Tinka Kurti, 93 vite jetë të shndërruara në art, 93 vite art të lartësuara në përjetësi personazhesh e karakteresh

Nga Albert Vataj

Tinka Kurti sot mbush 93 vjeç. Një moshë që, për të, nuk është thjesht numër kronologjik, por një arkiv i gjallë përvojash, rolesh, përkushtimesh dhe sakrificash që e kanë tejkaluar biografinë personale për t’u shndërruar në biografinë e një arti. Jeta e saj nuk u jetua sipas skemës së zakonshme të gruas, të nënës, të qytetares private; ajo u jetua në skenë dhe përmes skenës, në trupëzimin e dhjetëra jetëve të tjera, të cilat u bënë rrahje zemre për publikun dhe formësuan një ndër ikonat më të qëndrueshme të teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Te Tinka Kurti, aktrimi nuk ishte profesion në kuptimin e ngushtë të fjalës; ishte filozofi ekzistence. Ajo nuk “luajti” role, por i jetoi ato me një disiplinë shpirtërore që e ngre interpretimin në një akt etik. Dhimbja e nënës, forca e gruas, qëndresa e karakterit popullor, fisnikëria e heshtur e sakrificës, të gjitha këto u bënë materia e saj e përditshme krijuese. Në këtë kuptim, arti nuk ishte zbukurim i jetës, por mënyra e vetme për ta përballuar atë.
93 vite të jetuara intensivisht: me sfida të ashpra shoqërore, me privime personale, me plagë që nuk u shndërruan kurrë në ankesë, por në energji interpretative. Tinka Kurti është shembulli i rrallë i aktores që e pagoi artin me jetën private dhe që, në këmbim, i dhuroi publikut një pasuri të pamatshme shpirtërore.

Edhe pse e lindur në Sarajevë, më 17 dhjetor 1932, ajo e ka thënë me një qartësi rrëfimtare: “Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia.” Kjo deklaratë nuk është thjesht një identifikim gjeografik; është një akt besëlidhjeje shpirtërore. Shkodra nuk ishte vetëm qyteti i formimit të saj artistik, por terreni emocional ku u kalit ndjeshmëria, gjuha e brendshme e interpretimit dhe raporti i saj i veçantë me publikun.
Në Teatrin “Migjeni”, ku shërbeu që nga viti 1949 deri në pension, ajo u bë shtyllë morale dhe estetike. Pa diplomë zyrtare, por me një shkollë të brendshme të pamohueshme, ajo dëshmoi se arti i vërtetë nuk certifikohet me letra, por me kohë, me qëndrueshmëri dhe me vërtetësi.
Portreti i Tinka Kurtit është vetë një skenë. Rrudhat e saj nuk janë shenja konsumimi, por kaligrafi kohe, të shkruara me mjeshtëri dhe dinjitet. Vështrimi i saj mban njëkohësisht dritën dhe hijen: ëmbëlsinë amësore dhe mendimin e thellë, mallin dhe përmbajtjen, përkujdesjen dhe meditimin. Aty bashkëjetojnë aktorja, gruaja dhe nëna – jo si role të ndara, por si një unitet njerëzor i rrallë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Tinka Kurti mishëroi mbi 120 role në teatër dhe rreth 35 në kinematografi, duke filluar me filmin “Tana” (1958), gur themeli i kinemasë shqiptare. Rolet e saj nuk u ndërtuan mbi efektin, por mbi thellësinë: Tana, Nëna Pashako te “Yjet e netëve të gjata”, nëna e Halit Beratit te “Gjeneral Gramafoni”, Dila te “Besa e Kuqe”, doktoreshë Keti te “Unë e dua Erën”, sinjorina Mançini te “Vajzat me kordele të kuqe”, gjyshja te “Zemra e nënës”.
Ajo ishte unike sepse nuk imitoi askënd dhe nuk lejoi askënd ta imitonte. Çdo rol mbante shenjën e saj të patjetërsueshme: një timbër zëri që depërtonte thellë, një prani skenike që nuk kërkonte imponim dhe një inteligjencë emocionale që i jepte personazhit peshë njerëzore.
“Arti është ushqimi im. Oksigjeni im,” shprehet ajo, duke e përkufizuar aktrimin si nevojë jetike. Por po aq thelbësore është edhe ideja e saj për artin si akt kolektiv: një ndërveprim i autorit, regjisorit, aktorëve, skenografisë, muzikës. Ky vizion e bën Tinka Kurtin jo vetëm interpretuese të madhe, por edhe figurë me autoritet moral në kulturën shqiptare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Çmimet, titujt dhe medaljet, përfshirë “Mjeshtër i Madh i Punës”, janë vetëm shenja formale të një vlerësimi që publiku ia ka dhënë prej dekadash: respektin e heshtur dhe dashurinë e qëndrueshme. Tinka Kurti është një monument i gjallë, jo prej guri, por prej kujtese, emocioni dhe dinjiteti artistik.
Në 93-vjetorin e lindjes, ajo nuk qëndron thjesht si një emër i madh i së shkuarës, por si një referencë e domosdoshme për të ardhmen: një dëshmi se arti i vërtetë lind nga përkushtimi absolut, nga besnikëria ndaj vetes dhe nga guximi për ta jetuar jetën si mision krijues.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?