Veliaj në shkollën e Shëngjergjit: Investojmë njësoj, si në qendër edhe në periferi
Rreth 300 nxënësit që studiojnë në Shkollën e Bashkuar në Verri të Shëngjergjit do të kenë shumë shpejt mjedise më të mira sportive, të cilat jashtë orëve të mësimit mund të shfrytëzohen edhe nga komuniteti. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefalia, inspektoi punimet që po realizohen për ambientet e reja sportive në këtë shkollë, ku theksoi se Bashkia e Tiranës ka si prioritet të sajin edhe investimet në zonat rurale, në mënyrë që kushtet të jenë të njëjta si në qytet, ashtu edhe në fshat.
“Edhe pse është fundjavë pashke, dhe ju uroj të gjithëve gëzuar, për Bashkinë e Tiranës koha ikën aq shpejt, sa duhet të shfrytëzojmë edhe ditët pushimit. Po nxitojmë të mbyllim brenda afatit një mujor të gjitha punimet në tre fushat e reja që kemi këtu në Shëngjergj. Besojmë se engjëjt e Tiranës, me talentin e tyre, janë të vlefshëm për qytetin dhe për vendin tonë. Kjo do të thotë se 300 fëmijët që studiojnë në këtë shkollë meritojnë të kenë të gjitha kushtet, të njëjtat terrene me cilësi, siç i kanë shkollat në ish Bllok, brenda Unazës së Tiranës apo edhe ato të rejat që po bëjmë në zona të tjera”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se ky është një standard që respektohet njësoj si në qendër të Tiranës, ashtu edhe në Shëngjergj, një nga njësitë më të thella të kryeqytetit. “Tirana është bërë e stërmadhe. Sot jemi në një zonë që është më afër Librazhdit se sa qendrës së Tiranës, dje ishim në një zonë që ishte më afër Krujës se sa qendrës së Tiranës. Parimi është: në Tiranë ecim vetëm marshin e pestë. Nuk kemi një Tiranë, e cila ecën shpejt në qendër dhe më ngadalë në periferi. Besoj se strategjia jonë është balancimi i investimeve”, tha ai, duke shtuar se krahas investimeve me ritëm të shpejtë në qendër, do të vijojë paralelisht puna për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale që deri dje kanë qenë të harruara.
“Në një vit e gjysmë punë i kemi dhënë Tiranës, jo vetëm të njëjtën shpejtësi, por edhe të njëjtën cilësi, duke bërë balancimin e investimeve, që askush të mos ndihet i disavantazhuar që u bë pjesë e Bashkisë së madhe të Tiranës, por e kundërta është e vërtetë. Harxhojmë financa, miliona euro për rrugë rurale, për investime në fshat, të cilat në buxhetin e vjetër të komunave do të ishin një mision absolutisht i pamundur”, tha Veliaj. Ai deklaroi se falë investimeve për shtimin e terreneve sportive dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore, brenda një viti rinia është kthyer drejt sportit dhe aktiviteteve kulturore.
Duke siguruar qytetarët se Bashkia e Tiranës do të vijojë me të njëjtin ritëm investimesh deri në fund të mandatit, Veliaj nënvizoi rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit edhe me pushtetin qendror, si e vetmja garanci për transformimin e kryeqytetit. “Do të vazhdojmë me këtë frymë deri në fund të mandatit. Njerëzit duhet të kuptojnë se fati i investimeve të bashkisë është i lidhur me atë të qeverisë. Ndaj, në datën 18 qershor do vazhdojmë në të njëjtin drejtim, me Edi Ramën kryeministër dhe me PS-në në krye të punëve të vendit. Ndërsa ne sigurohemi që çdo ditë bëjmë nga një punë konkrete për Tiranën sepse është garancia e vetme se si transformohet i gjithë qyteti”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia falenderuar Bashkinë e Tiranës për kujdesin që po tregon për zonat më të largëta, duke theksuar se me anë të këtyre investimeve po u krijon mundësi të rinjve që të ndihen njësojë si bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë. “Bashkia po vrapon; dje ishim në kufi me Krujën, sot jemi në një ekstrem tjetër të Tiranës në kufi me Librazhdin dhe Elbasanin. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe doja t’ju përcillja falenderimet e prindërve të 300 nxënësve, të cilët e falenderojnë Bashkinë e Tiranës, që më në fund edhe ata do të jenë njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre në qendër. Një kompleks sportiv që do t’iu shërbejë jo vetëm për edukimin fizik, por edhe për edukimin e përgjithshëm të tyre”, tha deputeti Qefalia.
Krijimi i hapësirave të reja sportive në shkollën e Mesme Verri parashikon ndërtimin e ambiente të reja sportive: një fushë futbolli e shtruar me tapet, një fushë basketbolli, një fushë volejbolli, si dhe ndërtimin e dy pistave, njëra për vrap dhe tjetra për kërcim së gjati. Gjithashtu, projekti parashikon dhe ndërtimin e një këndi gjimnastikor për ushtrime të forcës fizike, si dhe ambiente të reja sanitare për nxënësit dhe mësuesit.