Tirana e vitit 1921, nga Rruga e “Këpucbamësve”, tek ajo e “Fiqve”

 

Kryeqyteti ynë Tirana tashmë i ngjan një labirinthi ku jo vetëm “tironsit e vjetër” nuk arrijnë më të orientohen, por kushdo që vjen përpiqet të lerë gjurmën e tij ku të mundet dhe si të mundet, duke ndikuar jo pak në vlerat e përgjithshme estetike të kryeqytetit. Çdo ditë sa vjen e bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u orientuar në bazë të emërtimeve të reja të rrugëve dhe shesheve. Shpesh, këto emërtesa më shumë kanë krijuar edhe kaos.

Për të kuptuar sesa problematik është bërë ky problem, mjafton t’i referohemi historisë së kryeqytetit të Tiranës, sa i përket emërtesave të rrugëve dhe shesheve. Shtetarët e parë të Tiranës që në vitin 1921 kanë bërë kujdes që emërtimi i rrugëve dhe shesheve jo vetëm të shprehe origjinalitetin kombëtar, por edhe anën funksionale të këtyre hapësirave.

Një dokument që mban datën 21 mars 1921, që mban firmën e një prej pinjollëve të familjes Frashëri, Skënder Frashëri, jep një tablo të qartë të emërtimeve të rrugëve dhe shesheve në Tiranë. Ajo që bie në sy në këtë dokument është fakti se këto emërtesa shprehin edhe funksione të ndryshme të mënyrës së sendërtimit të jetës sociale të Kryeqytetit, në bazë profesionesh, institucionesh, figurash historike apo të kohës, por edhe të datave kombëtare.

Sipas dokumentit, Tirana kishte të emërtuara 90 rrugë dhe sheshe. Në këto emërtesa gjen gjithfarë profesionesh e grupesh sociale duke filluar që nga: Rruga e Berrave, Fiqvet, Farkëtarëve, Këpucbamvse, Tellallit, Millit, Rrobaqepsve, Argjendit, Katundaris, Jevgjëve, Bukbamsve, Vajit, Çelikut, Teqes, Mullinit etj. Nuk mungojn edhe emërtesa rrugësh që shprehin institucione si Rruga e Qeveris, Shkollës, Mësuesit, Smunjëtores, Aeroplanave, Kishës, Myftiut, Teqes etj.

Në emërtesa rrugësh dhe sheshesh janë përfshirë dhe një sërë emrash qytetesh si Durrësi, Kavaja, Elbasani, Dibra etj., që vijojnë të rezistojnë edhe sot e kësaj dite. Mjafton t’i hedhësh një sy listës së mëposhtme për të kuptuar prakticitetin me të cilin operonin të parët tanë, për të kombinuar jo vetëm sensin gjoeografik të Tiranës, por edhe sensin praktik të organizimit të jetës së kryeqytetit duke filluar që nga emërtesat.

"Javanews"

SHKARKO APP