Kronikë e vrasjes së një tirani
Cezari, pavarësisht paralajmërimeve ogurzeza dhe frikërave të të afërmve dhe miqve, atë mëngjes të marsit të vitit 44 para Krishtit, shkoi i pashoqëruar drejt Senatit, ku e prisnin Bruti, Cassio dhe komplotuesit e tjerë, me thikat e fshehura nën rroba. Donin të shpëtonin Republikën, por përshpejtuan agimin e Perandorisë
Idet e marsit në atë vit 44 para Krishtit, binin në 15 të muajit, pra duhej pak a shumë edhe një javë. Gjatë një darke në shtëpinë e Marco Lepidos, mik i Cezarit dhe komandant i kalorësisë, kish nisur një diskutim mbi një pasazh të “Ciropedias” së Senofontit, ku tregohet se si mbreti i persëve Kiri i Madh, kur ishte pranë vdekjes, kishte ilustruar me detajet më të hollësishme ceremonitë që priste për funeralin e tij. Kur iu kërkua të shprehë mendimin e tij, Cezari u përgjigj me një farë përçmimi se do të kish preferuar një vdekje të shpejtë dhe të papritur. “Subitam et celerem”, specifikon Scetoni, i cili e rrëfen këtë episod jo 8 ditë, por në vigjilje të Ideve të Marsit.
Thjeshtë koinçidencë, apo parandjenjë? Cezari, që kishte një natyrë praktike dhe një mendje racionale, nuk u besonte shenjave të fatit. Prandaj ai tallej me paralajmërimet dhe parashikimet e shumta që i bëheshin, nga njerëzit apo nga yjet, mbi një fatalitet që, njësoj si shpata e Demokleut, qëndronte mbi kryet e tij. Dhe sërish Svetoni rendit këto sinjale. Në Capua, ku legjionarët e tij kishin mbajtur toka për të mbjellë, ndërkohë që hiqnin varrezat e vjetra për të ndërtuar shtëpitë gjetën në varrin e themeluesit legjendar të qytetit, Capit, një tabletë bronzi ku ishte shkruar në greqisht: “Kur të kenë dalë në dritë kockat e Capit, një pasardhës i tij do të vritet nga njerëzit e gjakut të tij”.
Paralajmërime ogurzeza
Nga Rimini kishte ardhur lajmi se kuajt e tij të çliruar dhe shpallur të shenjtë në vitin 49, pas kalimit të Rubikoni nga ana e legjioneve të komanduar prej Cezarit, refuzonin që të kullosnin dhe bënin zhurma sikur po qanin. Spurinna, pasi kishte flijuar për Marsin dhe Dianën gjatë festës së Lupercalias – festohej në mes të shkurtit, në nder të ujkonjës që kishte ushqyer Romulin dhe Remin – e paralajmëroi që të bënte kujdes gjatë Ideve të marsit. Dhe pikërisht në prag të asaj dite, një zog i vogël që mbante në sqep një degëz dafine hyri në Curian e Pompeos, aty ku mblidheshin senatorët, dhe u sulmua nga një grumbull zogjsh grabitqarë. Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto paralajmërime, një natë para ditës fatale Cezari pa në ëndërr se fluturonte mbi re dhe mbante shtrënguar kokën e Jupiterit, ndërkohë që e shoqja Calpurnia ëndërroi sikur çatia e shtëpisë u shemb dhe i shoqi gjeti vdekjen mes krahëve të saj. Pak për shkak të natës me dnërra të këqia që sapo kish kaluar por mbi të gjitha prej këmbënguljes së Calpurnias – ajo ishte shumë supersticioze – që e luste të mos shkonte në Curia, atë mëngjes të 15 marsit Cezari vendosi gjithësesi të anulonte takimin në Senat. Por, ja tek i erdhi Decimo Giunio Bruto, një mik dhe frekuentues i shpeshtë i shtëpisë së tij, i cili i tha se shumë senatorë po e prisnin tashmë dhe nuk duhej që t’i zhgënjente. A mos vallë donte që t’u thoshte se mbledhja e Senatit do të shtyhej për shkak të një ëndrre të keqe që kishte parë Calpurnia? Një sjellje e tillë me siguri që do të fyente anëtarët e Senatit dhe do të bënte të shpërthenin kritikat e atyre që e akuzonin si tiran. Nëse këmbëngulte në vendimin e tij, të paktën të shkonte vetë për të informuar senatorët, me qëllim që të shmangte një përplasje institucionale e cila do të kish dëmtuar imazhin e tij. Kështu Cezari pranoi dhe në 11 të paradites, doli nga shtëpia nën shoqërinë e Decimo Brutos.
