Vrasja e dytë e Enver Hadrit
Nga Enver Robelli
Një mafioz serb, i dyshuar për vrasjen e Enver Hadrit, aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, pasi është kapur nga policia kroate, ka arritur të humbë pa gjurmë në Split. Për këtë skandal po hesht Qeveria e Kroacisë, po aq sa edhe ajo e Kosovës
Enver Hadri kishte një ideal. Ai ideal quhej një Kosovë e lirë dhe e pavarur, e cila banorëve të saj u garanton mirëqenie dhe jetë me dinjitet. Ai ishte i vetëdijshëm se ky ideal s’mund të realizohej pa informimin e opinionit botëror mbi përmasën e shkeljes së të drejtave të njeriut në Kosovë nga regjimi jugosllav dhe serb. Për këtë qëllim Hadri themeloi në Bruksel një komitet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Dhe për këtë qëllim ai bashkëpunoi me shumë aktivistë evropianë për të drejtat e njeriut dhe politikanë në kryeqytetin e Belgjikës. Hadri jetonte në Bruksel që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë. Ai e njihte mirë gjuhën frënge dhe ishte integruar në shoqërinë belge – një përparësi e madhe në krahasim me aktivistë të tjerë, të cilët veprimtari kombëtare e quanin edhe fabrikimin e intrigave brenda diasporës.
Ditën e diel të 25 shkurtit 1990, rreth orës 16:30, rrugëtimi i Enver Hadrit mori fund. Derisa Hadri, i cili drejtonte një veturë të markës “Opel”, në një rrugë në Bruksel po priste hapjen e semaforit për të vazhduar udhëtimin, atij iu afrua një automjet i markës “Golf”. Një pasagjer hapi dritaren, nxori një armë me shurdhues dhe qëlloi dy herë Hadrin. Rreth tri orë më vonë Hadri do të vdiste në spitalin “Saint-Pierre” të Brukselit. Vrasësi profesionist e kishte qëlluar drejtpërdrejt në kokë.
Janë përmendur në mediume dhe nga autoritetet belge tre persona, të cilët mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e Enver Hadrit. Ata janë: Andrija Lakoniq, Veselin Vukotiq dhe Darko Ashanin. Që të tre rrjedhin nga bota gjysmështetërore e krimit të organizuar jugosllav. Sidomos në vitet ‘70 dhe ‘80 Shërbimi sekret i diktatorit Josip Broz Tito kishte intensifikuar luftën kundër kundërshtarëve politikë në diasporën kroate dhe atë shqiptare.
Autoritetet gjermane supozojnë se Shërbimi sekret jugosllav ka vrarë rreth 70 emigrantë në disa vende perëndimore. Së paku 13 raste të këtij kapitulli të përgjakshëm nuk janë mbyllur ende nga drejtësia gjermane. Aktualisht në Mynih gjenden para gjyqit dy udbashë kroatë, të cilët akuzohen për eliminimin e disidentit Stjepan Gjurekoviq.
Ndërkohë drejtësia belge po e kërkon Andrija Drashkoviqin, një bashibozuk i nëntokës ballkanike, të cilin gazeta kroate “Jutarnji list” në një portret e përshkruan si “sharmant, të rrezikshëm dhe të pasur”. Drashkoviqi, babai i të cili ka punuar në kombinatin “Trepça”, dyshohet po ashtu për pjesëmarrje në vrasjen e Enver Hadrit.
Në fund të qershorit Andrija Drashkoviq u arrestua në Aeroportin e Splitit. Sipas mediumeve kroate të etura për rrëfime sensacionale, ai kishte ardhur në Kroaci me avion privat, kishte shijuar jetën nëpër bregdetin dhe ishujt kroatë dhe përmes Aeroportit të Splitit planifikonte të kthehej në Beograd. Pak pas arrestimit Drashkoviq u lirua me kaucion prej 100 mijë eurosh.
Ai u urdhërua të qëndronte në një hotel në Split. “Drashkoviqit i është marrë pasaporta, ai nuk guxon ta braktisë Splitin, e gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të ekstradohet në Belgjikë”, kishte deklaruar gjykatësi Damir Romac.
Nga mesi i javës së kaluar Drashkoviqi duhej të ekstradohej në Belgjikë. Dhe sërish foli gjykatësi Romac: “I kemi telefonuar Drashkoviqit në apartamentin ku ishte i vendosur, por ai nuk është lajmëruar”.
Me sa duket Kroacia me këtë deklaratë qesharake të një gjykatësi nga Spliti dëshiron ta mbyllë këtë kapitull. Kjo është skandaloze, sepse si vend i anëtarësuar së fundi në Bashkimin Evropian, Kroacia duhet të jetë shembull edhe për shtetet e rajonit sa i përket sundimit të ligjit. Pas zhdukjes së Drashkoviqit nga hoteli në Split, Qeveria e Kroacisë ka heshtur. Kësaj heshtjeje i është bashkuar edhe Qeveria e Kosovës.
Nuk e ka përshëndetur as ndalimin e Drashkoviqit më 24 qershor në Split, por as nuk ka shprehur shqetësim për ikjen e tij tejet të diskutueshme. Autoritetet në Kosovë e kanë shpallur Enver Hadrin hero, disa rrugë në Kosovë bartin emrin e tij, në Pejë i është vendosur një bust. Të shpallësh hero një veprimtar është ndoshta puna më e lehtë, por të respektosh idealet e tij dhe të angazhohesh për zbulimin e vrasësve të tij është detyrë e përhershme e një qeverie. Me po aq indiferencë sa rastin e atentatit ndaj Hadrit, autoritetet në Kosovë e kanë shikuar edhe vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës afër Stuttgartit.
Derisa pala gjermane ende zhvillon hetime dhe përpiqet t’i gjejë vrasësit e tyre, drejtësia në Kosovë nuk ka dhënë kurrë detaje se kush qëndron, ta zëmë, pas vrasjes së Selim Broshës, një punëtori të Shërbimit sekret jugosllav, i cili mund të ketë qenë njëri prej atyre që përmes vëzhgimit të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës hapën rrugën për kryerjen e atentatit.
Enver Hadri u vra së pari në vitin 1990. Për herë të dytë ai simbolikisht po vritet në vitin 2015 – me heshtje dhe injorim të fatit të tij tragjik. Kjo sjellje e qeveritarëve të Kosovës tregon – sërish – mungesën e madhe të respektit për viktimat e terrorit komunist jugosllav. Ndërkohë, derisa qeveritë në Prishtinë dhe Zagreb heshtin, mediumet serbe triumfojnë.
Gazeta “Veçernje novosti” shkruan se Drashkoviqi mund të ketë ikur “me amin të kroatëve”, sepse ai në Kroaci “ka miq të shumtë me ndikim”. Po kjo gazetë e citon edhe një herë gjykatësin Damir Romac, i cili do ta meritonte çmimin për budallallëk nëse një i tillë do të ekzistonte për fushën e drejtësisë: Romac thotë se Drashkoviqi nuk kishte dhënë ndonjë shenjë se po planifikonte të ikte. Një i dyshuar për vrasje që do të jepte shenja se do të arratisej nuk do të ishte profesionist në veprimtarinë e tij mafioze.
Drashkoviqi është kalibër tjetër dhe këtë autoritetet kroate e kanë ditur mirë. Edhe për figurën e Enver Hadrit nuk mungojnë informacione në Kroaci. Në festivalin e filmit dokumentar “Zagrebdox” më 2013 ishte shfaqur filmi “Meet Enver Hadri”, në të cilin tregohej rruga jetësore e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut. Marrë nga Koha.net