Veprimet e qeverisë duhet të jenë më të përgjegjshme
Nga Sadedin Çeliku
Qeveria e re e sapo dalë po qeveris me dy standarde, ku njëra i përket llafeve dhe tjetra interesave të ngushta. Fatkeqësisht po shikojmë se ka mungesë të theksuar transparence dhe përgjegjëshmërie në veprimet e qeverisë. Edhe pse dialogohet me publikun në rrjetet sociale përsëri na habisin disa vendime që bien ndesh me ligjin e kodin moral. Duke ju referuar strategjisë së menaxhimit të financave publike 2014-2017, gjykoj se kemi të bëjmë me një material teorik e cila s’mendoj se do të realizohet. Në koherencën për shtyp të Ministrit Financave përpara gazetarëve ndër të tjera na u tha se do ulim borxhin publik me dy përqind ç’ka duket se është lajm i mirë, por ai nuk na tha specifikisht se si do ta ulë atë. Nuk e di se çfarë metodologjie kanë përdorur ustallarët për shkak se shpesh ndodh që politikat fiskale apo politikat e zhvillimit në tërësi tek ne na e bëjnë ose partitë politike ose ata që nuk kanë lidhje me profesionin. Pra puna informale dhe informaliteti fillon këtu.
Dihet se ulja e borxhit krahas masave të tjera, ndër më kryesoret është ulja e shpenzimeve qeveritare. Qysh në fillim dua të bëj me dije se organigrama e qeverisë ka gjasa të jetë nga më të mëdhatë e gjithë kohërave dhe jo siç pretendohet, e kësisoj nuk ka shans ta kenë dhe vende të mëdha. Vërtet ka 11 ministri por ju ka vënë ministrave plot 33 zëvendës ose 3-4 për çdo ministri pa llogaritur se strukturimi i ministrive, i drejtorive të përgjithshme, agjencive dhe institucioneve që njehsohen me to, ka gjasa të rrisin shpenzimet. Meqenëse duket kështu, dua të bëj me dije se disa nga departamentet e shtetit (ministrive) në SHBA kanë nga katër ndihmëssekretarë (zëvendesministra ) dhe jo më shumë. Të kuptohemi se ata janë plot 301 milionë banorë dhe me një sipërfaqe prej rreth 10 milionë Km2.
Meqenëse ndodh kështu kemi të drejtë të mendojmë se ministrat tanë të nderuar “janë shumë punëtorë e mjaft të zot, dhe zëvendësit e tyre për shkak të numrit të pazot. Mbetet për tu parë se si do të na dalë nusja, a do përdoren çartura zotërinjtë si dhe mandatin tjetër, makina pa kriter e për punë personale por dhe shpenzimet pritje-përcjellje. Çelësi tjetër i uljes borxhit është rritja e të ardhurave jo përmes rritjes taksave por përmes luftës kundër informalitetit kryesisht të kompanive të mëdha të cilat fshehin të ardhurat, fitimin neto dhe rrisin shpenzimet e biznesit artificialisht. Vërejmë se kompani të mëdha sponsorizojnë koncerte e spektakle pa vlera artistike që mbushin ekranet kot, por bëjnë një punë të madhe se shtetin e mbajnë nën presion duke mos ju dhënë hakun. Pra vëmendja duhet atje ku janë paratë dhe jo tek biznesi vogël. Nuk nxirret dhjamë nga pleshti. Për mua personalisht duhet rishikuar ligji sponsorizimeve se ka mjaft vend për ta riparë. Nuk mund të ketë qëndrueshmëri fiskale dhe rritje të ardhurash në progresion pa luftuar ata që u bënë milarderë me fondet publike por dhe duke fshehur të ardhurat reale.
Gjatë mandatit “Rama 1” u desh protesta e shoqërisë civile e mbështetur fuqimisht nga populli që u anulua vendimi për demontimin e armëve kimike, më pas na doli importit plehrave ose siç e quajnë njerëzit modern mbetjet e ngurta që gjithashtu pasi mbyti Fierin dhe disa zona të tjera u anulua nga presioni publik. Kohët fundit sikur të mos mjaftonte konçensionimi i monumenteve dhe kalave kanë filluar të godasin ashpër kulturën, sektori më delikat që lidhet me historinë dhe identitetin tonë kombëtar. U desh të sesnsibilizonte media që zonja Kumbaro të shkonte tek varri i Skënderbeut në Lezhë sepse nuk na e ditka gjendjen e situatën e monumenteve. Tani po ballafaqohemi me sulme të tjera në bllok kundra kulturës. U shmang me vendim gjykate ndërtimi mbi murin e zbuluar bizantin në punimet e sheshit Veleria në Durrës sepse qeveria heshti përballë kësaj katastrofe. U shkatërrua Vjosa sepse vijojnë me intensitet licencat e hidrocentraleve. Ekspertët europianë japin alarmin për mbrojtjen e Vjosës ne bëjmë të kundërtën. Situatë tjetër e ngjashme na paraqitet në Valbonë atje ku ka nisur të rritet turizmi malor që deri dje se kishim ëndërruar. Ndërtohet në Butrint dhe në vendngjarje nuk lejohet as miza të hyjë dhe jo më gazetarët. Drejtoresha e qendrës trashëgimisë botërore në UNESCO deklaron se nuk është konsultuar askush me to, ndërsa zonja Kumbaro mohon se atje po ndërtohet. Tjetër qëndrim, preukupacion e alarm qeveritar që përfaqëson standard tjetër mbahet për ndërtimin që bëhet në Grykën e Këlcyrës madje kërkohet dhe hetim se çfarë ndodh atje.
Pra më duket se ka mungesë përgjegjësie në zbatimin e ligjit dhe politikave sa i takon mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë dhe vlerave tona kulturore që në thelb ka të bëjë me identitetin tonë kombëtare. Kur bëhet fjalë për këtë thesar politika duhet të jetë unike ndryshe shqiptarët do ç’bëhen dhe do të ngelen pa identitet dhe fajin nuk na e ka askush.