Këmbëngulja e këtij Bruti – që nuk duhet të ngatërrohet me pothuaj homonimin Marco Giunio Bruto, i cili ishte një prej krerëve të komplotit kundër Cezarit – shpjegohet me faktin që edhe ai ishte pjesë e komplotit, pavarësisht familjaritetit që e lidhte me diktatorin dhe i lejonte që të shkonte në shtëpinë e tij në një orë të pazakontë, për ta bindur të hiqte dorë nga një vendim që e kishte marrë tashmë. Detyra që i kishin besuar ishte pikërisht që të sigurohej që Cezari të vinte atë ditë në Senat. Mision i përmbushur, pavarësisht një ndodhie që për pak kish hedhur gjithçka në erë. Kish ndodhur që, ndërsa ndodheshin rrugës për në senat, një tip iu afrua karrocës ku ndodhej Cezari dhe i dha një copë letër. I shtyrë nga shoqëruesi i tij dhe duke menduar se bëhej fjalë për një lutje, Cezari e vendosi mes letrave të tjera që kish me vete, duke menduar ta lexonte më vonë. Nuk do të kishte kohë. Në atë copë letër ishte një denoncim i komplotit. Po ta kish lexuar do të kish shpëtuar dhe historia e botës do të kish rrjedhur ndryshe, por asgjë nuk e ndal dot fatin.
Komplotuesit në orbitën e Servilias
Ndërkohë komplotuesit, rreth njëzetë vetë, po mblidheshin në Curia që ishte ndërtuar prej Pompeut. Cilët ishin? Dhe pse e urrenin kaq shumë Cezarin, sa ta donin të vdekur? Decimo Bruto kish luftuar me Cezarin në Gali, duke u bërë kështu mik dhe njeri i besuar i tij – aq sa diktatori e kish përfshirë në testament – dhe që me dëshirë të vetë Cezarit do të bëhej konsull në vitin 42. Pra, e priste një karrierë politike brilante. Por në ata muaj të parë të vitit 44 kish ndryshuar mendje, ishte bindur se mbrojtësi i tij përbënte një kërcënim për lirinë e shtetit dhe duhej eleminuar, para se të shkatërronte Republikën. Ai që i futi në kokë këto ide dhe që e prezantuan me planin e komplotuesve ishte Bruti tjetër, Marco Giunio, i cili me Cezarin kishte marrëdhënie shumë më të forta dhe ndaj të cilit duhej të ishte shumë më mirënjohës. Ishte djali i Servilia Cepiones, një grua e bukur, e mençur, të cilën Cezari e kishte dashur për një kohë të gjatë. Marco Giunio Bruto, edhe pse mbante emrin e bashkëshortit të saj, mendohet të ketë qenë frut i asaj marrëdhënieje, e si pasojë bir i tij. Në Romë ishin të gjithë të bindur. Dhe duhej të ishte edhe Cezari, që ndaj atij djaloshi kish treguar dhembshuri dhe mirësi, ndonëse ia dinte pozicionet që ndryshonte herë pas here. “Nuk di çfarë do, por e do fort”, thoshte për të. Por ndjenja që nuk ndryshoi asnjëherë tek Bruti ishte armiqësia dhe mëria ndaj babait, që e shtynte të renditej gjithmonë krah armiqve dhe në fund ta tradhëtonte. Në Farsalo kishte luftuar në krah të Pompeut dhe me të ishte mundur, por Cezari e kishte falur. Me vdekjen e Pompeut, ishte bashkuar me ndjekësit e tij dhe pavarësisht kësaj mori komandën e Galisë Cisalpine, ku u tregua një administrator i zoti dhe i ndershëm. Në vitin 44 Bruto mori detyrën e Pretorit në krah të Gaio Cassio Longinos, me të cilin u vunë në krye të komplotit.
Ishte pikërisht Cassio që e bindi të bëhej pjesë, ashtu sikurse ai kish bindur Decimo Bruton. Edhe Cassio kishte milituar në flotën e Pompeut, vetëm se e kish braktisur sapo kish mësuar për humbjen në Farsalo, për të kaluar në anën e fitimtarit dhe bërë mik dhe këshilltar, gjë e cila nuk do e ndalonte, me sa duket, që t’i ngrinte një pritë gjatë fushatës që Cezari do të zhvillonte në Azi kundër mbështetësve të Pompeut. Ashtu si Bruti, edhe ai u bë pretorian në fillim të vitit 44, pikërisht në kohën kur së bashku përgatisnin komplotin. Por një gjë tjetër që i lidhte, ishte Servilia.
Ish e dashura e diktatorit ishte në fakt motra e Marco Porcio Catones, që mund të quhet si ideologu i konservatorëve dhe ishte mbështetësi më i fortë i pushtetit të senatit, përveçse armiku i gjeneralit fitimtar. Pas humbjes së Pompeut, i takoi ati të gjallërojë rezistencën ndaj padronit të ri të Perandorisë, nga provinca e Afrikës ku ishte strehuar. Dhe kur Cezari, në betejën e Tapsos, shkatërroi forcat pompeiane që ishin mbledhur aty, për të mos rënë në duart e tij kreu vetëvrasje në qytetin e Uticas: prej këtu mori famën e martirit të lirisë.
