Veliaj: Aplikacioni Tirana ime dhe open data na ndihmojnë të zgjidhim problematikat e qytetit
Bashkia e Tiranës vlerësohet si një nga njësitë vendore që ka shënuar treguesit më të lartë sa i takon transparencës dhe respektimit të së drejtës për informim. Në ceremoninë e prezantimit të gjetjeve të Monitorimit 2017, organizuar nga INFOCIP dhe mbështetur nga The Olof Palme Center dhe Qeveria Suedeze, Kryetari Erion Veliaj mori çmimin për modelin më të mirë që ka implementuar Bashkia e Tiranës duke shënuar rritjen më dinamike nga 2016 në 2017 për implementimin e ligjit 119/2014 në nivel të Qeverisjes Vendore.
Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se krahasuar me dy vite më parë, situate në Bashkinë e Tiranës ka ndryshuar pozitivisht duke siguruar transparencë dhe zgjidhje për qytetarët. “Kur erdha vitin e parë thanë, kryetar suksese, more notën 4 për vlerësimin. Unë sa kisha ardhur në Bashkinë e Tiranës, sigurisht viti ynë i parë, s’punonte faqja e internetit jo më që të ruhej një protokoll për pyetje-përgjigjet, jo më që të mbarohej ndonjë punë, jo më që të ëndërronim që të hapnim një portal opendata që është përtej këtyre 5 karakteristikave që janë vlerësuar, apo një aplikacion si “Tirana Ime” që e ka çuar në një nivel krejt tjetër mënyrën e komunikimit dhe të zgjidhjes së problemit. Ne mund ta kishim harxhuar gjithë këtë energji duke i nxjerrë sytë njëri-tjetrit ose siç bëmë që e shpenzuam këtë energji ku bashkia më skandaloze nga nota 4 ,mori notën 9.9. Duhet të marrim ende 10 por ndoshta kjo do të jetë sfidë për vitin tjetër”, tha Veliaj.
Duke vlerësuar punën e kryer nga stafi i punonjësve të Bashkisë së Tiranës në shërbim të qytetarëve, Veliaj theksoi se vetëm në 6-mujorin e parë ka pasur 55 mijë kontakte të drejtpërdrejta.
“ Vetëm në numrin tonë 0800 0888, që nuk është një nga treguesit që maten, por është një tjetër instrument, kemi vetëm për këtë 6 mujor 4700 ato që ne i quajmë raste. Vetëm nga posta 1663, vetëm nga uebi kemi 50 mijë në javë vizitorë unikë”, tha ai.
Veliaj u shpreh se një standard i ri është vendosur edhe përmes aplikacionit “Tirana Ime”, ku qytetarët mund të raportojnë për çdo problematikë. “Në vit ne kemi 11 mijë raportime dhe zgjidhje të problematikave vetëm nga aplikacioni “Tirana Ime”, që tani ka shtuar edhe opinione si pagesa e parkingut apo edhe të tjera, kjo ishte në 2016. Vetëm në gjysmën e parë të 2017 mbi 5 mijë kërkesa. Do ishim shumë të gatshëm, që platformën që tashmë një bashki e ka bërë dhe e ka testuar, të mund të përdoren falas, edhe nga gjithë bashkitë e tjera”, u shprej Veliaj.
Tirana është dhe qyteti i parë në Shqipëri me një bazë të dhënash për punët publike dhe shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës, në funksion të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve, por edhe menaxhimit më të mirë të kohës dhe parave të taksapaguesve. Kryetari I Bashkisë Veliaj vlerësoi se portali “opendata.tirana.al”, u ofron qytetarëve të dhëna të ndryshme për punët, investimet dhe çdo shërbim që kryhet në qytet. “Unë besoj që me PNUD-in po bëjmë realisht një revolucion, me portalin tonë Open-data.tirana.al. Ne sot jemi në një situatë ku Kryetari i Bashkisë apo kushdo tjetër mund të dikë ekzaktësisht sa fëmijë kanë munguar në çerdhe një muaj më përpara, sa pllaka kemi shtruar, sa metra asfalt, sa pemë janë mbjellë, sa kontrata ujësjellësi janë lidhur, si janë shpenzuar paratë për të kuptuar fare mirë që asnjë prej nesh nuk ka një instrument që pret para në zyrë. Në fakt janë para të taksa-paguesve që meritojnë raportim si janë mbledhur dhe pastaj sigurisht si janë shpenzuar”, theksoi kreu i Bashkisë.
Bashkia e Tiranës është renditur në krye për Programin e Transparencës me 29 nga 30 pikë të mundshme. Nga vlerësimi i ndërmarrë nga INFOCIP në shkallë kombëtare, rezulton se vetëm 24 bashki nga 61 gjithsej kanë të afishuar në faqen zyrtare të internetit regjistrin e pyetje përgjigjeve, ku Bashkia Tiranë e mban dhe e përditëson këtë regjistër online, ndërkohë që vendimet janë të publikuara në një platformë online në faqen e saj zyrtare dhe konsistenca e kontrolli sigurohet përmes VENDIME.AL.