Konica mes librave, foto e aONICA MES LIBRAVE

Nga Ilir Ikonomi

Faik Konica ishte bibliofil i madh. I përpinte librat, i mbante mend mirë dhe i bënte pjesë të punës së tij. Më pëlqen mënyra sesi ai citonte nga ato që lexonte.

Kur po shkruaja biografinë e tij, trembesha se nuk do të gjeja dot një foto të Konicës me libra. Një ditë shkova në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, kërkova disa orë dhe gjeta dy foto të panjohura: njëra ishte portreti i tij zyrtar, që siç duket Konica ia kishte shpërndarë shtypit në vitin 1926 me rastin e fillimit të punës si ministër i Mbretit Zog në SHBA; tjetra ishte bërë më 7 prill 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia – Konica duke dëgjuar i trishtuar lajmet. Në asnjërën prej tyre nuk ishin librat e tij të famshëm.

Qëllova me fat sepse njëri nga punonjësit e Bibliotekës e kuptoi se bëhej fjalë për një shqiptar të jashtëzakonshëm dhe më premtoi të pyeste në një depozitë ku ruheshin fotografi të vjetra të gazetave amerikane. Përgjigja erdhi shpejt. Një fotografi e mrekullueshme e tregonte Konicën duke lexuar mes një grumbulli librash, ulur në kolltuk, me katër llulla në krah të majtë.

Njerëz të ndryshëm e kuptojnë librin në mënyrë të ndryshme. Konica na e jep me pak fjalë vlerën e një libri të mirë kur tregon se si një mbrëmje, duke pirë çaj, mori të lexonte nga biblioteka e tij “Prometeun e lidhur” të Eskilit, shkruar 2400 vjet më parë. Eskili flet për disa të vërteta mbi natyrën njerzore që nuk kanë ndryshuar as sot e kësaj dite, aq sa e bëjnë atë libër si të ishte shkruar dje. “Një librëz dyzetfaqesh, – shkruan Konica. – Mund ta ngrejë një foshnje me majën e një gishti se ky librëz është i lehtë si një pendë. Dhe nuk është vetëm një libër. Është një monument. Një monument me aq rëndësi sa njerëzit viganë të bashkuar s’mund ta luajnë nga vendi”.

Kjo foto e pavdekshme, që na e jep Konicën madhështor në botën e tij të vërtetë, është bërë në prill 1939.

SHKARKO APP