Kur rrëfehet kriminalisti

Nga Spiro Xhavara/Nuk jam specialist i Kriminalistikës, as i policisë dhe i rendit, por nuk më pengojnë të rikthehem në kujtesë shumë vite pas, atje, ku fillon rruga dhe lufta jonë për konsolidimin si shtet, tani të ndriçuara nën dritën e rrëfimeve të një specialisti të enigmave të ngjarjeve të spikatura, të një kriminalisti. Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, në njërin këndvështrim apo në një tjetër, si gazetar e analist, apo qytetar i thjeshtë, e kemi dhënë nga një mendim, për ngjarje të historisë sonë postkomuniste, por dhe të mëparshme, për ngjarje që e kanë tronditur opinionin shqiptar dhe, herë-herë, jo vetëm atë. Por këto mendime në mjaft raste imponohen, të ndikuara keqas nga influencat e krahëve politikë, duke mbuluar e anashkaluar të vërtetën, duke akuzuar pa e analizuar e konkluduar, madje duke përpunuar opinione, fakte, dëshmitarë, për të mos dalë e vërteta, e cila do të ngrihej në akuzë. Realitete që për fat të keq, kanë ndodhur jo rrallë dhe shfaqen sot e kësaj dite. Në labirintet e pafundme, pa dalje, ku janë futur proceset e gjykimit të shumë ndodhive, në mjaft raste fajtorët jo vetëm nuk dënohen, por ngrihen në përgjegjësi, zgjidhen edhe deputetë, të bëjnë moral, në librin “Rrëfen kriminalisti” na vjen fjala e specialistit, siç vjen drita e diellit në mëngjes për të larguar errësirën e natës, të ndriçojë në sytë dhe mendjet e njerëzve.

Kompetenca dhe vizioni i specialistit

 Ngjarjet dhe fenomenet që analizohen në libër nuk janë aspak të panjohura për gjithë shqiptarët, madje disa prej tyre, edhe për opinionin e huaj. Dhe e papritura e këtij libri nuk qëndron këtu. Jam befasuar kur e lexova, jo nga sensacioni, sepse ai nuk është libër sensacional, por nga vizioni e transparenca e realiteteve, revolta e brendshme e autorit në këndvështrimin e qytetarit, juristit, specialistit me shumë përvojë të fushës kriminalistike.

 Jam befasuar në shumë aspekte. Së pari, në guximin qytetar, për të shprehur hapur mendimin me fjalën e tij publikisht, për ngjarje të ndodhura por të deformuara nga “hetimi”, që nuk është thjesht fjalë, por bisturia e kirurgut, e cila operon vetëm pasi ka hapur dhe observon plagën, tumorin që ka përpara. Rrallëkush do shprehej në publik kaq qartë, për situatat që analizon dhe vrojton, me syrin jo të kronistit, por të specialistit në kufijtë e përsosmërisë dhe mbi të gjitha të njeriut të vërtetë që i dhimben fatkeqësitë e njerëzve. Së dyti, për shkallën e lartë të profesionalizmit, që hyn në analizë të faktorëve jo vetëm të fushës së specialitetit, por dhe të zhvillimeve politike e sociale të vendit. Mbarimi i studimeve të larta profesionale të Policisë e Fakultetit Juridik, specializimet para dhe pasuniversitare, përvoja e gjatë e punës së tij disa dekadëshe, janë bazat e krijimit të vizionit të gjerë të autorit, për t’i parë zhvillimet me objektivitet, njëkohësisht subjektivitet. Me objektivitetin e një profesionisti intolerant, që s’mund të thotë ndryshe, kur gjurmët dhe faktet janë përpara dhe kurrsesi nuk mund t’i kundërshtoi njeri. Me subjektivitet, sepse është njeri, ndjen dhimbje për fatet tragjike kur të vërtetat mbulohet, autorëve nuk u tregohet vendi ku duhet të jenë. Një tjetër gjë dalluese kudo në libër, është niveli i dukshëm dhe i plotë kulturor, me të cilin kap, trajton, përcakton, shpjegon faktet, ngjarjet, fatet njerëzorë, me sensin e duhur të kritikës e argumentit, me guximin e përballjes qytetare, ku shfaq qëndrimet i palëkundshëm, i bindshëm, këmbëngulës dhe i drejtë.

