BIRN: Autoritetet mbyllin sytë ndaj kërcënimit të gazetarëve nga krimi i organizuar në Shqipëri
Një vit më parë, më 20 nëntor 2018, salla nr.1 e seancave në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë ishte e mbushur me gazetarë dhe të afërm të 11 pandehurve të akuzuar për sulmin e armatosur ndaj policisë në qershor 2015 në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, ku gjatë një operacioni antidrogë mbeti i vrarë oficeri i forcave RENEA, Ibrahim Basha dhe u plagosën dy efektivë të tjerë.
Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për vrasje nisi një orë me vonesë dhe gjatë kësaj kohe, gazetarët dhe operatorët e pranishëm në sallën e gjyqit u bënë objektiv i ofendimeve dhe i kërcënimeve të drejtpërdrejta nga familjarët e të pandehurve. Kur trupi gjykues hyri në sallë dhe shpalli vendimin, të pandehurit tentuan të shkatërronin kafazin dhe mikrofonin duke goditur me grushte dhe shkelma, ndërkohë familjarët e tyre nisën të mallkojnë gjyqtarët – duke bërtitur mes të tjerash: “ju vdekshin fëmijët” dhe duke hedhur karrige drejt gazetarëve dhe gjyqtarëve.
“Në momentin kur procesi përfundoi dhe gjykata shpalli vendimin duke dënuar me burgime të përjetshme disa nga të pandehurit, familjarët e tyre kapën karriget dhe tentuan të godisnin jo vetëm anëtarët e trupës gjykuese, por sigurisht filluan të godisnin edhe gazetarët,” kujton Klodiana Lala, gazetare e televizionit News 24. “Policia e burgjeve nuk ndërhyri për të shuar konfliktin,” shtoi Lala, duke nënvizuar se u përballën me një situatë shumë të ngarkuar.
Incidenti gjatë gjykimit të çështjes së ‘Lazaratit’ nuk është një rast i izoluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dëshmitë e mbledhura nga BIRN nga një duzinë reporterësh të kronikës, prokurorë dhe gjyqtarë, tregojnë se përfaqësuesit e medias përballen me kërcënime të vazhdueshme në gjykata nga anëtarë të krimit të organizuar, të cilët synojnë të kufizojnë raportimin e aktiviteve të tyre kriminale në media.
“Duhet të kuptojmë që jemi në Shqipëri dhe gjyqet bëhen jo vetëm në sallën e gjyqit, por bëhen edhe jashtë, ku një shkrim i medias mund t’i prishë shumë situatën apo një skemë që ndërton i pandehuri apo avokatët e tij,” shprehet Elton Qyno, gazetar i Shqiptarja.com, i cili prej 13 vitesh raporton mbi çështjet e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
“Trysnia që ushtron media nga ajo që mund të arrihet më pas nga të pandehurit, pra një vendim pafajësie, mund të mos i merret përsipër nga ana e gjykatës apo prokurorëve,” shtoi ai.
Kërcënime e gazetarëve brenda gjykatës konfirmohen dhe nga kryetari i Gjykatës për Krime të Rënda, Sandër Simoni, i cili thotë se edhe pse nga institucioni që ai drejton janë bërë disa referime në polici, këto denoncime nuk janë ndjekur nga organet ligjzbatuese.
Megjithë kërcënimet e vazhdueshme, shpesh në prezencë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Policia e Burgjeve ka dështuar të ofrojë siguri për gazetarët që raportojnë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërkohë Policia e Shtetit nuk i ka hetuar kërcënimet ndaj reporterëve edhe kur ka pasur referime.
E pyetur nga BIRN në lidhje mbi incidentet gjatë çështjes ‘Lazarati’ dhe raste të tjera kërcënimesh ndaj medias, Policia e Shtetit tha se nga verifikimet e bëra nuk ishin konstatuar parregullsi gjatë kësaj seance. Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mohoi se Policia e Burgjeve të kishte hasur probleme sigurie në Gjykatën për Krime të Rënda.
“Deri në momentin që flasim nuk ka patur raste të cënimit të sigurisë në ambientet e gjykatës së Krimeve të Rënda, shkalla e parë dhe e dytë,” tha Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve në një përgjigje me shkrim për BIRN.
“Ne nuk kemi patur asnjë rast dhe nuk kemi patur ankesa nga gazetarë të tjerë që të jenë përballur me kërcënime e shantazhe në sallat e gjykatave,” shtoi ajo.
Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i tha BIRN se “për periudhën 2018-2019 nuk rezulton që policia të ketë referuar ndonjë kallëzim për kërcënim të gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës së tyre”.
