Humanizmi i një mjeku model

Nga Fran Gjoka/ Të flasësh për njerëz të zakonshëm nuk është e lehtë, pasi tek ata mungon dëshira për dukje, mungon hipokrizia, por kanë me shumicë ndjenjë, pasion, dashuri e humanizëm, gjëra, të cilat ne i kërkojmë tek “heronjtë”.  Por në të vërtetë heronj janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të përkushtuar, që sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal dhe bëjnë të pamundurën për t’i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. Dhe unë këta do t’i quaja heronj. Le të ndalemi tek njëri prej atyre njerëzve të sakrificës, të përkushtimit, të vetëmohimit dhe të pastërtisë morale. Ky është mjeku i nderuar dhe i shumërespektuar, Doktor Naim Shtylla, i lindur në fshatin Shtyllë të rrethit të Korçës, një fshat me tradita të larta patriotike dhe shumë arsimdashës. Nga ky trung familjar i Shtyllës janë ngjizur cilësitë karakteriale të tij, që përcollën në breza, traditën, zakonet, si trimërinë, burrërinë, bujarinë dhe mençurinë popullore e shoqërore të tij. Nga ky fshat i vogël kanë dalë njerëz të mëdhenj, shumë kuadro të lartë, të cilët kanë punuar me devocion në të gjithë Shqipërinë. Babai i Doktor Naimit, Hysen Shtylla patriot dhe veteran, ka marrë pjesë në çetat patriotike të kohës dhe në luftën e Vlorës në vitin 1920. Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, ka qenë kryetar i Këshillit Antifashist dhe ka ndihmuar me të gjitha mënyrat luftën.

Dhe Doktor Naimi u rrit dhe u formua në këtë familje me tradita të larta patriotike, u mëkua që të donte vendin e tij dhe njerëzit. Prandaj ai ëndërronte të bëhej mjek dhe e filloi si një student i thjeshtë, trupvogël, por mendjendritur. Diplomohet në vitin 1965 në Universitetin e Tiranës, në degën e Mjekësisë së Përgjithshme, duke u bërë kështu mjek i përgjithshëm. I mbushur me besim në vetvete dhe plot entuziazëm për t’u shërbyer njerëzve, Naim Shtylla synon.

Për dy vjet kryen specializimin për kirurg në kliniken e kirurgjisë së përgjithshme në Spitalin Nr. 2 në Tiranë. Pas stazhit, për tre vjet, punon si ordinator në këtë klinikë. Dallohet për aftësi, përgatitje shkencore, seriozitet dhe humanizëm të lartë. Duke vlerësuar aftësitë dhe përgatitjen e tij, e marrin dhe për pesë vjet ku punon si pedagog i jashtëm në fakultetin e mjekësisë dhe në shkollën e mesme mjekësore në Tiranë.

Pastaj, me kalimin e viteve, Doktor Naimi ecën përpara në profesionin e nderuar të mjekut. Ne vitet 1970 – 1975 transferohet ne spitalin e Ersekës, ku u hap për herë të parë shërbimi i kirurgjisë dhe obstetrik-gjinekologjik. Megjithëse, në një zonë të thellë, i ri në moshë dhe profesion përballoi me sukses punën e vështirë në këto profile duke lenë gjurmë të pashlyera në kujtesën e të gjithë atyre që u shërbeu dhe të atyre me të cilët punoi.

Ai nuk kërkon rehatinë e tij, por shërbimin ndaj njerëzve, prandaj nuk refuzon transferimin nga Erseka për në Siptalin e Lezhës, ku qëndron deri në vitin 2008, vit kur del në pension. Gjithë këto vite në periudha të ndryshme ka qenë shef i shërbimit të kirurgjisë, shef i poliklinikës dhe i Urgjencës pranë Spitalit të Lezhës.

Naimi u martua me një vajzë lezhjane, nga radhë e njerëzve të thjeshtë, vajza e Caf Dervishit. Myzejen Dervishi dalloi tek ky mjek cilësitë më pozitive dhe u bashkua si një partnere e denjë për t’i shërbyer popullit të vendit të saj. Ajo punoi me përkushtim dhe sakrifikoi ditën e natën për t’ju shërbyer fëmijëve, brezit të së ardhshmes.