Komplotuesi i njëzetë
Bruti, përveçse nip i Catonit, ishte dhe dhëndrri i tij pasi ishte martuar me të bijën, Porzia. Sa për Cassion, edhe ai ishte pjesë e familjes, si bashkëshort i një prej vajzave të Servilias, e lindur nga një martesë e dytë. Pra, pavarësisht lidhjes së Servilias me Cezarin, burrat e shtëpisë së saj ishin të gjithë anticezarianë krenarë, që mbështesnin idealet çlirimtare të Catonit dhe që kërkonin të mbronin Republikën, e vënë në rrezik prej superpushtetit të Cezarit. Nëse këta ishin organizatorët e komplotit, shumë personazhe të tjerë më të vegjël ishin pjesë e tij, të shtyrë nga kundërshtitë personale kundrejt Cezarit, si Cassio, apo prej dashurisë së sinqertë për lirinë, si Catone, apo nga frika për fatet e shtetit, si Bruti. Ky i fundit shihte të shtoheshin sinjalet e një transformimi të Republikës në monarki. Në janar Cezari u konfirmua për herë të pestë në detyrën e konsullit dhe diktatorit. Në mes të shkurtit senati i konfirmoi diktaturën e përjetshme, kundër çdo rregulli institucional, sipas të cilëve një detyrë e tillë zgjaste vetëm 6 muaj dhe vetëm në raste emergjencash politike apo ushtarake. Dhe më pas, ditën pas dhënies së këtij titulli, kish ndodhur episodi i Lupercalit. Gjatë asaj feste – po ajo festë kur Spurinna i kish rekomanduar Cezarit të ruhej nga Idet e Marsit – kish ndodhur që, mu në mes të ceremonisë, Marco Antonio i kish vënë mbi krye Cezarit një kurorë të artë. Diktatori, i gjendur përballë mërmërimave mosaprovuese të turmës e cila ishte kundër rikthimit të mbretërve, e kishte hequr menjëherë. Po si të mos shohësh tek ai gjest i Antonit, pyeste Bruti dyshues, një tentativë jo rastësore për të matur reagimin e popullatës romake, përballë një rikthimi të mundshëm të monarkisë? Të gjithë këto arsye, pak a shumë fisnike, u jepnin zemër 20 komplotuesve që mëngjesin e 15 marsit të vitit 44 para Krishtit, u mblodhën në Curian e Pompeut për të vrarë diktatorin. Vinin të gjithë nga shtëpia e Cassios, ku ishin takuar, përveç Decimo Bruto, që kish shkuar të nxirrte Cezarin nga shtëpia e tij. Dhe përveç Marco Giunio Bruto, i cili lëvizi nga banesa e tij duke i rezistuar lutjeve të bashkëshortes Porzia, e cila trembej për fatin e tij. Ishin të gjithë të armatosur me thika, të fshehura nën toga, dhe ishin betuar që do t’i ngjyenin me gjakun e diktatorit. Cezari, i cili prej kohësh kish hequr dorë nga truprojat për të sfiduar armiqtë dhe për t’u treguar që nuk u druhej, hyri në selinë e Senatit nën shoqërinë e Decimo Bruto, i cili plotësoi kështu tradhëtinë e tij duke e dorëzuar mikun dhe protektorin, në duart e armiqve të tij.
Kështu vdes një diktator
Në selinë e re të Senatit, që e kish ndërtuar Pompeu, ku vetë Cezari kishte ringritur fisnikërisht statujën e armikut të tij të vdekur që populli e kish rrëzuar pas betejës së Farsalos, ndodhej edhe Spurinna. Cezari iu drejtua me shaka: “Spurinna, Idet e Marsit erdhën”, i tha. “E vërtetë, por nuk kanë kaluar akoma”. Cezari buzëqeshi me përgjigjen e shpejtë dhe zuri vend, në pritje që të niste mbledhja. Por ata që lëvizën ishin vrasësit. Njëri prej tyre, Tillio Cimbro u hodh në këmbët e tij për t’iu lutur që të falte vëllanë e tij të dënuar në ekzil. Të tjerë u mblodhën përreth tij, që të mbështesnin kërkesën e senatorit. Cimbro u ngrit në këmbë dhe kapi me të dy duart togën e Cezarit. Ishte sinjali. Dy vëllezërit Casca iu afruan diktatorit dhe e goditën me thika.
“Çfarë bën, i pabesi Casca?”, reagoi Cesari që, pasi kapi krahun e njërit prej atentatorëve, e plagosi me një penë. Por të tjerët iu hodhën përsipër të gjithë bashkë, sepse të gjithë, kujton Plutarku “duhej të kishin pjesën e tyre në atë flijim dhe të shijonin atë gjak”. Kur pa që edhe Marco Giunio Bruto ishte në grupin e vrasësve, Cesari i tha fjalët e fundit: “Edhe ti, Brut, biri im?” Më pas, sipas Svetonit “futi kokën në togë, dhe me të majtën uli rripin deri tek këmbët me qëllim që të binte përtokë denjësisht.
Një burrë i madh di të jetë dinjitoz edhe në vdekje. E cila ishte “e papritur dhe e shpejtë”, pikërisht ashtu siç ai e donte. / Përgatitur në shqip nga bota.al