Veliaj: Turizmi është e ardhmja e Tiranës
Qyteti i Tiranës është shndërruar në një nga destinacionet kryesore të turistëve vendas dhe të huaj, duke ofruar një larmishmëri vendesh tërheqëse dhe infrastrukturë më të mirë. Në ditën ndërkombëtare të Turizmit, Bashkia e Tiranës çeli një qendër të re informacioni për të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë kryeqytetin, duke ofruar të dhëna rreth transportit publik, operatorëve turistikë, guidave, si dhe aktiviteteve të shumta kulturore dhe sportive.
Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vuri në dukje rëndësinë gjithnjë e më të madhe që po merr turizmi për zhvillimin ekonomik të Tiranës. “Jam shumë i lumtur sot që në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit hapim një Info-Point, një qendër informacioni të fokusuar tek turistët për qytetin e Tiranës, këtu në kilometrin zero, në sheshin “Skënderbej”. Besojmë gjithnjë e më shumë se turizmi do të jetë një mënyrë se si do të funksionojë ekonomia e Tiranës. Tirana, përveç se është epiqendra e artit, kulturës, ekonomisë, financës, arsimit dhe universiteteve, është pa dyshim edhe destinacioni primar turistik, përpara se turistët të shkojnë e të eksplorojnë pjesë të tjera të Shqipërisë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se turizmi në kryeqytet është rritur me 2.5 herë, duke sjellë një impakt tepër pozitiv edhe në ekonomi. Duke e cilësuar turizmin si të ardhmen e qytetit, Veliaj theksoi se ky sektor po kthehet në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në Tiranë. “Jemi në rrugë të mbarë. Besoj që në kilometrin zero, pasja e kësaj qendre informacioni do të jetë edhe stacioni i parë për të gjithë turistët që vijnë në Tiranë, si një mënyrë për ta parë turizmin, jo vetëm si instrument për të shfaqur dhe për t’u ndierë krenarë me atë që ofron Tirana, por edhe si mënyrë për të bërë para për ekonominë lokale. Sot, njerëzit që janë punësuar nga rritja 2 herë e gjysmë e turizmit numërohen duke filluar nga sektori i kuzhinës, i shërbimeve, tek hoteleria, guidat turistike etj. Po kthehet në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qytet dhe besoj se kjo është e ardhmja e Tiranës, pastaj edhe e gjithë Shqipërisë”, deklaroi ai.
Kreu i Bashkisë u shpreh se falë investimeve të realizuara në këto dy vite, kryeqyteti u garanton turistëve atraksione të shumta, ku ndërthuret mjaft bukur e shkuara dhe vizioni modern i Tiranës së të ardhmes. “Këtu, në kilometrin zero, kemi një dendësi të jashtëzakonshme të aktiviteteve që ndodhin në Tiranë, duke filluar nga turizmi religjioz, mes kishave e xhamive, turizmi i kulturës, midis Operas dhe Teatrit, duke filluar nga turistët që kanë kuriozitet për të kaluarën tonë komuniste, si Shtëpia e Gjetheve dhe Bunk’Arti. Besoj se vetëm oferta përreth sheshit “Skënderbej” është mjaftueshëm për të kaluar një, dy apo tre ditë shumë të bukura në Tiranë, le më tepër pastaj distancat e tjera të afërta, duke filluar nga Pazari i Ri apo parku i liqenit”, deklaroi ai.
Krahas sheshit “Skënderbej”, që është pikënisja e të gjithë itinerareve brenda qytetit të Tiranës, zyra e re Info-Point do të japë informacione të bollshme edhe për aktivitetet e shumta dhe pasuritë natyrore që ofrojnë zonat rurale, të cilat tashmë i janë bashkëngjitur territorit që administron Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se transformimi që po ndodh në këto zona, i ka dhënë më shumë jetë dhe ka përmirësuar ekonomitë e këtyre komuniteteve. “Kemi zbuluar e përshtatur shumë destinacione që më parë kanë qenë të paarritshme për qytetarët, duke filluar nga Shpella e Pëllumbasit, që sapo u modernizua e gjithë infrastruktura, u trajnua stafi, fshati është gjithashtu më i hapur për turistët që duan të kalojnë një mbrëmje apo të vizitojnë shpellën, ndërkohë që shumë zona të tjera rurale, duke filluar nga Shën Gjergji, Petrela, Dajti dhe zona të tjera bujqësore, kanë marrë më shumë jetë”, nënvizoi Veliaj.
Zyra e re e Inf Point ofron informacione për Tiranën përmes broshurave, fletëpalosjeve, hartave të reja, si dhe informacionit të specialistëve të turizmit për këdo që do të kalojë disa ditë fantastike në kryeqytet dhe të shijojë jetën kulturore dhe artin e kulinarisë.