Hasimja: Pa hapjen e shkollave s’mund të hapet ekonomia, në çdo skenar viti nuk mund të digjet

Këtë javë qeveria pritet të marrë një vendim për rihapjen e shkollave. Pedagogu, Ermal Hasimja, thotë se është imediate që shkollat të hapen pasi me to është e lidhur dhe vetë hapja e ekonomisë.

Për Rtv Ora ai thotë se duhet bërë balanca mes dëmeve që mund të shkaktojë vazhdimi i mbylljes ekonomike dhe dëmeve që mund të shkaktojë pandemia në fjalë.

Hasimja: Është vendim që e marrin politikanët, por është mirë që të pyesin jo thjesht mjekët por edhe ekonomistët. Mendoj që shkollat duhet të rihapen duke plotësuar të gjitha standardet e nevojshme. Pas 40 ditësh në karantinë dhe me mbibombardim me lajme të frikshme dhe horror, njerëzit kanë arritur një lloj ndërgjegjësimi.Në rastin e shkollave dhe plot bizneseve është e qartë dhe e sigurt që ata që punojnë por dhe vetë punëdhënësit do të tregojnë maksimumin e kujdesit për të shmangur rastet e infektimeve. 

Shumicat e infektimeve janë bërë në zona ku ka nivel më të ulët përgjegjshmërie dhe kujdesi ndaj shëndetit. Me mbyllje të plotë mund ti shpëtojmë ndoshta virusit por është e sigurtë që nuk i shpëtojmë dot problemeve ekonomike. OKB përllogarit që vitin e ardhshëm mund të vdesin me miliona vetë më shumë se një vit më përpara për shkak të urisë, pra pasojave ekonomike që do të shkaktojë pandemia. Duhet bërë balanca mes dëmeve që mund të shkaktojë vazhdimi i mbylljes ekonomike dhe dëmeve që mund të shkaktojë pandemia në fjalë.

Por sa e rrezikshme mund të jetë hapja? Hasimja thotë se duhet të ketë një rihapje shkollash me numër të kufizuar nxënësish dhe përmbushjen e të gjitha kushteve higjenike.

Koshient që jo të gjitha shkollat në Shqipëri mund të përmbushin këto kritere, Hasimja thotë se duhet të shkojmë edhe me një hapje të pjesshme pasi nuk mund të rrezikohet i gjithë sistemi për një pjesë.

Hasimja: Ka rrezikun e vet. Nuk ka asnjë vendim që do të çojë në një skenar të parrezikshëm, duhet të zgjedhim rrezikun më me pak pasoja. Hapja e shkollave është e lidhur me hapjen e ekonomisë. Shumë prindër do të jenë të detyruar të ruajnë fëmijët ose nëse nuk do ti ruajnë do ti vendosin në mjedise me fëmijë të tjerë që është e njëjta gjë.Me shumë gjasa fëmijët mund të jenë shumë më të ruajtur në një klasë me 10 veta, kur flas për hapjen e shkollës nuk flas për hapje me 30 veta në klasë, por fëmijët mund të jenë shumë më të ruajtur në një klasë ku janë 10 veta me distancat e tyre, me dizenfektimet dhe kujdesin e mësuesit sesa të jenë 6 apo 7 në një shtëpi të mbledhur me komshinjtë, me kushërinjtë nuk ka më pastaj asnjë masë distancimi fizik. 

Përveç kësaj është edhe rëndësia që ka vetë procesi mësimor. Fëmijët janë ata që më pak i tregojnë pasojat psikologjike të karantinës por nuk është se i vuajnë më pak, përkundrazi ndoshta i vuajnë më tepër. Kjo mbyllje e stërgjatë duhet parë se çfarë pasojash ka. Nga pikëpamja shëndetësore, fëmijët janë përcjellësit më të këqinj të virusit, janë ata që rrezikojnë më pak. 

Pra hapja e shkollave duhet bërë në kushte të larta sigurie, me përgjysmim të klasave, psh jo më shumë se 10 nxënës në klase, me kushte dizenfektimi, mbajtjen e maskave etj. Ndoshta nuk do të mund të bëhet në gjithë Shqipërinë, por nuk mund të rrezikojmë gjithë sistemin për pjesën që nuk do të mund të plotësojë kriteret. Shteti do të duhet të caktojë disa kritetere për hapjen e shkollave dhe në bazë të tyre mund të vërtetohet nëse shkollat janë në gjendje të hapen apo jo.

Sa i takon mësimit online, ai shton se në një pjesën dërmuese nxënës dhe mësues kanë pasur probleme me internetin.

Hasimja: Procesi në përgjithësi nuk ka qenë dhe aq efikas sepse një pjesë e mirë e nxënësve dhe mësuesve kanë pasur probleme me internetin, rreth 60-70% e tyre.  Ka një pakicë shkollash serioze private dhe ndoshta një grup shkollash publike që janë përpjekur të bëjnë maksimumin dhe besoj se ja kanë arritur. Në këtë sens shkolla i ka hequr fëmijët nga ekrani ku shikohen lajme horror dhe i ka mbajtur fëmijët të fokusuar te librat dhe mësimi. 

Është një pakicë shkollash që kanë bërë mësim tamam dhe prandaj është e rëndësishme të mendohet rihapja e shkollave dhe rikthimi te shkollat qoftë edhe me vonesë, qoftë edhe me 15 maj. Shkolla mund të zgjatet deri në fund të qershorit ose në mes të korrikut. E sigurt është që viti nuk mund të digjet. Rihapja duhet menduar seriozisht dhe është e pashmangshme.

SHKARKO APP