Doktor Naimi shquhej gjithmonë për komunikim dhe marrëdhënie korrekte me pacientët, koleget dhe personelin mjekësor të spitalit. Pacientet i shikonte si njerëz ndaj, të cilëve duhej bërë një shërbim sa më cilësor dhe asnjëherë nuk i pa si “klientë”. Doktor Naimi ka qenë gjithmonë vetvetja në çdo koniunkturë politike që ka kaluar. Ka një individualitet superior të shprehur nëpërmjet punës pa poza e pretendime për t’u dukur. Pasuria me e madhe e Naimit mbetët personaliteti i tij njerëzor dhe sjellje e kulture, që i kanë dhënë lumturi e mirëqenie shpirtërore. Dituria profesionale dhe intelektuale janë velloja e artë që ia ka zbukuruar personalitetin e tij shoqëror. Në një kohë aventurash si kjo e sotmja, ku njerëzit kanë rëndur pas fitimit për t’u pasuruar me çdo çmim moral, duke braktisur diturinë, ata që mbetën njerëz në ndjesi janë të paktë. Zilia e të tjerëve ia ka prishur ndonjëherë lumturinë, por doktor Naimi e ruajti qetësinë. Kurrë nuk beri kompromis me karakterin e tij dhe kur ka qenë përballë përfitimeve të mirave materiale e famës shoqërore. Mbeti i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësinë. Ja çfarë thotë një i moshuar, kur i përmendet emri i Doktor Naimit: “Eh, more bir! Kam në shpirt një dashuri të papërshkruar, një respekt të jashtëzakonshëm për këtë njeri. Më duket se i kam një borxh të madh, që nuk arrita kurrë ta shlyej. Kisha djalin dhjetëvjeçar të sëmurë. E dërgova menjëherë në spital, ku u takova me Doktor Naimin. Ai e pa dhe urdhëroi menjëherë të bëhej gati salla e operacionit. Djali duhej të operohej për apendisit akut me peritonit.  Doktori shkoi të bëhej gati për operacionin, pasi më sqaroi dhe unë e miratova këtë gjë dhe shkova në dhomën e djalit. Të them të drejtën isha shumë keq ekonomikisht. Më vjen turp ta them, por as mbathje për djalin nuk kisha, veç një palë pantallona të shkurtra të arnuara. Dikush aty më tha se duhej të paguaja për mjekun, për infermieret, për… etj. sa që unë u tremba dhe shkova menjëherë tek doktori. I thashë se nuk dua ta bëj operacion djalin. I kërkova që të më jepte ilaçe t’ia bëja në shtëpi. Ai më pa, më hetoi dhe më tha: -Përse ndryshove mendim? Djali nuk mund ta përballojë një plasje të apendicitit, sepse ai ka dhe gjendjen e përgjithshme të dobët. Do ta rrezikosh fëmijën tënd? Apo ke ndonjë hall tjetër? Më zuri ngushtë. I thashë se nuk isha mirë nga ana ekonomike dhe s’kisha me se të paguaja punën që po bëni. Nuk e kisha parë ndonjëherë më të nevrikosur, sepse ai ishte gjithmonë natyrë e qetë. M’u lëshua: -Kush të ka thënë se duhet të paguash? Të lutem, më trego se kush është ai njeri që të ka thënë gjëra të tilla? Fytyra i ishte skuqur. Përfundimisht i thashë se më tha X person. Doli me nxitim nga dhoma ku po bëhej gati dhe shkoi drejt e tek ai person. E dëgjoja se si shfrynte nga zemërimi tek i fliste shumë ashpër. Dëgjova tek i tha: -Nuk të vjen turp? Fëmija nuk ka rroba për të veshur dhe ti kërkon të abuzosh në këtë mënyrë? Që tani largohu nga spitali dhe me vone do te merrem dhe me ty! Dhe doli. Unë iu afrova dhe shumë i turpëruar, i them: -Doktor, të lutem më fal, mos u merr me atë person! Të lutem! Më pa, pastaj heshti. Operoi djalin tim dhe vinte pothuajse çdo ditë, edhe kur doli nga spitali që të ndiqte gjendjen e fëmijës, pasi ishte shumë dobët. Vinte nga qyteti në këmbë deri në fshatin tim. Dhe sot djali im është gjallë në sajë të Zotit në qiell dhe të Doktor Naim Shtyllës mbi tokë.”

Raste të tilla numërohen më mijëra për karrierën e këtij mjeku të talentuar, njeriu të përsosur dhe prind shembullor. Kështu është rritur dhe edukuar dhe djali i tij i vetëm, Erioni, i cili ka kryer studimet dhe masterin në Universitetin e Romes “La Sapienza” për Jurisprudencë.

Për merita të shquara, kirurgu  Naim Shtylla është dekoruar disa here nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të asaj periudhe. Dekoratën për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore, Urdhër për Shërbime të mira ndaj popullit, Urdhër Pune të Klasit të Parë, Medalje “Ylli i Kuq”. Medalje Trimërie për një ngjarje aksidentale automobilistike të ndodhur në Kreshtë të Rrethit të Lezhës, në një mot të egër me dëborë, ku, bashkë me kolegët, shpëtuan disa jetë njerëzish. Për shërbime të shquara është nderuar me titujt e mëposhtëm: “Qytetar i Merituar i Qarkut të Lezhës”, në vitin 2009, “Qytetar Nderi” i Lezhës në vitin 2013, “Mirënjohje e Qytetit të Shëngjinit” (Komuna Shëngjin) ne vitin 2013 etj.

Sot, doktor Naim Shtylla është në pension, por asnjëherë nuk i harron shokët, miqtë dhe pacientët e tij në të gjitha zonat e Shqipërisë. Është aktiv dhe në rrjetet sociale, ku përherë e më shumë rriten vlerat e tij. Nga puna dhe vlerat e këtij njeriu kanë se çfarë të mësojnë, të frymëzohen dhe të udhëhiqen mjekët e rinj, për të mos e “njollosur” bluzën e bardhë të humanzmit. I urojmë jetë të gjatë dhe të lumtur në familjen e tij, Doktorit të Nderuar, zotit Naim Shtylla!

SHKARKO APP