DOSSIER/ Luftëtarin trim të çetës së Çerçiz Topullit

Dangëllia dhe kryeqendra e saj, Frashëri, nderojnë sot trimin dhe patriotin,birin e asaj treve  Seit Bej Frashërin (Skenderin) që njihet si njeriu që ka kontribute  dhe vlera të padiskutueshme në periudhën më të vështirë në të cilën ka kaluar vendi, në fillimin e shekullit të kaluar. Frashëri  njihen si zona ku prej shekujsh kanë dalë burra të mençur, patriotë, njerëz të dijes, penës, por edhe pushkës. Frashëri njihet jo vetëm si vendi ku kanë lindur dhe janë rritur tre vëllezërit Frashëri (Abdyli, Samiu, Naimi) kolosët e dijes dhe Rilindjes Kombëtare, por edhe vendi që ka nxjerrë trima, patriotë e luftëtarë në çdo periudhë të vështirë që ka kaluar vendi, si Mit’hat e Medi Frashëri etj. Një ndër ata do të ishte edhe Seit bej Frashëri (Skënderi) i një mëhalle me tre frashëllinjtë, i cili ishte edhe mbetet njeriu që kurrë nuk u lëkund dhe nuk u përkul nga rrebeshet e kohës,vështirësitë e jetës nga kushdo që ka qeverisur dhe që ka ardhur si zaptues në Shqipëri, në shekullin e kaluar. Seiti Frashëri, apo siç e kishin zakon ta quanin Seit Beu, ishte frashërlliu me zemër të madhe, me shpirt të gjerë, me dinjitet burrëror, ai kishte fjalë trimi dhe kishte një influence të madhe në krejt zonën e Dangëllisë e viset e tjera të jugut. Duke pasur një pjekuri të parakohshme Seiti qysh në moshën e re, (vitet 1910-1920) do të ishte mik shtëpie tek dera e Frashërllinjve të Rilindjes Kombëtare, dhe do të merrte pjesë aktive me armë në dorë qysh në moshën 15 vjeçare në çetën e patriotit Çerçiz Topulli, ku bashkë me njeriun e tij të afërt nga e bashkëshortja e tij Faikeja, herion  Hajredin Tremishti, do të luftonin ndaj hordhive turke, greke e deri malazeze. Duke qenë njeri me influencë në zonën e Dangëllisë, shumë shpejt do të bëhej ndër burrat dhe miqtë e derës së madhe të Frashërit, si Mid’hat bej Frashëri, e Medi bej Frashërit. Duke folur me fëmijët e tij, Yllin, Aferditn dhe Dallëndyshen, mëson prej tyre se “babai ishte i njohur me shtresat më të larta të qeverisjes qysh nga koha e Turqisë, por edhe pas ardhjes së qeverise së Mbretit Zog në Shqipëri. Ai njihej me rrethet më të larta të bejlerëve të Shqipërisë Jugut, dhe ishte zëri i parë në Frashër”. Ka marrë pjesë në kongresin e Lushnjës në ruajtjen dhe sigurinë e delegatëve, dhe ishte kryetar i parë i komunës në Frashër qysh në moshën 21 vjeçare. Seiti Frashëri kishte 8 fëmijë, tre djem dhe 5 vajza, por më i spikaturi do të ishte Hajredini, djali i madh i tij. Pasi kishte kryer mësimet e para në Frashër, Hajredini ka mbaruar gjatë viteve 1939-1942 studimet ne Itali për Financë, dhe ka punuar në Tiranë gjate viteve të luftës, ku ka shërbyer edhe pranë qeverisë së Mid’hat e Medi Frashërit. Njihej si njeri me emancipim të lartë shoqëror, njeri me zgjuarsi dhe talent në fushën e financës, ku ka shërbyer deri në vitin 1945, në Patos, Durrës, e Tiranë deri ditën e arrestimit. Hajredini ishte mik i shtresave më të larta të Regjencës së viteve të luftës 1940-1944, me gradën toger, pranë Medi e Mid’hat Frashërit, dhe njihej si njeri me shumë influencë në Dangëlli e më gjerë. Por le të kthehemi tek Seit Skënderi. Ylli djali i tij sot në moshën 80 vjeçare tregon se “babai ka lindur në një familje të mesme tregtare në Frashër të Përmetit. Qysh në moshe të re u formua me urrejtje mbi pushtimin otoman dhe në vitin 1910 doli në mal me pushkë në dorë bashkë me 10 luftëtarë, e me vonë u bashkua me çetën e Çerçiz Topulllit dhe Mihal