Bilanci/ Zonat më të prekura nga moti i keq gjatë dy netëve të fundit. U dëmtuan 9 akse rrugore

Shqipëria u përfshi nga moti i keq mbrëmjen e shkuar me rrufe të shumta që kanë dëmtuar sistemin e shpërndarjes elektrike.

Në buletinin e Ministrisë së Energjisë, thuhet se pasojat e motit sollën dëme të shumta në rrjetin elektrik shpërndarës të OSHEE.

“Paraditen e datës 10 korrik, raportohej për 46 fidera të stakuar për shkak të motit të keq dhe rajonet më të prekura ishin Shkodra (Lezha kryesisht), Burreli dhe Durrësi (zona e Fushë-Krujës) dhe kryesisht zonat rurale të vendit, që furnizohen me rrjet ajror 6kV, i ndjeshëm ndaj stuhive, sidomos me shkarkesa atmosferike”, thuhet në reagim.

Gjatë orëve në vijim të datës 10 korrik, me rregullimin e pjesshëm të kushteve të motit, u përmirësua situata e furnizimit me energji elektrike në masën 70%. Në veri të vendit pothuajse të gjithë fiderat ishin në punë, por me kalimin e orëve, në mbrëmje, gjendja e motit u përkeqësua duke vijuar deri në orët e para të datës 11.

Tashmë rajonet më të prekura nga kufizimi i energjisë elektrike ishin në qendër dhe jug të vendit, si Elbasani, Berati, Fieri, Korça (Pogradeci) dhe Vlora.

Dëmet e shumta mbi rrjetin elektrik gjatë natës sollën ndërprerje të energjisë elektrike në 84 fidera, ku si rezultat i motit të keq me shtrëngata shiu dhe erë të fortë u prekën rajonet Elbasan, Berat, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, ndërsa situata në rajonet e veriut ka qene disi më e qetë natën, përveçse në zonën e Velipojës ku ka pasur stakime.

Aktualisht, sipas raportimit të fundit, ora 12:30 të datës 11 korrik, kemi një përmirësim me 65% të situatës më furnizim të energjisë elektrike, ndërsa rajonet më të prekura vijojnë të jenë Berati, Fieri, Vlora, Gjirokastra dhe tashmë është shtuar edhe Tirana (pjesërisht Kombinati, Shinat e Trenit, Zall Bastari dhe Yzberishti).

Situata e akseve rrugore gjatë natës datë 11.7.2019

-Në aksin Elbasan-Qafë Thanë ka pasur rënie gurësh. Grupi i mirëmbajtjes ka qenë në gatishmëri gjatë gjithë kohës. Nuk ka pasur probleme me trafikun.

-Në aksin Pogradec-Tushemisht një pemë ka bllokuar rrugën pas ndërhyrjes u bë pastrimi dhe hapja e rrugës për trafikun.

-Aksi Qafë Thanë – Doganë ka pas probleme me rënien e gurëve.

-Qafë Thanë – Qafë Plloçë ka pas probleme ne Qafë Plloçë me rënien e një peme dhe prurje inertesh, por jo probleme serioze ne trafik.

-Korçë – Bilisht ka pas rënie peme në Zëmblak, por edhe kjo nuk ka qenë serioze për trafikun. Menjëherë u morën masa për pastrimin dhe largimin e pemëve nga pjesa e rrugës.

-Bisht i Zhurit-Fier ka pasur dëme vetëm ne sinjalistikën vertikale, janë marrë të gjitha masat nga ana jonë për riparimin e tabelave.

-Në Vlorë ka pasur inerte në rrugë dhe degë pemësh të thyera.

-Në Gjirokastër ka pasur rënie të dy pemëve në rrugë dhe një tabelë e madhe informuese në Vanister.

-Dhe në zonën e Sarandës një rrëshqitje në segmentin Ura e Kranesë – Qafë Muzinë dhe inerte në zona të ndryshme të bregut.

SHKARKO APP