VIDEO/ Vijnë informacionet e para pas publikimit të pamjeve të vrasësit të Artan Cukut
Pas bërjes publike të pamjeve të autorit të dyshuar si vrasësi i Artan Cukut, në drejtim të policisë kanë mbërritur dhjetëra telefonata. Mes këtyre telefonatave janë edhe disa qytetarë të cilët kanë thënë se kanë informacion për personin që shfaqet në videon e policisë dhe i cili dyshohet se është vrasësi i ish-Komisarit.
Burime nga Policia bëjnë me dije se disa nga informacionet që kanë dhënë qytetarët mund të çojnë në identifikimin e autorit, kjo për faktin se po mbahen në vëzhgim disa persona të cilët ngjajnë me autorin e dyshuar të vrasjes.
Të njëjtat burime theksojnë se grupi hetimor po bie në gjurmë të këtij personi, por ende nuk është bërë arrestimi i tij. Policia e Shtetit ka vendosur 10 milionë lekë të reja shpërblim për këdo që jep informacion për arrestimin e autorit, ndërkohë që thotë se do të ruajë anonimatin e çdokujt.
Grupi hetimor thotë se në vrasjen e Artan Cukut kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë, për vet faktin se ai e ka studiuar mirë gjithë zonën, ndërkohë që e ka mbajtur kokën ulur që fytyra të mos i kapet nga kamerat e sigurisë.
Në të dyja video e publikuara nga Policia, vrasësi i ish-komisarit mban një kapele në kokë dhe mendohet se e ka studiuar zonën disa muaj më parë. Gjithashtu dyshohet se ka qenë një person i dytë i cili e ka ndihmuar. Kjo për arsye se dallohet qartë se personi që qëlloi 4 herë në drejtim të Artan Cukut nuk i ka pasur të dyja armët me vete dhe mendohet se ka qenë dikush tjetër që i ka marrë armët më pas.
Personi i dytë dyshohet se është larguar me biçikletë nga pallati në Rrugën e Kosovarëve ku u vra Artan Cuku, por edhe në këtë rast grupi hetimor nuk ka gjetur ende asnjë provë, që mund të çojë në identifikimin e tij. Vrasja e ish drejtorit të Policisë së Vlorës mbrëmjen e 8 prillit, sipas hetuesve, ka lidhje me funksionet që ka kryer Artan Cuku kur ishte në Polici, por edhe për punën që bënte në një kompani private të sigurisë.
/Marre nga Syri.net