Zbulohet identiteti: Ja pse u arrestua pedagogu në Malajzi
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=OCSJwPpNKPc” width=”560″ height=”315″]
Policia e Shtetit pranon zyrtarisht se i arrestuari në Malajzi është shtetasi shqiptar Klodian Zaimaj. Si u ndalua pedagogu shqiptar që jepte mësim në një universitet në Malajzi dhe dyshimet se grupi ku bënte pjesë edhe 35-vjeçari kishte lidhje me organizatën “Abu Sayyaf”. Mediat malajziane japin detaje për arrestimin e tetë personave që dyshohet se kryenin aktivitete të paligjshme në shërbim të ISIS në tri shtete.
Pedagogu shqiptar arrestohet në Malajzi, si i dyshuar se është pjesë e një grupi që ka lidhje me organizatën terroriste ISIS.
Lajmi është konfirmuar ditën e djeshme zyrtarisht edhe nga policia shqiptare. Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Klodian Zaimaj, raporton ReportTV, që u ndalua bashkë me tetë persona të tjerë në Malajzi, pas një hetimi të gjatë të kryer nga prokuroria e këtij vendi.
Dyshohet se që nga viti 2012 i riu shqiptar i ishte futur botës akademike në Malajzi, ku jepte mësim për të drejtat ligjore në një universitet lokal.
Policia Shqiptare është treguar e rezervuar në lidhje me këtë ngjarje, pasi hetimet janë ende në fazën fillestare dhe nga ana e agjentëve të Antiterrorit në Shqipëri po kryhen disa verifikime për lidhjet e tij të mundshme në vendin tonë.
“Policia e Shtetit konfirmon se 1 nga 8 të arrestuarit në Malajzi, të dyshuar për terrorizëm, është shtetasi shqiptar Z.K., i cili banon dhe punon prej vitesh në atë shtet ku dhe ka mbaruar studimet e larta. Strukturat e specializuara të Antiterrorit në Policinë e Shtetit janë duke punuar intensivisht për rastin në fjalë, si dhe për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal”.
Kështu thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë konfirmohet se për këtë çështje po bashkëpunohet me agjencitë e tjera ligjzbatuese e inteligjente në vend dhe jashtë saj, duke shkëmbyer të dhëna.
Arrestimi në Malajzi
Arrestimi i Zaimajt u krye më datë 1 tetor dhe bashkë me shtetasin shqiptar në pranga përfunduan edhe shtatë persona të tjerë.
Që të gjithë dyshohet se kishin lidhje me struktura të ISIS dhe punonin për përhapjen e propagandës së organizatës terroriste.
Portali “Star online” në Malajzi ditën e djeshme i kishte kushtuar një shkrim të gjatë çështjes dhe duke iu referuar burimeve të policisë lokale ka dhënë detaje edhe në lidhje me pedagogun shqiptar.
Sipas tyre, tetë të arrestuarit janë me kombësi të ndryshme, por mes tyre janë edhe tre filipinas dhe një shtetas shqiptar.
Policia kishte rënë në gjurmët e grupit dy vite më parë dhe pas hetimeve të thelluara në tri shtete të ndryshme është kryer edhe arrestimi i tetë personave. Aksioni është zhvilluar nga data 26 shtator deri më 1 tetor.
Sipas “Star online”, Zaimaj që mban edhe gradë shkencore, ka ushtruar profesionin e pedagogut në një universitet lokal në Malajzi dhe aty ka krijuar lidhje me persona të dyshimtë.
Nga hetimet e kryera strukturat ligjzbatuese në Malajzi disponojnë të dhëna se grupi është pjesë e organizatës “Abu Sayyaf” (një formacion ushtarak) që dyshohet se ka lidhje të drejtpërdrejta me organizatën terroriste ISIS.
Gjithashtu, policia malajziane dyshon se shqiptari ka njohje me një shtetas turk, i cili merrej me falsifikimin e dokumenteve për persona të ndryshëm të cilët kalonin nga Turqia drejt Sirisë dhe anasjelltas.
Ndonëse ndalimi i tij është kryer paraditen e 1 tetorit, për pesë ditë nuk ka pasur komunikim zyrtar me strukturat e dy vendeve, por dje Policia Shqiptare është vënë në dijeni që i arrestuari është Zaimaj, ku autoritetet malajziane kërkojnë më shumë të dhëna mbi të shkuarën e tij në vendin tonë.
Pas konfirmimit mbi identitetin e të arrestuarit, Policia Shqiptare nisi verifikimet mbi të kaluarën e 35-vjeçarit në vendin tonë. Nga të dhënat e para mësohet se ai është larguar disa vite me parë drejt Malajzisë me studime.
