10 shenja që tregojnë se jeni shumë të stresuar
Stresi përcaktohet si një gjendje lodhjeje dhe tërheqjeje mendore dhe emocionale e shkaktuar nga rrethana të pafavorshme.
Në një moment apo tjetër, shumica e njerëzve përjetojnë ndjenja stresi. Në fakt, një studim zbuloi se 33% e të rriturve raportojnë përjetimin e niveleve të larta të stresit.
Disa nga shenjat më të zakonshme të stresit janë:
1. Akne
Aknet janë një nga mënyrat më të dukshme se si manifestohet stresi. Disa njerëz kur ndihen të stresuar e prekin fytyrën më shpesh se zakonisht. Kjo gjë mund të përhapë bakterie dhe të kontribuojë në zhvillimin e akneve shkruan Gazeta Shëndeti.
2. Dhimbje koke
Shumë studime kanë zbuluar se stresi mund të kontribuojë në kokëdhimbje, një problem i karakterizuar nga dhimbje në zonën e kokës apo qafës.
3. Dhimbje kronike
Dhimbjet kronike janë një ankesë e zakonshme që mund të rezultojë nga rritja e niveleve të stresit. Studimet kanë treguar se rritja e niveleve të kortizolit, hormonit të stresit, mund të ketë lidhje me dhimbjen kronike.
4. Sëmuresh shpesh
Nëse ju duket se po sëmureni më shpesh se zakonisht, mund të jetë faji i stresit. Stresi mund të ndikojë në dobësimin e sistemit imunitar dhe mund të shkaktojë që të jeni më të prekshëm nga infeksionet.
5. Energji e ulët dhe probleme me gjumin
Lodhja kronike dhe nivelet e ulëta të energjisë mund të shkaktohen nga stresi i zgjatur.
Gjithashtu, stresi mund të shqetësojë gjumin dhe të shkaktojë insomni apo mungesë gjumi, gjë që mund të çojë në mungesë energjie.
6. Probleme me tretjen
Stresi mund të shkaktojë probleme me tretjen si diarreja apo kapsllëku. Mund të ndikojë sidomos tek ata persona me sëmundje digjestive si sindroma e zorrës së irrituar apo sëmundja inflamatore e zorrëve. Këto karakterizohen nga dhimbje stomaku, fryrje, diarre dhe kapsllëk.
7. Ndryshime në oreks
Ndryshimet në oreks janë të zakonshme gjatë periudhave të stresuara. Në këto raste mund ose të mos keni oreks fare ose të jeni shumë të uritur.
8. Depresion
Disa studime sugjerojnë se stresi kronik mund të kontribuojë në zhvillimin e depresionit.
9. Rrahje të shpeshta të zemrës
Nivele të larta të stresit mund të shkaktojnë rrahje të shpejta të zemrës.
10. Djersitje
Ekspozimi ndaj stresit mund të shkaktojë edhe djersitje më shumë se sa zakonisht.