Veliaj: Puna flet më shumë se bllokimi

Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e këndit të 14 të lojërave dhe sheshit rekreativ në Njësinë 5, investim i cili vjen nga kompania “Tring” dhe përfshin module të ndryshme lojërash, ndriçim dhe gjelbërim të zonës. Ky shesh do të shërbejë jo vetëm për argëtimin e fëmijëve, por edhe si një hapësirë çlodhëse për të gjitha grupmoshat.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Pandeli Majko, siguroi se këndi i ri do të përfundojë shumë shpejt, para se fëmijët të fillojnë pushimet e verës. “Ky do të jetë një ambient çlodhës shumë më cilësor se sa hapësira që kemi sot. Kjo është edhe një nga zonat ku investimi ka më shumë duk sepse njerëzit janë më të kujdesshëm, paguajnë taksat, paguajnë faturat dhe detyrimet e tjera”, tha Veliaj.

 Ai deklaroi se krahas këtyre investimeve, Bashkia do të vijojë punën edhe për realizimin e projekteve madhore, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm jo vetëm infrastrukturën, por edhe shërbimin ndaj qytetarëve. “Investimet madhore siç kanë qenë rruga e “Kosovarëve”, blloqet e banimit në “Selitë”, apo së shpejti hapja e Komunës së Parisit nga rr. “Medar Shtylla”, janë sfidat tona për këtë vit. Shumë shpejt do të përurojmë edhe Parkun Olimpik. Ky është këndi i 14-të i lojërave, pas atij të Liqenit. Ende nuk është mbushur viti nga 1 Qershori, kur patëm një debat dhe një sërë protestash pa kuptim, ndaj mendoj se është më mirë që të flasë puna se sa fjalët, debatet apo histeria kolektive”, u shpreh ai.

 Kryebashkiaku i Tiranës komentoi bllokimin e disa rrugëve kryesore të kryeqytetit, çka solli vështirësi për qytetarët. “Edhe në një ditë si kjo e sotmja, kur patëm bllokim rrugësh, njerëzit duhet të kuptojnë se një orë e bllokuar në Tiranë, janë disa milionë euro shpenzime të qytetit, në shërbime të munguara në transport, në punë të pambaruara. Uroj që ata që e kishin në dorë për ta bërë Tiranën me të gjithë këto investime për 4 vjet, të kuptojnë se duke e bllokuar, thjesht u kujtojnë njerëzve se si e bllokuan 4 vjet me gjumin në Bashki, ndërkohë që shumë prej këtyre punëve mund të ishin bërë përpara 4 viteve”, tha ai.

 Veliaj shtoi sot qytetarët e kanë kuptuar se situata në kryeqytet ka ndryshuar tërësisht gjatë këtyre dy viteve dhe se pavarësisht bllokimit të rrugëve, fokusi i punonjësve të bashkisë ka qenë puna dhe ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve.

 “Sot jemi dita me natën me Tiranën që gjetëm. Kemi ende shumë për të bërë, por kemi ende shumë për të humbur nëse rikthehemi te epoka e bllokimit dhe e gjumit, dhe jo te epoka e punës dhe investimeve. Ndaj dua të përgëzoj të gjithë kolegët që pavarësisht rrethanave, bllokimit të disa rrugëve, apo edhe të bulevardit, e kanë pasur fokusin te puna. Nëse i pyesim prindërit shqiptarë, pavarësisht nëse janë të majtë apo të djathtë, ata parapëlqejnë më shumë që njerëzit që janë në krye të vendit të ndërtojnë më shumë lodra për fëmijët e tyre dhe të lënë lodrat për politikën e madhe”, tha Veliaj.

SHKARKO APP