Deputeti i PS, Arkend Balla i përgjigjet akuzave të Berishës: Sulmet, alibi për humbjen e thellë

Arkend Balla, deputet i PS, i përgjigjet për herë të parë akuzave të artikuluara nga Sali Berisha kundrejt tij për lidhje me krimin. Në intervistën e parë të dhënë ekskluzivisht për gazetarin Arbër Hitaj në Albania Newscast, deputeti Balla tregon si i përjetoi sulmet nga Berisha, jo vetëm ai por edhe familja, duke i quajtur një alibi të Partisë Demokratike për të justifikuar humbjen e thellë në qarkun e Durrësit.

Ai i hedh poshtë akuzat se në fushatë u mbështet nga eksponentë të krimit të organizuar, duke thënë se ishin sulme të pavërteta. “Si politikan i ri, në momentin që u gjenda përballë sulmeve kam qenë në vështirësi, jo vetëm unë, por edhe familja, se u gjetëm në sulm të vrullshëm nga lidershipi i PD. Ishin sulme të pavërteta. Kam bëtë fushatë të qetë dhe skam bërë asnjë sulm gjatë gjithë kohës që kam zhvilluar fushatën. Papritur pasi u mor ai rezultat, që ishte shumë i mirë për mua dhe PS, nisën sulmet nga opozita dhe lidershipi i PD që janë marrë me sulme personale ndaj emrit dhe figurës sime. Familja i ka përjetuar keq, u gjendën në një situatë që si kishin dëgjuar më parë. Nuk është e thjeshtë të jesh pjesë aktive e politikë, ne i përballojmë, por familjarëve u erdhi si gjë e papritur dhe nuk arrinin t’i besonin ato akuza që thonte lidershipi i PD, gradualisht edhe ata janë mësuar me këto sulme.

Kanë qenë për shkak të polarizimit të situatës, patën një humbje në Durrës të thellë, u përpoqën të gjenin objektiv për ta sulmuar për të arsyetuar humbjen, duke bërë sulme personale në emrin tim që isha deputeti më i votuar i qarkut Durrës”, tha Balla për gazetarin Arbër Hitaj.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por, si arriti Arkend Balla të sigurojë 21 mijë vota në qarkun e Durrësit? “Ka qenë rezultat shumë i mirë, shumë i lartë për mua. Ka disa arsye. Faktori i parë është mbështetja për PS dhe vizionin e Ramës. Së dyti ka një rëndësi të madhe prezenca e deputetëve. Kam marrë mandat të mbetur përgjysmë legjislaturën e kaluar, gjithmonë kam menduar se duhet të bëj shumë punë në zonën elektorale që të kap ritmin e kolegëve. Kam qenë në terren gjithë kohën. Kontaktet në zonë i kam pasur të hershme. Kur u bëra deputet gjendesha më pranë shqetësimeve që kishin njerëzit në zonë. Tjetra është imazhi që krijon në zonë, je i njeri i thjeshtë, ju jep zgjidhje shqetësimeve që kanë”, përgjigjet deputeti i PS.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke u ndalur në organizimin e PS për zgjedhjet vendore, Balla thekson se synimi është fitimi i të gjitha bashkive në qarkun e Durrësit. “Objektivi i radhës është fitimi i bashkive në të gjithë Shqipërinë, nuk është thjesht objektiv për të marrë bashkitë, por për të çuar në nivel tjetër bashkitë në gjithë territorin, në bashkinë e Durrësit kemi marrë rezultate shumë të mira. Edhe në këto zgjedhje do marrim rezultat edhe më të thellë”, thekson ai.

I pyetur nëse ishte provokim dekorimi i babait të Ergys Agasit me ceritifikatë mirënjohje në 35-vjetorin e PS në Durrës, deputeti Balla tha se ai ka dhënë kontribut për PS jo vetë, në qytetin bregdetar. “Nuk ka lidhje me provokim. Është kryetari i parë i PS në Durrës. Ka dhënë kontribute me shumë vlera në PD e Durrësit, por jo vetëm. Është intelektual, gazetar, ka qenë deputet. U vendosën disa kritere, dhe nuk mund të linim pa certifikatë mirënjohje Bardhyl Agasin që ka qenë drejtuesi dhe i parë i PS në Durrës”, tha ai.

Intervistën e mbyll me një mesazh për akuzat e Berishës, duke i thënë se puna dhe votat e qytetarëve janë përgjigja më e mirë për të. “Unë kam shumë miq demokratë, shkojmë shumë mirë ndonëse kemi qëndrime të ndryshme. Mesazhin dua t’ia jap lidershipit të PD, pavarësisht akuzave, unë nuk zgjodha ti përgjigjem me deklarata, por me punë, përkushtim, sepse besoj te fjala e dhënë, tek puna dhe besoj se politika është një instrument të jesh më afër njerëzve. Para se të vënë etiketime politike, duhet të dalin në zonën time elektorale dhe të pyesin, kush është Arkendi dhe çfarë përfaqëson. Unë edhe në këto takime që kemi nisur për energjizimin, ka pasur shumë pjesëmarrje. Ka pasur njerëz të thjeshtë që janë çuar dhe më kanë thënë pse nuk akuzon Berishën në kuvend, sepse ne këto s’na kanë sjellë bandat, ne jemi anëtarë të PS dhe kemi dëshirë të kontribuojmë. Përgjigja më e mirë për këto akuza, janë deklaratat që bëjnë qytetarët dhe votat”, thekson Arkend Balla.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?