E drejta për pension, shqiptarët e Italisë kërkojnë takim me Kryeministrin italian
Mbi 10 mijë shqiptarë në Itali kanë firmosur një peticion online që kërkon të drejtën e pensioneve për emigrantët dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje mes Italisë e Shqipërisë për njohjen e viteve të tyre të punës në dy vendet. Emigracioni shqiptarë në Itali ka mbushur sivjet 30 vite dhe emigrantët e parë të mbërritur në fillim të viteve ’90 janë tashmë në moshë pensioni. Mungesa e një marrëveshje të tillë është një peshë negative për një jetë dinjitoze të pleqërisë së tyre.
Pak orë më parë në Parlamentin Italian është hedhur poshtë amendamenti i propozuar nga Senatori italian i Partisë Demokratike Tomaso Nannicini i cili kërkoI që në dekretin “Ristori” me masa ekonomike shtesë në bilancin e ardhshëm ekonomik të vendit , influencuar dhe nga emergjenca shëndetësore, të përfshihej dhe “Marrëveshja dypalëshe mes Italisë e Shqipërisë në fushën e sigurisë sociale”. Kjo marrëveshje do t’i garantonte punonjësve emigrantë shqiptarë me vite pune dhe në Shqipëri, të drejtën e pensionit të plotë në Itali.
Konkretisht amendamenti i propozuar nga senatori italian kërkonte një shtesë me 20 milionë euro në bilancin e vitit 2020 e 2021 për të mbuluar realizimin e kësaj marrëveshje e që përgjithësisht do të bënte që bilanci për shërbimet e mbrojtjes sociale të rritje në 285 milionë euro për vitin 2021, e në 305 milionë euro për vitin 2022.
Mos aprovimi i këtij amendamenti duket se ka shuar dhe një herë shpresën e emigrantëve shqiptarë të Italisë për të realizuar kërkesën e tyre.
Për këtë në peticionin online i cili deri më sot mban firmën e mbi 10 mijë emigrantëve shqiptarë, kërkohet një takim me Kryeministrin italian Giuseppe Conte, me Ministrin e jashtëm Luigi Di Maio dhe me Ministren e Çështjeve Sociale Nunzia Catalfo.
Aktualisht në Itali jetojnë 40 855 shqiptarë baraz me 8.4% të numrit të përgjithshëm të emigrantëve në Itali që janë mbi 5 milionë.
Mbi 53% e shqiptarëve të Italisë, rreth 286 mijë janë punonjës me kontrata të rregullta pune e mbi 46 917 janë sipërmarrës. Punonjësit emigrantë shqiptarë janë kontribuues të rëndësishëm të ekonomisë italiane. Të ardhurat e tyre të deklaruara janë mbi 4 miliardë euro në vit e mbi 435 milionë është shuma e taksave vjetore të paguara për të drejtën e pensionit, e drejtë që ligjërisht nuk është e garantuar.
Italia ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe për pensionet e emigrantëve me disa vende të botës por jo me Shqipërinë,
Prej vitit 2013 shqiptarët e Italisë luftojnë për njohjen e kësaj të drejte.