Kryeministri injoron Komisionin e Venecias, Komisionerin e BE-së dhe PD-në

Nga Xhovan SHYTI –

Dje kryeministri Edi Rama dhe shumica parlamentare rikonfirmuan vendosmërinë për të miratuar, pa pritur opinionin e Komisionit të Venecias , ndryshimet e bëra në Kodin zgjedhor, lidhur me zbatimin e një sistemi me lista të hapura. Këto ndryshime reflektojnë ndërhyrjet e bëra në Kushtetutë, çka diktojnë votimin në Parlamentin e dominuar nga deputetët e majtë të partisë që drejton Edi Rama.

Rivotimi i ndryshimeve vjen pasi një javë më parë presidenti Meta refuzoi ti nënshkruante ato dhe e ktheu pas vendimarrjen e Parlamentit, ndërkohë që, po dje, i’u drejtua me një kërkesë Komisionit të Venecias, duke i bërë thirrje Parlamentit që të priste opinionin e këtij Komisioni.

Thirrja e Presidentit nuk u dëgjua nga Komisioni parlamentar i Ligjeve shumica e anëtarëve të të cilit e rrëzoi dekretin e Presidentit, përveç vetëm dy përfaqësuesve të opozitës parlamentare që votuan kundër, me pretendimin që rivotimi të bëhej, pasi të shprehej Komisioni i Venecias.

Qendrimi i presidentit Meta dhe i dy anëtarëve të Komisionit parlamentar të Ligjeve vjen në akord me atë të komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Havelyi, i cili dje ka ripërsëritur idenë se do të ishte më e udhës që Parlamenti të vepronte pasi të kishte një vlerësim nga ekspertët e Komisionit të Venecias.

Kjo ripërsëritje e Komisionerit ka ngjallur reagimin e kundërshtimit të vendosur të kryeministrit Edi Rama, i cili edhe dje i qëndroi mendimit se koha nuk pret, ndërsa shpjegoi se kishte patur një komunikim të drejtpërdrejtë me komisionerin Harvelyi etj.

“Unë e kam sqaruar Komisionerin në bisedat që kemi patur, si gjithmonë biseda të drejtpërdrejta, miqësore, pa dorashka, që Parlamenti nuk do të presë asnjë sekondë për arsye se ne kemi zgjedhjet në 25 prill dhe nuk ka asnjë mundësi të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta, i cili nuk ka qëllim të përmirësojë Kodin Zgjedhor, por të sabotojë nga pozicioni i tij ekstremist antishumicë dhe antiparlament, këtë proces”, artikuloi Edi Rama, që nuk harroi ti përvishet presidentit Meta, duke u shprehur se lëvizjet e tij janë; një përpjekje e identifikuar si përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe e një lideri absolut të një partie të degraduar.

“Komisioni i Venecias është patjetër i mirëpritur të sjellë kur ta pjekë, opinionin e vet. Ai opinion do të diskutohet me të gjitha forcat politike dhe natyrisht, duke patur parasysh kohën që kemi në dispozicion, do të mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështjeje që mund të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk mund të hyjmë në asnjë aventurë, po e përsëris, sepse strukturat e reja të administrimit zgjedhor që kanë nisur punën, kanë nevojë të kenë të shkruar të zezë mbi të bardhë ligjin zgjedhor dhe implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet”, ishte vlerësimi cinik i Kryeministrit, ndaj të ciit nuk mbeti pa reaguar PD, partia kryesore e opozitës.

“Këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimi i apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që për hallin e pushtetit të tij është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë! Reforma Zgjedhore dhe zgjedhjet demokratike janë kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Duke mos dëgjuar këshillën për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, Edi Rama po tenton të marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe të hedhë në erë zgjedhjet e radhës”, shkruajti në facebook sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi./ Arberianews.net

SHKARKO APP