës.
Vizitorët qëndruan në një kullë tradicionale 200-vjeçare, një bujtinë familjare me pesë dhoma dhe një kopsht të qetë.
Në stilin tipik shqiptar, darka përfshinte ushqime të prodhuara në shtëpi, ndërsa perëndimi i diellit ngjyroste Alpet Shqiptare me nuanca rozë.
Natyrë e paprekur dhe tradita shekullore
Pushimet vazhduan me ndalesa në disa nga pikat më të njohura natyrore të zonës, si Vaskat Natyrore të Nderlysës dhe Syri i Kaltër i Kaprres, ku vizitorët shijuan ujërat e kristalta.
Megjithëse qytetet tregojnë ritmin e shpejtë të ndryshimit të vendit, përvoja në male mbetet ajo që lë më shumë mbresa.
Për vizitorët, Alpet Shqiptare përfaqësojnë një kombinim të rrallë të peizazheve të egra, natyrës së paprekur dhe traditave që kanë mbijetuar për shekuj, duke e bërë këtë rajon një nga destinacionet më autentike të turizmit malor në Evropë. Ata
KOHA JONË SONDAZH

