
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën 9 maj për zgjedhjet lokale të 2027, dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka theksuar simbolikën e kësaj date, e cila përkon me Ditën e Europës. Sipas Ballës, kjo datë përfaqëson vlerat e lirisë, demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit europian, ndërsa e lidh procesin zgjedhor me objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ai shkruan se Partia Socialiste nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, synon të përmbyllë procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, Balla ka bërë të ditur se Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 me objektivin për të fituar në të 46 bashkitë e vendit.
Postimi i plotë
ZGJEDHJET VENDORE më 9 MAJ 2027-SHQIPTARËT VOTOJNË NË DITËN E EUROPËS!
Zgjedhjet vendore do të zhvillohen më 9 maj 2027, në një datë me simbolikë të veçantë historike dhe europiane. 9 Maji shënon Ditën e Europës, por edhe përkujton fitoren mbi fashizmin dhe vlerat e lirisë, demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit europian. Një ditë që bashkon historinë me të ardhmen dhe qytetarët me zgjedhjen e tyre demokratike.
Shqipëria në Europën e Bashkuar, me demokraci, dinjitet dhe besim te e ardhmja! Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv strategjik kombëtar, që kërkon angazhim të qëndrueshëm, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të ngushtë me miqtë tanë evropianë. Prandaj viti 2027 është vendimtar për mbylljen e negociatave dhe dy vitet pasuese po aq të rëndësishme për procesin e ratifikimit të traktatit të anëtarësimit nga vendet anëtare.
Shqipëria nuk mund ta humbë këtë momentum historik. Vetëm Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste do ta përmbyllin këtë proces historik: anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Më 9 Maj 2030 flamuri kuq e zi do të valëvitet krenar në oborrin e Parlamentit, Komisionit apo Këshillit Europian, në Bruksel dhe Strasburg. Prandaj në funksion të këtij angazhimi dhe në shërbim të qytetarëve ne konkurojmë në Zgjedhjet Vendore me objektivin e fitores në 46 bashkitë e vendit më 9 Maj 2027.