Media e kërcënuar nga krimi
Liria e medias dhe siguria e gazetarëve ka shënjuar përkeqësim gjatë viteve të fundit në Shqipëri. Një raport i publikuar në qershor nga një grup organizatash ndërkombëtare, pas një misioni faktmbledhës në Tiranë, nënvizonte se gazetarët shqiptarë janë shpesh shenjestër e sulmeve fizike dhe verbale, të cilat nuk hetohen dhe zbardhen nga organet ligjzbatuese.
Gazetarët që raportojnë mbi proceset gjyqësore në gjykata shprehen se shantazhet, kërcënimet apo pengimi i tyre për të marrë pjesë në seanca – kryesisht ato ndaj organizatave kriminale, janë të vazhdueshme dhe kryhen nën hundën e forcave të sigurisë. Veç kërcënimeve, ata thonë se ka edhe raste kur të afërmit e të akuzuarve ndikojnë tek pronarët e mediave ku punojnë duke arritur që të pengojnë publikimin e lajmeve.
“Në profesionin tim më është dashur të kem përplasje ose presione të vazhdueshme nga palët e përfshira në proces,” thotë Elton Qyno. Ai shprehet se presione vijnë kryesisht gjatë punës në terren, por edhe në sallën e gjykimit – kryesisht nga familjaret e të pandehurve.
“Presionet janë të llojeve të ndryshme, duke filluar nga: ‘mos ndiqni gjyqet’; që të mos filmojmë personat e pandehur ose familjarët e tyre,” shtoi Qyno. “Më tepër kanë qenë që duhet të largohemi nga salla e gjykimit, që të mos kemi vëmendje në procesin gjyqësor,” shtoi ai.
Gazetari i televizionit A2, Armand Bajrami shprehet se palët në çështje gjyqësore penale mundohen shumë për të shmangur monitorimin e medias dhe jo gjithmonë përdorin kërcënimet, por edhe metoda më të sofistikuara.
“Ndërkohë, dua të evidentoj edhe raste shumë të rralla, kur kanë qenë mbase edhe avokatët e palëve në proces që janë përpjekur të na shmangin nga proceset e caktuara gjyqësore, jo duke na e thënë drejtpërdrejt të mos marrim pjesë në seanca të caktuara, por duke u përpjekur të na e zhvleftësojnë rëndësinë e seancës,” tha ai.
Gazetarja e së përditshmes “Shekulli”, Xhentila Gjoshi shprehet se i është dashur shpesh të përballet me fjalë intimiduese në gjykatë.
“Kryesisht familjarët e të pandehurve mundohen që të na intimidojnë për të mos ndjekur proceset që zhvillohen ndaj tyre,” tha ajo, duke shtuar se ka pasur raste kur është detyruar të mos i ndjekë seancat.
“E ndodhur e vetme në sallë dhe në mesin e familjarëve, që shikimi i tyre drejtohet vetëm nga ‘ty’, isha e detyruar që të mos e ndiqja,” tha Gjoshi, duke nënvizuar se këto nuk janë raste të veçuara dhe zakonisht lidhen me çështje me interes të lartë publik.
Gazetari i televizionit Klan, Ermal Vija thekson se presionet ushtrohen kryesisht brenda ambienteve të gjykatës dhe në korridoret e saj.
“Kanë qenë kryesisht familjarë që kanë tentuar të ndikojnë të mos evidentohen si raste,” tha Vija. “Ka pasur edhe raste jashtë ambienteve të gjykatës, por kryesisht në territorin e Gjykatës së Krimeve të Rënda,” shtoi ai.
Edhe gazetarja e së përditshmes “Panorama”, Bleona Metushi është përballur me intimidime, për të cilat thotë se ndodhin rëndom në sallat e gjyqit përpara se të fillojnë seancat gjyqësore.
“Në dy-tre raste kur janë munduar të më intimidojnë apo të tregojnë që ‘ti s’duhet të futesh apo s’duhet të ta ndjekësh këtë seancë’, tha ajo. “Ka pasur raste që qoftë edhe me veprime, pa më thënë, të më bëjnë mua të mos shkoj në një apo dy seanca,” shtoi Metushi.
Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk kanë mbetur pa u vënë re edhe nga stafi i Gjykatës për Krime të Rënda, shprehet kryetari Sandër Simoni.
