
Elisa Spiropali ka dalë sot në një konferencë për mediat, një ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i PS-së.
“Jam gruaja e parë në 35 vite që përjashtohem. Po e marr si dekoratë. Mes të qenurit edhe kryetarja më e re e zgjedhur në historinë e Kuvendit të Shqipërisë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një forum partie, për arsye të qëndrimeve të saj. Mendoj se s’duhet të çuditemi fare. S’ka asgjë për tu habitur për sa kohë që ata duhet ët ikin rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin”, tha Spropali.
Ajo i cilësoi nul vendimet për përjashtimin e saj nga forumet e PS-së dhe grupi parlamentar socialist, duke thënë se as në Asamblenë Kombëtare dhe as në mbledhjen e grupit nuk pati votim.
“As isha në atë mbledhje të grupit dhe as kishte rend dite. Aty u bë një votim për t’i dhënë legjitimitet një vendimi jo legjitim të Asamblesë Kombëtare, e cila nuk kishte zhvilluar votim për këtë çështje.
Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje, lëre më nga veprimet e saj. Gratë nuk janë fasadë për t’i vendosur aty gjatë fushatave, që të duken bukur. Gratë kanë edhe qëndrimet e tyre, të cilat mund të mos përputhen me qëndrimet e udhëheqjes.
Unë diskutimet i bëra aty. Nuk ka rëndësi nëse jam unë flamingoja e parë. Nuk jam, por do ta kisha për nder. Flamingot janë shprehje e kërkesës shoqërore për t’u ngritur në një nivel tjetër demokratizimi.
As Koçi Xoxe dhe as Kadri Hazbiu nuk i bënin këto në mbledhje të mbyllura, pa i dhënë mundësinë të dëgjohej edhe personit që akuzohej.
Çfarë është kjo ideja se partitë duhet të jenë një grusht i bashkuar në emër të unitetit? Kam zhvilluar debat me Berishën në Kuvend, sepse, sipas këndvështrimit tim, ai përfaqëson këtë model brenda partisë së tij dhe opozitës.
Por nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla, të cilat, më shumë sesa legjitimitet, shprehin arbitraritetin ekstrem të një grupi të vogël njerëzish”, tha Spiropali.
