Krijimtaria e Enio Morricone mbush sallën e Teatrit “Petro Marko”

Një atmosferë festive, e ngrohtë dhe emocionale, shoqëroi koncertin e Ansamblit Instrumental Italian “Le Muse”, në sallën e Teatrit “Petro Marko” në qytetin e Vlorës, të mbushur plot me artdashës, në një mbrëmje artistike të pazakontë.

Ky koncert, organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, u prit me mjaft interes nga publiku vlonjat, që, si rrallë herë shoqëroi në një pjesë të madhe të kohës repertorin e këtij ansambli, të përzgjedhur nga krijimtaria e Mjeshtrit Enio Morricone që ka shërbyer si kolonë zanore në filma të njohur Hollywood-it.

“Le Muse” është një ansambël instrumental i përbërë nga instrumenstise femra, të rritura dhe formuara artstikisht në grupin historik “Rondo Veneziano”. Në Projektin “Musiche da Oscar”, formacioni është i përbërë nga muzikante klasike, çka i ka shërbyer përmbushjes së objektivit për të arritur në një koherencë vlerash interpretative në përshtatje me temat origjinale të përzgjedhura për koncertin.

Formacioni që drejtohej nga Mjeshtër Andrea Albertini, u prezantua përpara artdashësve vlonjatë me repertorin e zgjedhur nga krijimtaria e Morricone, duke veçuar kolonat zanore më të famshme të tij, që shtrihet në një hark kohor nga vitet ’60-të, deri në ditët e sotme, me kolonën zanore që fitoi Çmimin Oscar në vitin 2016.

“The Hateful Eight”, “Per un pugno di dollari”, “Il buono, il brutto e il cattivo”, “C’era una volta al West”, “Indagine su un cittadino al di sopra di ogni sospeto”, “Giu’la testa”, “Sacco e Vanzetti”, “C’era una volta in America”, “Mission”, “Nuovo Cinema Paradiso” dhe “Malena”, me regji të emrave të njohur si Sergio Leone, Giuliano Montaldo, Giuseppe Tornatore, ishin disa prej filmave të njohur tashmë për publikun e gjerë, por që u sollën për auditorin përmes kolonave të tyre zanore, interpretuar me mjeshtëri të lartë artistike nga instrumentistet italiane.

Mes tyre, kolona zanore e filmit “Sacco e Vanzetti”, “Per un pugno di dollari”, etj, u pritën me mjaft ngrohtësi nga publiku, që i shoqëroi ato me duartrokitje të vazhdueshme.

Ky repertor u bë edhe më emocional, nga interpretimi i vokalistes Angelica De Paoli, e cila u vlerësua nga artdashësit për profilin e lartë artistik.

Secila prej pjesëve të programit, e prezantuar nga drejtuesi i formacionit Andrea Albertini, u shoqërua prej tij me anekdoda, kuriozitete, shënime historike dhe biografike, ndërkohë që në sfond, në një ekran gjigand, një seri imazhesh dhe episode nga filmat, shoqëruan respektivisht të gjithë koncertin.

Në nisje të këtij aktiviteti, Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Alita Micheli, vlerësoi për të pranishmit se, ky koncert që organizohet në kuadrin e Festës së Republikës Italiane, është pjesë e promovimit të vlerave të kulturës italiane dhe e atmosferës tepër miqësore dhe marrëdhënieve të shkëlqyera tradicionale që ekzistojnë mes popullit italian dhe atij shqiptar, posaçërisht vlonjat. Ajo evokoi atë ditë të 2 qershorit të vitit 1945, kur populli italian me votën e tij i tha jo monarkisë, duke zgjedhur si formë të qeverisjes Republikën.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, falenderoi Bashkinë e Vlorës, si dhe Teatrin “Petro Marko” e drejtorin, Dhimitër Furxhi, artistin Aulon Naçi, për mbështetjen në realizimin e këtij aktiviteti.

Aktivitetet e organizuara nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, janë intensifikuar dukshëm, çka është vlerësuar edhe si një mundësi jo vetëm për të pasuruar jetën artistike e kulturore në Vlorë, por edhe për të njohur artin e kulturën italiane.

SHKARKO APP