“Në këtë gjykatë, këto vite janë zhvilluar procese të rëndësishme të natyrës së krimit të organizuar, të terrorizmit, të trafikimit të qenieve njerëzore, të trafikimit të narkotikëve, të gjobëvënieve dhe për vetë natyrën e proceseve personat që interferojnë në ambientet e gjykatës, janë, përveç të pandehurve, edhe të afërm të tyre që mund të paraqesin edhe rrezikshmëri shoqërore dhe mundohen që të ndikojnë në proceset gjyqësore, në mënyrë ekstra-proceduriale,” tha Simoni.
“Për këtë shkak kemi pasur raste të sjelljeve agresive, kërcënuese, apo shantazhuese ndaj palëve në proces, por edhe ndaj medias, gazetarëve e subjekteve të tjera, si dëshmitarë,” shtoi ai.
Simoni i tha BIRN se në rastet ku janë konstatuar shantazhe ose kërcënime, bazuar në rregulloren e gjykatës, është mbajtur një procesverbal me përshkrimin e incidentit nga oficeri i sigurisë dhe është bërë referim në strukturat përkatëse të rendit, konkretisht në komisariatet përkatëse të policisë.
Nën “hundën” e forcave të sigurisë
Në incidentin gjatë seancës gjyqësore për çështjen ‘Lazarati’, në momentin kur familjarët e të pandehurve hodhën karriget drejt gazetarëve dhe gjyqtarëve, këta të fundit u larguan me shpejtësi nga salla e gjyqit nëpërmjet derës së brendshme. Ndërsa gazetarët, për të gjetur strehim, ishin të detyruar të kalonin përmes turmës së xhindosur të familjarëve të të pandehurve që vazhdonin t’i ofendonin e kërcënonin.
Edhe pse gjyqtarët dhe gazetarët bien pre e kërcënimeve nga të pandehurit dhe familjarët e tyre, reporterët shpesh duhet të bazohen vetëm në eksperiencën e tyre për t’u mbrojtur, sa kohë që organet ligjzbatuese bëjnë një sy qorr ndaj sigurisë së tyre.
“Faktikisht më shumë jam ndjerë i mbrojtur nga vetja ime, pasi kam parë situatën apo terrenin se si zhvillohet në prokurori apo në gjykatë dhe kam vendosur kur duhet të afrohem e kur duhet të largohem,” thotë Elton Qyno i Shqiptarja.com.
“Ndërsa përsa i përket sigurisë policore që është në gjykatë, nuk është se kam pasur ndonjëherë ndonjë mbrojtje,” shtoi ai.
Gazetarja Klodiana Lala thekson se në një rast, një i pandehur, anëtar i një grupi të strukturuar kriminal ka kërcënuar hapur gazetarët në sallën e gjyqit. Ajo shtoi se ishte detyrë e prokurorit të niste hetimin kryesisht për këtë çështje, sepse ka ndodhur në një seancë për caktimin e masës së sigurisë, por sipas saj një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Ne kemi familjarë të të pandehurve që flasin në sallën e gjyqit me gazetarët dhe u kërkojnë atyre që të mos shkruajnë, apo kemi edhe të pandehur që u kanë kërkuar gazetarëve të dalin nga salla e gjyqit duke u thënë se nëse nuk dalin, atëherë do të kenë punë me ta,” tha Lala.
Një prokuror i Krimeve të Rënda, i cili foli në kushtet e anonimatit, pranoi se ka qenë prezent në disa raste kur ka konstatuar se ka pasur në sallë trysni të ushtruar ndaj gazetarëve, por se veprimet nuk kanë qenë të hapura për të bërë të mundur nisjen e hetimeve.
Gazetarët ankohen se është e vështirë t’i denoncosh kërcënimet dhe intimidimet, pasi ato kryhen në mënyra gjithmonë e më të sofistikuara. Ata shprehin gjithashtu mosbesim ndaj policisë, nëse do t’i hetonte ndonjëherë kërcënimet ndaj tyre.
“Përsa i përket sigurisë së gazetarëve në raport me familjarët e të pandehurve apo këta të fundit…, nuk është se ka pasur ndonjë reagim nga policia edhe kur të pandehurit kanë reaguar në sallën e gjyqit apo familjarët e tyre kanë reaguar po në sallën e gjyqit,” tha Qyno. “Asnjëherë nuk i kam referuar presionet. Ku t’i referoj, në polici?” pyeti ai.
“Ajo që dua të them, se sot janë sofistikuar mënyrat… gazetarët në shumicën e rasteve e kanë të pamundur të bëjnë denoncime sepse nuk arrijnë dot të provojnë përpara institucioneve të gjithë intimidimin apo kërcënimet që u janë bërë nga personat e pandehur apo familjarët e tyre,” theksoi Klodiana Lala, shtëpia e së cilës u sulmua me breshëri kallashnikovi një vit më parë.
