Vjosa Osmani: Kurti u zotua për vijimin e bashkëpunimit, më ka cilësuar si presidentja më e mirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ftuar në ”Çim Peka Live”, ka treguar më shumë për situatën politike në Prishtinë. Ajo u shpreh se dekreti për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare si pasojë e seancave të dështuara për gjetjen e kandidatëve për Presidentin e ri të vendit. Osmani tha se para zgjedhjeve të shkurtit, Kurti e ka cilësuar atë si presidentja më e mirë, u shpreh Osmani, e cila më pas tregoi se pas zgjedhjeve ai nuk e përkrahu emrin e saj si kandidate për President të vendit.
”Unë kam qenë e bindur deri në momentin e fundit, pajtim për cilindo emër. Dhe ju e dini, kanë qarkulluar emra të ndryshëm, kryesisht nga parti të caktuara, mirëpo në asnjë moment nuk kam ndërhyrë, nuk kam dalë publikisht, sepse për mua ka qenë e rëndësishme që të kem mundësi që një presidenti të ri t’ia bart detyrën dhe këtë ja kam përcjellur edhe Lëvizjes Vetëvendosje që unë jam gati që jo vetëm t’ia bart detyrën presidentit të ri, këdo që ata e zgjedhin, por në të njëjtën kohë të jem kontakt i atij presidenti edhe për muaj e vite të tëra, t’i bart kontaktet, t’i bart të gjitha mundësitë të cilat i kemi ndërtuar bashkë me ekipin tim gjatë këtyre pesë viteve në presidencë dhe të sigurohemi që projektet e rëndësishme që kanë filluar në mbështetje të Kosovës, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’ia bartim presidentit të ri.
Pra, të jem në dispozicion të plotë të presidentit të ri, kushdo që do të jetë ai. Kjo ka qenë ajo çfarë kam ofruar unë. E nesërmja, do të thotë, e nesërmja ka qenë nga mesnata në fakt, detyrim kushtetues i cilitdo president që të nxjerrë dekret. Arsyeja e vetme pse unë kam dalur në mëngjes ka qenë sepse ne kemi pasur të paralajmëruar vizitën në familjen Jashari dhe është dashur që të nisem nga Prishtina në orën 9:00 të mëngjesit, prandaj edhe kam dalë në konferencë rreth orës 8:45, sepse pastaj gjatë tërë ditës unë nuk do të kisha mundësi që të shpalos para popullit të Kosovës arsyet e këtij vendimi, i cili po e përsëris, nuk ka qenë i imi.
Është thjesht pasojë, është thjesht formalizim i një pasoje që e ka shkaktuar fatkeqësisht kuvendi. Dhe kemi ardhur në fakt në këtë situatë pa asnjë nevojë. Unë jam e bindur që kjo do të tejkalohej, por megjithatë tash jemi në një situatë krejtësisht tjetër. Por ju e thatë me të drejtë. Në qoftë se vërtet do ta bëja një akt të tillë nga interesi personal, mua shumë më shumë do të më përshtatej sikur t’i kisha 60 ditë shtesë për të biseduar sërish me partitë politike duke filluar nga partia më e madhe, apo të shtyheshin zgjedhjet pafundësisht që unë, në qoftë se e kisha pasur për qëllim të marr pjesë në proces zgjedhor, të kisha kohë të përgatitesha, të ndërtoja struktura. Pra, në asnjë mënyrë mua nuk më është përshtatur një proces zgjedhor në këtë moment. Njeriu i fundit të cilit do t’i shkonte në interes personal një dekret i tillë, jam unë. Dhe cilido që mendon me kokë të ftohtë, cilido që mendon racionalisht, do ta kuptojë kështu”, tha Osmani ndër të tjera në SYRI TV.
KOHA JONË SONDAZH

