VIDEO/ Nisma e qeverisë për çmimet, Tabaku: Ulni taksat, frenoni monopolet dhe mbështesni bujqësinë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me tone kritike ndaj nismës së qeverisë për transparencën e çmimeve, duke e cilësuar atë të pamjaftueshme përballë kostos së lartë të jetesës dhe problematikave që prekin ekonominë shqiptare. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku argumenton se qytetarët nuk kanë nevojë për udhëzime se ku mund të blejnë më lirë fruta apo perime, por për masa që adresojnë shkaqet e rritjes së çmimeve.
Sipas saj, diferenca e çmimeve të produkteve ushqimore me vendet e rajonit është tashmë një problem konkret, ndërsa qeveria, në vend që të ndërhyjë me politika ekonomike, po ia delegon konsumatorit përgjegjësinë për të kërkuar alternativën më të lirë. “Qytetarët nuk kanë nevojë për ministrat që t’u tregojnë se në cilin treg duhet të shkojnë. Sot kanë nevojë për politika konkrete”, shprehet Tabaku.
Një tjetër pikë e ngritur prej saj lidhet me kostot e prodhimit. Deputetja kërkon ndërhyrje për uljen e shpenzimeve që rëndojnë mbi fermerët dhe prodhuesit vendas, veçanërisht kostot e karburantit, të cilat ndikojnë si në prodhim, ashtu edhe në transportin e produkteve. Tabaku e sheh zgjidhjen edhe te forcimi i konkurrencës në treg. Ajo kërkon masa kundër monopoleve dhe oligopoleve, duke argumentuar se përqendrimi i tregjeve tek pak aktorë ndikon drejtpërdrejt në formimin e çmimeve.
Kritikat e saj prekin edhe vetë konceptin e “transparencës” së promovuar nga qeveria. Sipas Tabakut, transparenca nuk duhet të kufizohet te çmimet e produkteve në tregje, por duhet të shtrihet edhe te mënyra se si administrohen paratë publike. Në këtë kuadër, ajo i referohet kontratave koncesionare, PPP-ve, ligjeve që i konsideron të hartuara në favor të interesave të caktuara dhe faljeve të taksave, duke i cilësuar këto si çështje që meritojnë transparencë publike.
Në thelb të reagimit të saj është kërkesa që rritja e çmimeve të mos trajtohet thjesht si një problem i konsumatorit. Sipas Tabakut, përgjegjësia e qeverisë është të krijojë politika që nxisin prodhimin vendas, ulin kostot e biznesit dhe fermerëve dhe garantojnë një treg më konkurrues për qytetarët.
KOHA JONË SONDAZH