Mënyra e largimit të tij dyshohet se ka ardhur nëpërmjet një organizate humanitare islamike, duke ofruar edhe bursë për kohën e studimeve.
Ndonëse me Malajzinë Komuniteti Mysliman ka marrëveshje shtetërore dhe studentët që ikin në përgjithësi janë të monitoruar, për rastin në fjalë nuk përjashtohet mundësia që Zaimaj të ketë krijuar lidhje me organizata të ndryshme me karakter të dyshimtë për lidhje me ISIS.
Antiterrori në Lëvizje
Agjentët e Antiterrorit në Policinë e shtetit dhe strukturat e Shërbimit Informativ Shtetëror që nga dita e djeshme kanë nisur punën për të grumbulluar më shumë të dhëna rreth aktivitetit të shqiptarit.
Hetimet e para tregojnë se ai udhëtonte shumë jashtë vendit dhe kontaktet e tij në vendin tonë ishin të pakta.
Gjithsesi, po mbahen në vëzhgim edhe të afërm të tij, ndërsa në ditët në vijim pritet që të mbërrijë e plotë dosja hetimore nga Malajzia mbi aktivitetin e tij të dyshimtë.
Nga studimet e kryera dhe verifikimet që kanë ardhur nga autoritetet shtetërore, dyshohet se drejt Sirisë dhe Irakut ku zhvillonte aktivitetin e saj organizata terroriste ISIS, kanë shkuar rreth 120 shtetas shqiptarë. Mendohet se 20 prej tyre kanë humbur jutën, ndërsa një pjesë tjetër janë kthyer pasi qëndruan një kohë të shkurtër.
Problematike është fakti se disa nga militantët e ISIS që ikën nga Shqipëria kanë marrë me vete edhe familjet, gra dhe fëmijë të mitur dhe për një pjesë të tyre nuk ka të dhëna se ku mund të ndodhen. Shqipëria ka miratuar strategjinë kombëtare për të luftuar ekstremizmin dhe vitin e kaluar ka aprovuar një ligj që ndalon qytetarët që të marrin pjesë në ushtritë e huaja.
Shkeljet mund të çojnë në burgim për një periudhë prej 15 vjetësh. Sipas studimeve të huaja, Ballkani është një zonë problematike për sa i përket anëtarësimeve në ISIS. Vitet e fundit, një numër i madh kosovarësh i është bashkuar Shtetit Islamik, falë edhe të ashtuquajturve ‘predikues të ekstremizmit’.
Pas problematikës së shfaqur dhe me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë, shumë nga personat e kthyer nga luftimet në Siri janë mbajtur nën vëzhgim.
Gjithashtu, janë goditur edhe disa grupe radikale dhe një pjesë e tyre janë dënuar, ose qëndrojnë në dhomat e paraburgimit deri në vendimin e gjykatës. Militantët e organizatës terroriste ISIS në përgjithësi janë rekrutuar në zona të thella, ku edhe zhvillimi ekonomik është i ulët.
Disa nga organizatorët e celulave të ISIS në vendin tonë kryenin rolin e Imamëve në xhami, të cilat nuk janë nën administrimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Përzgjidheshin të rinj me arsim të ulët dhe pas propagandës që u bëhej dërgoheshin në Siri, duke kaluar përmes kufirit me Turqinë.
Celulat ishin mjaft të koordinuara mes tyre ku pasi rekrutoheshin të rinjtë qëndronin për pak muaj në Turqi dhe në mënyrë ilegale shkonin në Siri, ku i prisnin persona të tjerë që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me ISIS. Kjo mënyrë funksionoi për disa kohë, ndërsa mendohet se në dy vitet e fundit pas marrjes së masave nga strukturat shtetërore shqiptare, numri i të rinjve të larguar drejt Sirisë dhe Irakut ka shkuar gjithnjë drejt uljes.
Gjithashtu, operacionet masive ushtarake kundër ISIS të zhvilluara në Siri dhe Irak e kanë dobësuar mjaft organizatën ISIS. Megjithatë nuk kanë munguar aktet terroriste në kohë të ndryshme, ku më të përhapurat janë sulmet me bombë, ose duke përdoruar automjetet për të vrarë sa më shumë qytetarë në zonat e populluara.
Ndërsa pas arrestimit të pedagogut shqiptar në Malajzi, policia dhe strukturat e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe SHISH në ditët në vijim pritet që të sigurojnë më shumë të dhëna rreth aktivitetit të ushtruar në vendin tonë. Mapo.al