Festivali i muzikës moderne nën ritmet e xhazit e soulit, nga Shkodra në Vlorë
Festivali i Muzikës Moderne rikthehet për të gjashtin vit, por nga vendlindja Shkodra, vjen në Tiranë e më tej në Vlorë, duke sjellë pak nga magjia e xhazit, soulit, alegoria e salsës etj.
Festivali, i kthyer tashmë në traditë, nis nesër e do të vijojë për tre netë, me emra të njohur muzikantësh.
E ka nderuar këtë festival Gianni Dall’Aglio (bateristi i Adriano Celentano-s), Luca Marianini (tromba parë e Pavarotti & Friends) etj. Festivali mbështetet këtë vit nga Ministria e Kulturës, duke pasur mundësinë të dalë përtej kufijve lokalë. Aktiviteti do të zhvillohet në Shkodër, te Fototeka Kombëtare “Marubi” (nata e parë), në Tiranë te rr. “A.Z.Çajupi” (nata e dytë) dhe në Vlorë te Kozum Baba (nata e tretë).
Stilet muzikore do jenë xhaz, pop, bluz, flamenko, salsa, tradicionale të modernizuar. Si çdo vit, do të jenë të ftuar grupe dhe artistë të huaj nga Italia: pianisti Emiliano Paterlini, kontrabasisti Gabriele Rampi, këngëtarja Ileana Fulico, saksofonisti Giovanni Fochesato, bateristi Federico Negri, nga Brazili Eclesio Ramos, si dhe balerinët profesionistë të vallëzimit latin (salsa & bachata).
Sipas drejtorit Artistik dhe organizatorit të festivalit, Eugjen Gargjola, gjatë këtyre tri netëve do të paraqiten para publikut muzikantë të përzgjedhur shqiptarë, Big Band, si dhe Kuarteti i Harqeve.
“Shkëmbimi i eksperiencës dhe bashkëpunimit mes artistëve të ndryshëm u shërben vlerave kulturore të vendit, si dhe përcjelljen e tyre edhe jashtë kufijve. Pjesëmarrja e muzikantëve të shquar ndërkombëtarë në bashkëpunim me artistët tanë krijojnë larmishmëri stilesh muzikore dhe impakt pozitiv te publiku dhe ndihmon që kjo traditë të vazhdojë ndër vite”, thotë Gargjola.