Kur drejtohet e punohet me përgjegjësi, suksesi arrihet

Nga Viron Bezhani/Të bësh diçka për të ndryshuar sadopak jetesën e dikujt tjetri nuk është me çdo kusht një gjest fisnik, por kur kjo bëhet për të ndihmuar studentët, ata që janë e ardhmja e Shqipërisë dhe mbi të gjitha kur kjo që bën është një detyrë për të cilën paguhesh, atëherë kënaqësia e punës së mirë që ke bërë është e madhe. Të jesh në dispozicion të studentëve është një mundësi e mirë, një rast i artë për të treguar se me punë mund të ndikosh jo vetëm në përmirësimin e kushteve por edhe të karakterit të brezit të ri. Të paktën për mua, si Administrator i Trajtim Studenti nr.2, i një prej 3 shoqërive që kujdesen për akomodimin e studentëve nga e gjithë Shqipëria në kryeqytet, kjo është filozofia që kam ndjekur për të qenë pranë studentëve dhe shërbyer atyre. Në çdo kohë.

Trajtim Studenti Nr.2 prej gati 3 vitesh ka menduar për të ndryshuar rrënjësisht fytyrën dhe identitetin e këtij institucioni, duke punuar fort në disa drejtime. Fakti që në duart tona është rinia, ka bërë që të gjithë të përpiqemi për gjetjen e rrugëve të duhura për të dalë nga situata e rëndë që ishte krijuar në mjediset konviktore, me plane konkrete, afatmesme dhe afatgjata. Puna në përmirësimin e kushteve për studentët ka nisur në radhë të parë me angazhimin total të punonjësve, që janë vënë në dispozicion të studentëve, në çdo moment që ata kishin nevojë. Si në përmirësimin e mjediseve të brendshme ashtu dhe atyre të jashtme.

Dhe çdo punë ka një kosto, por për ne, duart në këtë drejtim kanë qenë të lidhura. Një situatë financiare katastrofike, me borxhe marramendëse të mbartura prej vitesh ishte në kurrizin e kësaj shoqërie. Borxh që në fakt rëndonte direkt edhe te vetë studentët, që me të drejtë kërkojnë kushte përderisa paguajnë. Me vjen mirë të them që sot, pas gati 3 vitesh, ky borxh nuk ekziston më. Të gjithë punuan për ta bërë të mundur këtë, punonjës e drejtues dhe sot jemi krenarë për atë çfarë kemi arritur edhe pse e pranoj nuk ka qenë aspak e lehtë. Jo vetëm duke bërë që buxheti të jetë sa më i shëndoshë, por edhe duke punuar që kushtet të përmirësohen, nga viti në vit, nga muaji në muaj, nga dita në ditë.

Paralelisht me punën në terren Trajtim Studenti Nr.2 ka bërë një punë mjaft të mirë në përmirësimin e imazhit të këtij institucioni, që ka të bëjë me angazhimin e vetë studentëve në aktivitetet e kryera gjatë viteve të fundit. Për asnjë moment nuk i kemi parë studentët vetëm si “qiramarrës”, por edhe si partnerë në punën tonë. Kjo do të thotë se ata janë përfshirë në shumë aktivitete sociale, sensibilizuese, kulturore e sportive të organizuara, aktivitete në të cilat pjesëmarrja ka qenë mjaft e mirë dhe që ka qenë për ne një sinjal pozitiv se ata nuk duhen lënë mënjanë, pasi janë një forcë e madhe.

Kjo punë e madhe e kryer për përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve dhe përfshirja e tyre në këto aktivitete të organizuara nga Trajtim Studenti Nr.2 kanë bërë që marrëdhënia midis studentëve dhe institucionit të përmirësohet, duke krijuar një besim më të madh në punën tonë. Kur themi se studentët duhen trajtuar si partnerë dhe si bashkudhëtarë të punës tonë mendojmë edhe për atë që ata kanë nevojë, për t’i bërë ata të ndihen të barabartë, duke u përpjekur të plotësojmë edhe kërkesat e tyre. Përfshirja e tyre në punën tonë të përditshme, në veprimtaritë që organizojmë, madje duke u dhënë atyre fuqi në dhe vendimmarrje për një jetë sa më aktive, na bën të ndihemi më të sigurt.

Sot, kudo ka vend për përmirësim të punës, mjafton dëshira, vullneti dhe bashkëpunimi mes të gjitha palëve. Vetëm kjo do të na japë atë rezultat që ne kërkojmë, atë rezultat që studentët dhe prindërit e tyre kërkojnë nga ne. Ata na kanë besuar fëmijët dhe ne nuk duhet t’i zhgënjejmë, duke u dhënë thjesht një dhomë, por duke u dhënë më shumë kushte, shërbim e kulturë. Duhet t’u japim vlerësimin e merituar, për t’i orientuar këta të rinj drejt rrugës së duhur. Ndaj dhe ne ndihemi krenarë për atë që kemi arritur, por tani mendojmë për të tjera sfida të reja përpara, duke kërkuar më shumë nga vetja, pasi e dimë që mundemi të bëjmë më shumë për studentët.

SHKARKO APP