E drejta dhëmb

 Zhvillimet e pakontrolluara, të padrejtuara të vendit tonë, sidomos pas viteve nëntëdhjetë, kanë bërë që demokracia jo pak është ngatërruar me vetëgjyqësinë, gjakësinë dhe hakmarrjen e verbër, duke shkaktuar dhimbje të mëdha në gjithë popullin tonë, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Ngjarjet e fillimit të vitit 1991, të viteve 1997-1998, 2005, 2011etj., kanë shkaktuar shumë viktima të pafajshme, pas tyre shumë dhimbje e zi. Krimi merr jetë njerëzish dhe mbrapa lë dhimbje plagë të mëdha. Askush nuk është marrë me pasojat e këtyre dhimbjeve, askush nuk përpiqet t’i lehtësojë, pale më t’i parandalojë. Dhe kjo është dhimbja më e madhe, dy e trefish dhimbje. Por kriminalisti Miltiadh Muçi e thekson se, dhimbja bëhet më e madhe, kur viktima ikën dhe e drejta nuk thuhet, akoma më keq, atë zë që do të thotë të vërtetën, e detyrojnë të heshtë! Ai na sjell në faqet e librit realitete mjaft të hidhura, kur e drejta, në vend që të vlerësohet maksimalisht në një shtet që i themi ligjor, përgjaket, vritet, dhëmb. Rasti i Stelës, që kërkonte një të drejtë pas gjithë sa thanë për të, përfundoi në viktimë. Është nga më sensibilizuesit e opinionit mbarë shqiptar në revoltën e Miltiadhit ka notat më larta. Dhe jo vetëm ky rast, me dhjetëra të tjerë, si i Agimit, i adoleshentit, i negociatorit, i grave e burrave të Gërdecit, i protestuesve të 21 janarit, e shumë të tjerë, ku drejtësia shqiptare vazhdon të shkaktojë akoma dhimbje.

Zëri i kriminalistit

Botimi i librit “Rrëfen kriminalisti”, me siguri do përmbushë dëshirën e mijëra shqiptarëve që flasin dhe diskutojnë me njëri-tjetrin, por kur të lexojnë analizën e profesionistit të papolitizuar, gjithkush do lëshojë një “ah..”, “… këtu flitet e vërteta, saktë, siç ka ndodhur”. Dhe sidomos për ne emigrantët. Një libër, e përsëris me kaq profesionalizëm nuk e kam lexuar, as nga ata policorë apo superdedektivë, që kanë pushtuar majat, sepse këtu autori me lexuesin komunikon me ngjarje të vërteta, të ndodhura, që i analizon do të thoshja mjeshtërisht, jo vetëm me syrin e profesionistit por dhe në shkallën më të lartë të paanësisë e drejtësisë. Është fakt që sot në realitetin tonë zëri i specialistit dëgjohet fare pak, për të mos thënë aspak dhe, përfundimet i vendosin të tjerë, militantë politikë jo ata me kërkime e studime shkencore, specialistë të përgatitur, për më tepër me shumë përvojë. Në libër shpalosen të gjitha përpjekjet e autorit, që ka bërë e bën për prezantimin e mendimit të profesionistit me përvojë, në shumë nga shkrimet në median e shkruar, në emisione vizive, por dhe në komunikime me misionet ndërkombëtare, dashamirës të vendit tonë, sidomos në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut dhe reformës së thellë në Drejtësi. Të gjitha këto ai i bën për sensibilizim të opinionit, ndërgjegjësim ndaj të vërtetës, vlerësimin e drejtë të rolit të ekspertit të pavarur, të të dhënave shkencore në pavarësinë e Drejtësisë.

  Libri ka vlera rekomanduese për literaturë të shkencave të drejtësisë, ato sociale, të policisë dhe publicistikës, i shkruar me gjuhë të qartë të ballafaquar me fakte, eksperienca, legjislacion, me Konventën Ndërkombëtare e Kushtetutën.  Lexohet me mjaft kureshtje si arritje tjetër e Miltiadhit, pas botimit të studimit historik mbi vendin e origjinës : “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”.

SHKARKO APP