Java nis me kthjellime, por temperaturat do të vijojnë të jenë të ulëta
E diela e Pashkëve riktheu edhe të ftohtin me reshje shiu në zonat e ulëta dhe borë në zonat malore.
Kushtet e motit pritet të përmirësohen gradualisht gjatë në orët e vona të pasdites.
Meteorologia, Adiola Bami, nga Meteoalb thotë për Ora News se java do të nisë me kthjellime, të paktën paraditja e ditës së hënë dhe të martë por temperaturat do të vijojnë të jenë të ulëta.
“Kemi pasur rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit me të paktën 10 gradë presim sot gjatë mesditës, po ashtu mëngjesi ka pasur një rënie me 6-7 gradë, kryesisht në zonat veriore dhe verilindore ku kemi pasur dhe reshje dëbore nga mbrëmja e djeshme dhe mëngjesin e sotëm. Këto kushte të motit do të na shoqërojnë sot deri në orët e vona të pasdites ku presim një përmirësim gradual të kushteve të motit duke bërë që të kemi ditën e hënë me kthjellime edhe pse temperaturat do të vijojnë të mbeten të ulëta krahasuar me muajin në të cilin ndodhemi.E hëna dhe e marta gjatë paradites na sjellin mot të kthjellët dhe të freskët”.