Trajnimet jashtë vendit një faktor kryesor në rritjen e cilësisë së auditimeve të KLSH
Nga : Elfrida Agolli & Alfonc Gabili*
Trajnimi në KLSH është ndërtuar dhe vijon të zhvillohet si një veprimtari e konsoliduar dhe e planifikuar që ka si qëllim të mbështesë dhe ndihmojë zhvillimin profesional me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të performancës individuale të audituesve dhe institucionit në përgjithësi.
Për këtë qëllim në strategjinë e KLSH-së, është përcaktuar ngritja e kapaciteteve të auditimit, me synim zbatimin e standardeve të KLSH-së dhe standardeve ndërkombëtare të auditimit ISSAI, duke përfshirë projektet e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave.
Marrëdhëniet e KLSH-së me Gjykatën Turke të Llogarive janë institucionalizuar në datën 16 nëntor 2012 nëAnkara, Turqi, ku Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, nënshkroi një Marrëveshje Bashkëpunimi me homologun e tij, Presidentin e Gjykatës së Llogarive të Turqisë, z. Recai Akyel.
Rezultatet e kësaj marrëveshje kanë qenë shumë të prekshme, veçanërisht në drejtim të realizimit të trajnimeve të stafit të KLSH-së. Që nga viti 2012 e deri tani janë trajnuar pranë Gjykatës së Llogarive të Republikës së Turqisë gjithsej 7 grupe ose 122 auditues të KLSH`së, me një total prej 610 ditë/njerëz trajnim. Në këto trajnime janë trajtuar tema të ndryshme si auditimi i performancës, auditimi financiar, auditimi publik, auditimi i sistemeve të teknologjisë dhe informacionit, sistemi publik i menaxhimit financiar, auditimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm dhe sistemeve të menaxhimit të riskut institucional.
Në këtë kuadër, grupi i audituesve të KLSH`së (Qemal Meta, Alfonc Gabili, Nikoleta Piranjani, Josif Lile, Elfrida Agolli, Piro Bregaj, Taulant Dervishaj, Blerin Shkurti, Eni Kabashi, Alketa Kalleshi,Arminda Bushi, Migena Nushi, Erion Muho, Benard Haka, Elisa Metaj dhe Berti Meçaj) mori një eksperiencë mjaft të vyer në Gjykatën Turke të Llogarisë, prej datës 24 deri në 28 Gusht 2015, ku u prit dhe nga vetë Presidenti i Gjykatës së Llogarive të Turqisë z. Recai Akyel, i cili në fund të aktivitetit na shpërndau dhe çertifikatat.
Në këtë aktivitet u trajtuan tema me shumë interes si:
Kuadri Ligjor dhe Organizimi i Gjykatës së Llogarive;kuadri ligjor i SAI-t të Turqisë si një Gjykatë Llogarish dhe organizimi i saj. Marrëdhëniet Parlament – Gjykatë Llogarie; Auditimi financiar; Auditimi i informacionit të performancës, etj.
Gjithashtu nëtakimet që zhvilluam me homologët tanë turq shkëmbyem eksperienca të ndryshme ku ndërmjet të tjerave ne evidentuam krijimin e Departamentit të Auditimit të Performancës në tetor të vitit 2012 dheligjërimin e realizimit të këtij lloj auditimi. Sipas filozofisë së re të drejtimit të KLSH-së, auditimi i performancës është një ndër objektivat kryesorë të Planit të Zhvillimit Strategjik të institucionit për periudhën 2013-2017 (i rishikuar për 2015-2017). Auditimet e performancës në KLSH udhëhiqen nga Udhëzuesi i Auditimit të Performancës, Manuali i tij dhe Indikatorët e tyre, të cilat konsiderohen si tre dokumente dinamikë, që përditësohen me progresin praktik. Madje këtu vlen të theksohet se Manuali dhe Indikatorët e Auditimit të Performancës, mbas një konsultimi të gjerë institucional e më shumë janë botuar dhe janë pjesë e kolanës së botimeve të KLSH, duke u shërbyer audituesve në punën e tyre të përditshme.
Zhvillimi dhe menaxhimi frytdhënës i burimeve njerëzore është një ndër faktorët kryesorë në efektivitetin e KLSH-së.Burimet njerëzore janë burimi më dinamik dhe më i rëndësishëm në KLSH, të cilat janë në vëmendjen e menaxhimit për zhvillimet e mëtejshme. Për këtë arsye trajnimi dhe zhvillimi i stafit në fusha të ndryshme lidhur me auditimin, luan një rol mjaft të rëndësishëm në arritjen e objektivave strategjikë të këtij institucioni. Për këtë qëllim veprimtaritë e trajnimit dhe zhvillimit janë projektuar për tu ofruar audituesve aftësi dhe mjeshtëri specifike, si dhe njohuri të përditësuara të domosdoshme për kryerjen e misionit dhe ushtrimin me sukses të detyrës së audituesit publik.
Përveç eksperiencës që shkëmbyem në fushën e auditimit, një impresion të veçantë na krijoi dhe vizita në Ankara, mikpritja e kolegëve tanë të Gjykatës Turke të Llogarive. Qyteti i Ankarasë ka ndryshuar shumë gjatë dekadave të fundit dhe sot është vendbanimi i rreth 5 milionë banorëve. Mikpritësit tanë të SAI-it Turk dhe përfaqësuesit e tyre, na shoqëruan në zyrat e tyre, në qendrën e tyre të trajnimeve, si dhe në vizitat e kryera në qendrat e tyre historike e kulturore. Grupi ynë i audituesve të KLSH-së ndau me ta eksperienca profesionale dhe kulturore. Përfaqësuesit na shpjeguan për qytetin dhe historinë e tij. Nga këto aktivitete arritëm në konkluzionin se populli Turk ndan një respekt të thellë për popullin Shqiptar, gjë e cila na bëri të ndjeheshim si në shtëpinë tonë. Në vizitat kulturore të realizuara, e para ishte ajo në Mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturk, themeluesit të Republikës së Turqisë. Gjatë qëndrimit në Turqi, grupi i KLSH-së pati mundësinë të vizitonte dhe qytetin e bukur të Eskisehirit, parqet, muzetë dhe lagjen e vjetër, e cilit na impresionoi shumë.
Kjo është shumë pak për të përshkruar një javë të mbushur me aktivitete e impresione të ndryshme nga vizita e grupit të KLSH në Turqi, ku dhe ne si shumë auditues të tjerë, gjatë këtyre tre viteve të fundit, patëm fatin e mirë të ishim pjesë e shkëmbimit të eksperiencave pozitive, midis Gjykatës Turke të Llogarive dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
*Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit