Danezi që ka udhëtuar në 131 shtete viziton Shqipërinë

  Torbjørn C. Pedersen, Ambasador i dëshirës së mirë i Kryqit të Kuq

Torbjørn C. Pedersen, që miqtë e thërresin thjesht Thor, është një danez 38 vjeçar, që e ka nisur udhëtimin e tij rreth botës në vitin 2013. Njëzet dollarë në ditë dhe asnjë fluturim për të vizituar të gjitha vendet e planetit. Ky është objektivi që i ka vënë vetes.

“Një i panjohur është një mik, që ti akoma nuk e ke takuar. Kujtoja se ishte thjesht një fjalë e mirë, por tani që kam jam bërë dëshmitar i qindra e qindra njohjeve fantastike, dëshiroj të jap vetëm një mesazh: njerëzit gjithkund janë jashtëzakonisht bujar, mjafton t’u japësh atyre mundësitë për ta dëshmuar këtë”,  thotë Thor.

Një çantë në kurriz, dhe me një shikimi mjaft të ëmbël dhe të qeshur, ky është Torbjørn C. Pedersen, e ka nisur udhëtimin e tij nga Kopenhagen në orën 10 e 10 të datës 10 tetor 2013, për të vizituar të gjitha vendet e planetit, që janë jo pak por 203, për të paktën 24 orën në secilin prej tyre. Udhëtim që pritet të përfundojë në vitin 2019.

Janë me mijëra kilometra të përshkruara në 4 vjet udhëtimi në 131 vende të botës. Shqipëria është vendi i 132 i kësaj odiseje nëse do ta quanim kështu. Ka ardhur nga Italia nëpërmjet portit të Barit për të vazhduar turin e tij në vendet ballkanikë, Greqi, Maqedoni, Kosovë, etj.

Ambasador i dëshirës së mirë i Kryqit të Kuq, Thor, është me profesion ekspert logjistike. Në të gjitha vendet që ka shkuar ai është mikëpritur nga shoqatat vendase të Kryqit të Kuq apo të Gjysmëhënës së Kuqe. Në udhëtimin e tij ai do të marrë kontakt me 190 shoqata. Në veprimtaritë ku ka marrë pjesë ai ka shprehur solidaritetit me njerëzit në nevojë. Nesër, datë 23, ora 10.30, Thor do të asistojë në simulimin e Ndihmës së Parë që vullnetarët e degës së Kryqit të Kuq Tiranë kanë planifikuar të zhvillojnë në hapësirat e parkut Rinia.

“Në fund të fundit, – përfundon Thor, bota është më e bukur nga ajo që na thuhet: unë e dëshmoj këtë çdo herë që jam ulur në një autobus dhe shikoj rreth. E ajo që unë shoh, nuk janë terroristët, grabitësit apo korruptuarit, por njerëzit normal. Dhe ky normalitet është shpirti i sagës time”.

http://www.onceuponasaga.dk/journey

SHKARKO APP