“Dita zë fill”, filmi shqiptar korr sukses në Sarajevë

Përfaqësimi i kinemasë shqiptare në festivalin me të madh të filmit në Europë, të Sarajevës shënoi suksesin e saj të parë. Ornela Kapetani u vlerësua si aktorja më e mirë për rolin e Letës në filmin “Dita zë fill” të regjisorit Gentian Koçi. E përlotur aktorja tha se nuk e priste të ishte ajo fituesja e këtij çmimi.

Trofeu për aktoren më të mirë, nuk ishte suksesi i vetëm për “Dita zë fill”. Fillimisht bashkëprodhimi shqiptaro-grek ishte një nga tre filmat e përzgjedhur për premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë, që në këtë edicion të 23-të u nderua nga regjisori amerikan, Oliver Stone, tre herë fitues i çmimit Oscar. Filmi i regjisorit Gentian Koçi u prit mirë dhe u duartrokit gjatë nga kritika e publiku.

“Dita zë fill” është historia e një nënë të re, një ish infermiere që jeta i përplas në fytyrë njëra pas tjetrës fatkeqësitë. E gjendur në një situatë të dëshpëruar ekonomike ajo përpiqet me çdo kusht të mbajë në jetë të moshuarën për të cilën kujdeset, si e vetmja mënyrë për t’i ofruar vogëlushit të saj dhe vetes një strehe për të futur kokën. Filmi i cili ekranizon një dramë sociale, një akt mbijetese do të ketë premierën e tij edhe në Tiranë, në muajin Shtator.

SHKARKO APP