Asnjë hetim për kërcënimet
Më shumë se një vit pas sulmit të armatosur ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala, policia nuk ka bërë progres në identifikimin e agresorëve; megjithë përbetimet për hetime të shpejta të krerëve më të lartë shtetit.
Kërcënimet ndaj jetës së gazetarëve trajtohen gjithashtu pa interes nga organet ligjzbatuese. Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni pohon për BIRN se janë referuar disa denoncime pranë komisariatit që mbulon territorin e kësaj gjykate për kërcënime ndaj medias, por shton se hetimet nuk kanë vazhduar.
“Ka patur edhe veprime hetimore, marrjen e tyre në pyetje dhe intervistim të tyre nga komisariti përkatës që ka në juridiksion ambientet e gjykatës,” tha ai. “Nuk ka patur vijueshmëri të procedimeve penale ndaj tyre, mbase nuk është arritur rezultat hetimor për t’i atribuuar veprën penale apo për të regjistruar veprën penale,” shtoi Simoni.
Sipas Simonit, në rastet kur këto vepra penale kryhen në sallën e gjykimit, është detyrim i prokurorit që të fillojë ndjekjen penale, ndërsa në rastet kur ndodhin në ambientet jashtë sallës gjykimit, por në ambientet e brendshme të gjykatës, është përgjegjësi e kësaj të fundit t’a referojë në autoritetet përkatëse.
“Ne kemi një sistem kamerash vëzhgimi të sofistikuar në ambientet e gjykatës dhe në çdo rast nga ana jonë janë marrë masat që evidentimi i incidenteve, trysnive, shantazheve apo presioneve të dokumentohet dhe gjithashtu të merren regjistrimet audio dhe video duke ia referuar autoriteteve përkatëse,” tha ai.
Megjithë teknologjinë e sofistikuar të vendosur në dispozicion nga gjykata, policia e Tiranës nuk evidentoi ndonjë rast të hetimit dhe dërgimit në prokurori të kërcënimeve ndaj gazetarëve. Edhe për rastin e çështjes Lazarati, incident që u bë publik gjerësisht në media, policia nënvizoi se nuk kishte gjetur prova.
“Janë marrë deklarime nga punonjësit e policisë së burgjeve dhe nga gazetarët e pranishëm, por askush nuk ka pasur ndonjë pretendim ligjor apo të ketë kryer kallëzim penal,” tha Policia e Shtetit.
Nga gazetarët e intervistuar nga BIRN, vetëm një prej tyre pohoi se atë ditë është pyetur nga punonjësit e policisë së rendit për atë se çfarë kishte ndodhur dhe nëse do të donte të kryente referime për atë që kishte ndodhur. Gazetarët e tjerë u shprehen se policia nuk u kishte kërkuar fare deklarime.
Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mohoi të ketë konstatuara raste të kërcënimit të gazetarëve.
“Po të ishte ndryshe, kryetari i seancës sipas kompetencave që i jep ligji ndërhyn duke urdhëruar forcat e sigurisë të nxjerrin jashtë ambienteve të gjykatës palën kërcënuese, ashtu sikurse pala e kërcënuar duhet të bëjë denoncimin në prokurori, gjë që nuk ka ndodhur sepse nuk ka patur raste të tilla,” tha DPGJ në një përgjigje kategorike me shkrim.
“Punonjësi i policisë me shërbim në sallat e gjyqit, në kushtet e debatit verbal nuk mund të ndërhyjë pa lejen apo urdhrin e kryetarit të seancës, përveç rasteve kur ka përplasje fizike në forma të ndryshme, kur rrezikohet jeta dhe shëndeti i trupit gjykues dhe pjesëmarrësve të tjerë në sallë, ndërhyn me iniciativë, “ shtoi DPGJ, duke larë duart nga përgjegjësitë.
Kryetari i Gjykatës për Krime të Rënda, Simoni sugjeroi se mosveprimi i forcave të policisë së burgjeve mund të zgjidhet duke rekrutuar staf më të specializuar.
“Emërimi apo caktimi i një punonjësi sigurie të specializuar apo profilizuar sipas kushteve të sigurisë, me arsim të specializuar për punonjës sigurie, do krijonte një mundësi që personat në sallën e gjykimit të ishin të mbrojtur nga kërcënimet, shantazhimet, intimidimet,” tha ai.
“Kjo është një nga të metat që kemi ne në raport me garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes fizike të palëve dhe të gazetarëve në këtë rast në veçanti,” përfundoi Simoni.
Autor: Edmond Hoxhaj / BIRN