Konkursi – Konsujt e Nderit, shpallen fituesit e eseve më të mira të studentëve
Studentë të diplomuar në shkencat politike dhe në fushën e diplomacisë u angazhuan në konkursin me ese “Diplomacia e Konsujve të Nderit në Shqipëri”. Një juri e përbërë nga 4 diplomatë me karrierre brenda dhe jashtë vendit vlerësuan esetë më të mira dhe përgëzuan studentët që përmes punimeve të tyre I bëjnë jehonë aktivitetit të konsujve të nderit.
Fabiola Islami, është fituesja e çmimit të parë e konkursit të Esesë “Diplomacia e Konsujve të nderit”, nismë e Shoqatës “Konsujt e nderit në Shqipëri”.
Është studente e nivelit master për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.
Eseja mbi rolin diplomatik dhe punën e Konsujve të Nderit u vlerësua nga juria si më e mira nga prurjet e të rinjve.
Fabjola Islami: Ishte temë shumë interesante, në fakt nuk kishim shumë infromacion më ka ndihmuar shefi i departamentit Erjon Hidha, që e falenderoj shumë. Më është dashur gati një muaj për të realizuar esenë. Mu duk shumë e bukur dhe nuk ka shumë material. Të rinjtë duhet të marrin iniciativën për të punuar rreth kësaj teme dhe duhet të ngulmojnë për informacione rreth Konsujve të Nderit.
Enxhi Nasto fitoi çmimin e dytë, ndërsa Leonard Leka u shpall fitues i vendit të tretë.
Në konkursin e çelur disa muaj më parë morën pjesë studentë të nivelit bachelor dhe master, si dhe të diplomuar kryesisht në shkencat politike, marrëdhënie ndërkombëtare në universitet publik dhe jo publik në Shqipëri.
Pjesëmarrësit me esetë më të mira u vlerësuan me çertifikatë për impenjimin dhe punën e tyre për të njohur dhe për të dhënë informacion mbi misionin e Konsujve të Nderit.
Të rinjtë fitues u përzgjodhën nga një juri e përbërë nga ekspertë të fushës dhe më nje përvojë të gjatë si diplomat.
Çlirim Cepani, me një karrierë të pasur në diplomaci, ish-ambasador në shumë vende të botës.
Bujar Lybesha, Konsulli i Nderit të Marokut, anëtar i Shoqatës Konsujt e Nderit në Shqipëri.
Dritan Hila, ish-Konsull i Shqipërisë në Itali, gazetar.
Afrim Krasniqi, Drejtor i Institutit të Studimeve Politike.
Bujar Lybesha: Ne bëmë vlerësimin e tyre dhe punimet ishin relativisht të mira dhe kjo ishte si një pjesë e parë e aktiviteteve të para të të rinjëve dhe studentëve të organizuar shoqata jonë dhe mendoj se ky nuk do të jetë aktiviteti i fundit për të angazhuar shumë të rinj që të njihen me diplomacinë e Konsujve të Nderit.
Në Shqipëri ka aktualisht shumë pak publikime mbi rolin dhe punën e Konsujve të Nderit dhe kurrikulat e studimeve për Shkenca Politike / Diplomaci nuk përmbajnë informacion të thelluara mbi këtë pozicion të rëndësishëm të diplomacisë.
Përmes këtij konkursi të rinjtë njohën më nga afër punën dhe misionin e Konsujve të Nderit si ura lidhëse mes vendeve të ndryshme të botës, për ti afruar ato dhe për ti shërbyer qytetarëve respektivë.