Veliaj: Këtë vit do ndërhyjmë edhe në 50 blloqe të tjera banimi
Dy blloqe të tjera banimi, “Dhimitër Kamarda” dhe “Kristaq Cipo” në lagjen “Ali Demi”, janë rikualifikuar plotësisht nga Bashkia e Tiranës, duke u shndërruar në dy hapësira çlodhëse. Banorët e këtyre dy blloqeve kanë tanimë, jo vetëm rrugë të rikonstruktuara, por edhe më shumë hapësira të gjelbra, kënde lojërash për fëmijë, mjedise sportive, si edhe hapësira për të moshuarit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ndërhyrje të tilla do të shtrihen edhe në 50 blloqe të tjera përgjatë këtij viti. “Do të vazhdojmë edhe këtë vit me 50 blloqe të tilla në gjithë Tiranën, që të sigurohemi që cilësia e jetës nuk ndryshon vetëm në qendër, se njerëzit sigurisht kanë nevojë për sheshin “Skënderbej”, por kanë nevojë edhe për sheshin e lagjes; kanë nevojë për Bulevardin e Ri, por kanë nevojë edhe për rrugicat e lagjes. Vetëm duke i balancuar investimet madhore me investimet në komunitet, nëpër lagje dhe nëpër blloqe banimi, mund të kemi realisht Tiranën që ëndërrojmë”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se ndërhyrja në këto dy hapësira banimi është shembulli se si mund të transformohet një bllok i tërë. “Jam shumë entuziast sot që mbyllim brenda pak muajve një investim fantastik për njësinë nr. 1. Tashmë i kemi dhënë shembujt me 50 lagjet që bëmë vitin e kaluar, por ky është shembulli i parë në këtë lagje se si mund të transformohet një bllok i tërë. Nga një bllok i cili, mbaj mend kur filluam punimet, ishte mbushur me baltë, me ujë dhe kishte dalë jashtë çdo funksioni çdo hapësirë publike, edhe ajo që nuk ishte zaptuar kishte degjeneruar, kurse pjesa tjetër ishte rrethuar me gardhe, me kangjella”, tha Veliaj.
Duke e cilësuar investimin si një model të punës së Bashkisë së Tiranës, Veliaj falenderoi komunitetin për bashkëpunimin në lirimin e hapësirave të zëna. “Sot kemi pasur jo vetëm një investim model, por edhe një sjellje model të komunitetit, një bashkëpunim fantastik, ku secili ka tërhequr gardhin e vet, murin, ka tërhequr hapësirën e zënë për t’ia kthyer publikut”, u shpreh ai, ndërsa u bëri apel banorëve që të kujdesen për hapësirat e përbashkëta, si e vetmja mundësi për të garantuar jetëgjatësinë e këtyre investimeve.
“Shikoni sa bukur duket sot, por që kjo të vazhdojë është shumë e rëndësishme qe t’i ruajmë investimet. Ndaj, u kërkoj të gjithë banorëve që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të bëjmë çmos që t’i ruajmë. Këto kosha, pemë, ky ndriçim, kanalizimet janë bërë me taksat e publikut, nuk janë bërë vetëm me një fond të bashkisë. Fondet e bashkisë vijnë nga paratë që jep publiku, ndaj besoj që vetëm kur secili ta ruante sikur ta kishte të vetën pronën publike, sigurohemi që ka një jetë të gjatë”, u shpreh Veliaj.
Ndërhyrja në këto dy blloqe, përveç lirimit të hapësirave të zëna pa leje, ka të bëjë edhe me ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve të ujërave të bardha, bordurave, trotuareve, pajisjen e rrugëve me ndriçim si dhe me gjithë sinjalistikën e nevojshme rrugore.