“Trukim me Shqipërinë? Luftë primitive informacioni me burim Serbinë e Danimarkën”
Në Armeni nuk besojnë në trukimin e ndeshjes me Shqipërinë. Mediat dhe blogjet armene fajësojnë për humbjen nivelin e skuadrës së tyre. Kurse lajmin e opozitës shqiptare dhe medieve të Beogradit, radioja e Armenisë e konsideron “luftë primitive informacioni”. Po ashtu pikat e basteve në këtë vend “janë të bindura se lajmet për ndeshje të trukuar në Jerevan janë vetëm thashetheme të pabaza”. “Shqipëria akuzohet se u ka dhënë ryshfet lojtarëve të përfaqësueses së Armenisë, por deklarata të tilla i ngjajnë më tepër një lufte primitive informacioni, që ka ndërmarrë Serbia” – thotë Radio Armenia.
Më poshtë, pjesë nga komenti i saj:
“Kualifikimi në Euro 2016 u pasurua me ekipe-sensacion, të cilat për herë të parë në historinë e vetë, arritën suksesin. Një nga këto ekipe ishte dhe ai shqiptar, i cili për habinë e shumë njerëzve la prapa Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë.
Pasi mundi Armeninë (3:0), nën drejtimin e Gianni de Biazi-it, media shqiptare dhe serbe hodhën në treg informacionin sikur Shqipëria u ofroi katër lojtarëve armenë nga 500 mijë euro, në mënyrë që të ndihmonin për të siguruar rezultatin e dëshiruar.
A nuk është zbavitës dhe qesharak fakti që për hyrjen në kampionatin evropian ekipi i Shqipërisë ka marrë 2 milionë euro – papritur këto para tashmë paraprakisht ishin llogaritur për futbollistët armenë?
UEFA reagoi shpejt ndaj thashethemeve në gazeta. Por gjëja e parë që duhet të bëjnë zyrtarët e futbollit, është që të shqyrtojnë burimet, që dhanë informacionin për ndeshjen e trukuar. Për komplotin e futbollistëve kanë bërë akuza portali serb “Telegraf”, që dëshironte t’i hidhte benzinë zjarrit dhe kjo është plotësisht e natyrshme, dhe portali shqiptar “Opozita”.
Vështirë të besohet se golat e përfaqësueses së Shqipërisë ishin të fiksuar. Shpjegimi qëndron në rezultatet e ekipit aktual armen – ta mundësh është shumë më e lehtë se disa vite më parë. Edhe në ndeshjet e kaluara (meqë ra fjala, dhe në Beograd gjithashtu) armenët nuk dinin çfarë të bënin me topin, si të ndërtonin sulmet, i lëshonin shumë terren kundërshtarit. Sa mund të akuzohet për disfatë të qëllimshme një ekip në formë të tmerrshme, me një trajner si Sargis Hovsepjan, i cili nuk e kupton si ndërtohet loja e vartësve të tij dhe e ka ekipin absolutisht pa motivim?
Pikat e basteve gjithashtu janë të bindura se lajmet për ndeshje të trukuar në Jerevan janë vetëm thashetheme të pabaza. Koeficienti për Shqipërinë vërtet ra nga 2.50 në 2.00, por kjo ndodh rëndom. Kjo ulje e koeficientit mund të lidhet me motivimin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve, me dëmtimet dhe pezullimet. Dhe paratë që do të jepeshin për fitoren, nuk japin arsye për të menduar se dikush e dinte paraprakisht rezultatin e ndeshjes.
Sigurisht, tani mund të fantazohet çfarë do të ndodhte nëse provohej se Armenia dhe Shqipëria “pikturuan” tri pikët? Atëherë në Euro-2016 do të shkonte direkt Danimarka (si në vitin 1992), kurse Serbia do të jetë në play-off. Ndoshta pikërisht ky është ilustrimi më i mirë i asaj se kush ka leverdi nga skandali.
Serbët i hedhin benzinë zjarrit, dhe nuk e pranojnë humbjen. Ndoshta kjo sjellje e mediave serbe është e kuptueshme, por dëshira e tyre për të rindezur luftën informative mund të “hahet”, duke ndërtuar një zinxhir logjik tejet të thjeshtëzuar.
Futbolli në Serbi është një lloj sporti kombëtar. Nuk ka rëndësi janë me “Partizan”-in apo me “Crevena Zvezda”-n, në ditët e ndeshjeve të përfaqësueses pothuajse e gjithë Serbia ulet para televizorëve, ose shkon për të bërë tifo për të vetët në stadium. Humbjet perceptohen në mënyrë shumë të dhimbshme. Humbjet, që kanë lidhje me armiqtë politikë janë dyfish të dhimbshme.
Dy vjet më parë në Serbi u alarmuan, kur ata nuk mund të merrnin pjesë në play-off, pas Kroacisë. Tani serbët i la prapa dhe Shqipëria, që nuk është e pasur me lojtarë të një klasi të lartë europian. Dhe kur në ndeshjet e futbollit përfshihet edhe politika, në Serbi janë gati të godasin me gurë kundërshtarin. Në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës.
Zyrtarët e futbollit këmbëngulin të ngulisin në kokat tona se futbolli është jashtë politikës. Ndoshta. Më mirë të gëzohemi se në Euro-2016 do të luajë disa ekipe të reja, shumë origjinale. Midis tyre – dhe Shqipëria e bujshme…” / Dita – Përgatiti Th.Mustaqi /