Gramenos. Në vitin 1905 u bë, “Hyrrjeti” nga qeveria otomane e xhonturqve, dhe falja e çetave patriotike u bë në Korçë. Çeta e Çercizit ishte dhe mbeti me armë në dorë, ndërsa ishte Seit Frashëri që hyri në Korçë me kale të bardhë dhe me  flamurin shqiptar, duke organizuar qindra njerëz që u nisen nga Korça në Ersekë – Leskovik – Përmet, ku atij iu bë një pritje madhështore në Gjirokastër, të drejtuar nga Çerçiz Topulli dhe Mihal Gramenoja”. Mbas “faljes nga xhonturqit” Seit Frashëri  merret me tregti, kurse ne vitin 1914 kur Greqia pushtoi dhe dogji me dhjetra fshatra  në Shqipërinë e Jugut, Seit Bej Frashëri  me 300 patriotë të krahinës së Dangëllisë, luftuan në male kundra grekëve. Si kundërpërgjigje, ushtria greke e dogji tre herë Frashërin, i cili asokohe  kishte mbi 500 shtëpi dhe mbi 30 dyqane. Dhjetra familje nga Frashëri dhe qindra nga Përmeti, pas reprezaljeve greke, ikën dhe u strehuan në Berat dhe fshatrat e tij apo dhe Skrapar. Teqeja e Frashërit ka luajtur një rol të madh për rritjen e frymës patriotike në Dangëlli dhe më gjerë, në Skrapar dhe Kolonjë, ku gjithmonë ishte edhe dora e Seit Bej Frashërit. Në kohën e qeverisjes nga Mbreti Zog, Seit Beu u emërua kryetar komune në Frashër dhe sekretar komune kushëriri tij Kadri Skenderi. Ata kryen shumë punë publike në zonën e tyre, duke nisur me rrugën automobilistike si dhe investime të tjera të rëndësishme. Ndasitë politike ishin edhe asokohe të dukshme, pasi Sherif  Skënderi,(vëllai i Seitit) ishte “fanolist” madje ka qenë edhe në kryengritjen e 1924. Ai ka qenë  pjesë edhe  e Kongresit të Lushnjës. I vetmi djalë i bmetur gjallë i Seit Beut Ylli tregon se “babai më tregonte se për vrasjen e Esat Toptanit, jemi mbledhur disa prej ish-luftëtarëve  zonës, është hedhur short, dhe shorti i ra djaloshit patrioti Avni Rustemit, i cili njihej edhe si mik i ngushtë i Seit Frashërit”. Një tjetër pinjoll i asaj familje  në Frashër ishte edhe Kadri Skënderi, patriot rilindas dhe mësues i gjuhës shqipe në zonën e Dangellisë. Gjatë gjithë periudhës komuniste Seit Frashëri por edhe fëmijët kanë qenë të survejuar nga agjentë të Sigurimit të Shtetit, duke u përpjekur vazhdimisht të  burgosen, internohen apo edhe  të bëhen bashkëpunëtorë të tyre. Pas çlirimit familjes së Seit Beut ju hoq nga regjimi komunist “triska e frontit” dhe shiheshin me syrin e njerëzve që donin “përmbysjen e pushtetit popullor”, dhe do të rehabilitoheshin vetëm në vitin 1967. Të flasësh dhe të shkruash për familjen e madhe të Seit Bej Frashërit duhen ndoshta netë dimri, për të promovuar vlerat dhe kontributin e tij si patriot dhe luftëtar në ndihmë të çështjes së madhe të Atdheut. Ai do të ishte personazhi i disa emisioneve të Radio -Tiranës në vitin 1971, lidhur me kujtimet e çetave luftëtare të fillimshekullit të XX, kurse foton  e tij historianët e kohës do ta vendosnin në Muzeun Kombëtar, në krah Heroit  Çerçiz Topulli, e mjaft atdhetarëve të mëdhenj, duke qenë dëshmi e gjallë e historisë së Shqipërisë në shekullin e kaluar. Shoqata “Djemtë e Frashërit”, prej afro 2 vitesh i kanë propozuar Presidentit të Republikës (në detyrë) zotit Nishani, dekorimin e Seit Bej Frashërit, njeriut që për gjysëm shekulli u la në hije, por që Dangëllia nuk e ka harruar kurrë birin e saj, luftëtarin trim të çetës së Çerçiz e Bajo Topullit, “ballistin” që gjatë pushtimit nazist, shpëtoi Frashërin tre herë nga zjarri gjerman, duke sakrifikuar ti digjen edhe pronat e sarajet e tij.

Përgatiti:ARTUR AJAZI

SHKARKO APP