Zbulimi që rishkroi historinë njerëzore
Nga Pallab Ghosh, BBC
Zbulimi i disa specieve të vogla njerëzore 10 vjet më parë ka transformuar teoritë për evolucionin njerëzor. Një pretendim i tillë vjen nga profesor Richard Roberts, që ishte mes atyre që ka publikuar detaje për “Hobbit”-ët. Kjo specie mendohet se ka jetuar rreth 20 mijë vjet më parë dhe ka ecur në Tokë në të njëjtën kohë si speciet tona.
Zbulimi i tyre ka konfirmuar pikëpamjen se Toka dikur ka qenë e populluar nga shumë specie njerëzore. Kjo është shumë larg nga pikëpamja e vjetër se krijesat kanë evoluar nga ato të ngjashme me majmunin dhe të kërrusura tek njeriu modern që ecën drejt. Profesor Roberts thotë se zbulimi i specieve krejt të ndryshme të njerëzve në ishullin indonezian të Flores, që kanë jetuar deri së fundmi, e ka vënë në pikëpyetje këtë teori.
Ka shumë pikëpyetje megjithatë mbi Hobbit-ët. Skeleti femëror ishte 1 metër i lartë dhe ishte një formë shumë primitive njerëzore. Truri i saj kishte përmasat e trurit të një shimpanzeje dhe tani ka prova se ajo përdorte vegla prej druri. Dr. Henry Gee, redaktori i këtij punimi, që vendosi ta publikonte atë në revistën “Nature”, thotë se ngadalë iu bë e qartë se sa i rëndësishëm ishte ky zbulim. “Është zbulimi më i rëndësishëm në të cilin jam përfshirë,” i tha ai BBC News.
Publikimi i këtij zbulimi në ishullin indonezian të Flores në tetor të vitit 2014 shkaktoi një habi. Lajmi se të tjera specie njerëzore kanë ecur bashkë me ne në Tokë, befasoi botën. Madje ka akoma pikëpyetje nëse krijesa të tilla si Hobbit-ët, të quajtur Homo Floresiensis, ekzistojnë akoma në ishull. Ndoshta ka të tjera specie njerëzore në pjesë të izoluara të botës, që duhen zbuluar? Nocioni se speciet tona, Homo Sapiens, ishin të vetmet specie në planet është vënë në dyshim për herë të parë në mijëra vite. Ndoshta legjendat për jetit apo gjigandët kanë pasur një bazë reale. Ata që janë të përfshirë në fushën e tyre janë të bindur se të tjera gjëra do të vijnë.
“Zbulimi i Hobbit-ëve ka hapur një mundësi të besueshme për zbulimin e të tjera specieve njerëzore, ndoshta të varrosura nëntokë thellë, si Hobbit-ët, ndoshta të keqidentifikuara,” thotë Roberts. Ekzistenca e Hobbit-ëve në Flores mbetet një mister. Si shkuan atje? Flores është një ishull që nuk besohet se ka pasur ndonjëherë ura tokësore me Azinë. Pra, këto specie primitive, a kanë mundur të ndërtojnë varka dhe të lundrojnë në det? Shumë besojnë se Hobbit-ët rrjedhin nga një formë e hershme njerëzore, e quajtur Homo Erectus, që mbërriti në ishull rreth 1 milion vjet më parë dhe që gradualisht u bë më i vogël për shkak të mungesës së burimeve ushqimore.
Të tjerë besojnë se origjina e tyre është nga disa krijesa të ngjashme me majmunin, që janë larguar nga Afrika rreth dy milion vjet më parë. Kritikët madje thonë se këto krijesa janë mbetjet e njerëzve modern shumë të sëmurë. Por ekipi shkencor është i bindur se eshtrat nuk janë të njeriut modern dhe as të sëmurë. “Ka shumë për të mësuar për Hobbit-ët,” shpjegon profesor Roberts. “Përse struktura e tyre anatomike ishte e tillë dhe nëse Hobbit-ët janë takuar ndonjëherë me njerëzit modernë, të shpërndarë në Azi dhe në jug të Australisë. Kjo është arsyeja pse dhjetë vite pas zbulimit të tyre, duket si një udhëtim që sapo ka nisur”.