“Urdhër” bankave: Ndjekje penale kush nuk denoncon bizneset me dy bilance

I zbatueshëm menjëherë: Mashtrimi me bilancet dhe falsifikimi konsiderohet krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, duke bërë që personat në bankë që janë në dijeni dhe nuk i denoncojnë ato, të konsumojnë veprën penale…

Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP) u ka nisur një shkresë të gjitha bankave tregtare në vend, ku u rikujton dhe i “paralajmëron” se në rast se nuk raportojnë rastet kur konstatojnë se subjektet tregtare kanë bilance të dyfishta, oficeri i bankës mban përgjegjësi penale.

DPPP në shkresën e saj e klasifikon veprën e falsifikimit dhe mashtrimit me bilancet si krim fiskal sipas ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, çka bën që personat në bankë që janë në dijeni të rasteve të tilla dhe nuk i denoncojnë ato, të konsumojnë veprën penale.

Në shkresën e drejtuar bankave thuhet: “Megjithëse dihet, gjejmë rastin të ritheksojmë se sipas nenit 12 të ligjit nr.9917, datë 19.05.2008, bankat kanë detyrim të raportojnë në DPPP jo vetëm rastet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, por edhe rastet, kur dyshohet, apo dihet se po kryhet, është kryer apo tentohet të kryhet vendosja/injektimi i fondeve që rrjedhin nga veprimtari kriminale, ndër të cilat janë edhe falsifikimet dhe krimet fiskale, çka esencialisht do të thotë se në asnjë rrethanë banka nuk mund të pranojë të dhëna financiare, të ndryshme nga ato zyrtare, pasi:

– qartazi shkel ligjin .9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, i ndryshuar, duke u bërë palë me skemën mashtruese dhe duke cenuar rëndë detyrimet që rrjedhin nga ky ligj.

-persona të veçantë në bankë mund të konsumojnë veprën penale të parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ”, duke pranuar me dijeni fshehjen, mbulimin e origjinës së paligjshme të të ardhurave, burimit të tyre etj; investimin në veprimtari financiare të fondeve publike të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (së paku që burojnë nga fshehja e të ardhurave, neni 180 i Kodit Penal)”.

Në materialin që u është dërguar bankave jepet një shembull i dy bilanceve që një kompani ka dorëzuar në bankë, ku ka një diferencë prej 11 milionë lekë më shumë të gjendjes monetare të një subjekti në bilancin real (përkatësisht 1.1 milionë lekë në bilancin zyrtar dhe 12 milionë lekë në atë real). Gjithashtu ka diferenca të mëdha në zërat e aktiveve afatgjata (që janë të reduktuara në bilancin real), fryrje të shpenzimeve në bilancin zyrtar dhe diferenca në kapitalin e aksionerëve.

Efektet

Prej vitesh është bërë e zakonshme që bankat tregtare t’u kërkonin subjekteve aplikante për kredi dy bilance, atë zyrtarin që dorëzonin tek tatimet dhe realin që mbanin për vete, ku ky i fundit shërbente në më të shumtën e rasteve si bazë për vendimmarrjen e punonjësve të bankave në miratimin apo jo të huasë.

Bankat kishin rënë dakord që gradualisht deri në vitin 2018, ato të pranonin vetëm bilancet zyrtare, në mënyrë që t’u jepej kohë bizneseve të formalizoheshin dhe bankave që të kishin një gjykim me të qartë mbi aktivitetin real të kompanive.

“Më 1 janar të vitit 2018, bankat do të pranojnë vetëm deklaratën tatimore të bizneseve gjatë procesit të kredidhënies. Nuk do të ketë më pranim bilancesh ilegale dhe t’i përdorin si bilance që përbëjnë bazën e vendimit për të dhënë apo jo kredi”, ka pohuar kryeministri Rama para pak kohësh.

Megjithatë, kjo shkresë drejtuar të gjitha bankave e bën efektive menjëherë detyrimin për të pranuar vetëm bilancet zyrtare të subjekteve që aplikojnë për kredi.

“Kërcënimi” për burg për oficerët e kredisë dhe ndalimi i menjëhershëm i marrjes në konsideratë të bilanceve reale, që mbajnë subjektet, pritet të stepë edhe më tej kredidhënien dhe kërkesën për hua në ekonomi, që dhe pa këto masa ishte tepër e brishtë. Stoku i huasë për ekonominë shënoi rënie në korrik për të dytin muaj radhazi, referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë. Totali i kredisë arriti në 551.6 miliardë lekë në korrik, duke rënë me 0.18% në raport me qershorin. Në shtatë muajt e vitit 2015, huadhënia për ekonominë është rritur vetëm në maj. Ndërsa në raport me dhjetorin 2014, stoku i kredisë ka rënë me 1.5%.

SHKARKO APP