Kurthi propagandistik i Ramës me mundësinë e bllokimit të rrotacionit
Nga Red Varaku –
Me shkeljen e marrëveshjes së pesë qershorit , ndryshimin e njëanshëm të kushtetutës dhe bllokimin e koalicioneve , Edi Rama po tenton të krijojë idenë që ai është i vendosur për të bllokuar transferimin me paqe të pushtetit, duke dhënë kështu një mesazh të qartë se ai nuk ka ndërmend ta ndalë projektin e tij për vjedhjen sërish të zgjedhjeve ashtu siç bëri në 2017.
E gjitha kjo strategji tenton të shantazhojë Perëndimin, demoralizojë qytetarët dhe njëkohësisht të paralizojë debatin politik duke dhënë idenë që ai mbetet shumë i rrezikshëm. Përmes kësaj strategjie ai tenton rifaktorizimin e rolit të tij për transferimin në paqe të pushtetit në këmbim të të cilit ai kërkon garanci jo vetëm politike, por dhe penale.
Sigurisht, që ai ka ne dorë të bëjë rezistencë dhe ka në dorë që largimi i tij të sjellë një kosto të caktuar, por ai nuk është aq ‘burrë’ sa të djegë përfundimisht të ardhmen e tij, fjala vjen siç bëri Gruevski .
Por, kjo nuk do të thotë që ai në këto momente është i parrezikshëm. Kur janë drejt fundit, kjo rracë diktatorucësh janë shume hakmarrës dhe të paparashikueshëm, por jo deri në pikën sa të arrijnë të ndalin transferimin e pushtetit.
Pra, jo se nuk do, por nuk nuk ka asnjë shans.
Kjo për shkak se ai i ka sot të gjithë përballë. Ka të gjithë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, për shkak se jo vetëm ka dështuar në të gjitha premtimet e tij si kryeministër, por është ‘kapur’ duke vjedhur zgjedhjet dhe duke vjedhur pasuritë publike.
Ky kryeministër është ‘kapur’ duke shitur interesat kombëtare dhe është ‘kapur’ duke bashkëpunuar me organizata kriminale vendase dhe të huaja si fjala vjen ‘ Ndrangheta’ etj dhe të gjitha këto kanë prodhuar një mllef dhe zëmerim që nuk do të mund të shuhet vetëm me largimin e tij, por do të shuhet vetëm me ndëshkimin e tij.
Ky kryeministër ka përballë bashkimin opozitar më të madh që ka njohur historia shqiptare e pluralizmit, të cilin nuk arriti ta përçante dot me të gjitha ofertat , presionet apo shantazhet që prej dy vjetësh nuk resht së bëri sistematisht.
Ky kryeministër ka përballë të gjithë Perëndimin. Ai ka humbur plotësisht mbështetjen ndërkombëtare dhe është sot më i izoluar se kurrë nga Perëndimi , i cili i ka vënë kusht kryesor për integrimin transferimin e pushtetit me mjete paqësore.
Ndaj, në asnjë rrethanë nuk duhet të biem në kurthin e Ramës dhe të sillemi sikur ai ka vërtetë në dorë të bllokojë rrotacionin dhe transferimin e pushtetit , sepse kështu i japim atij besueshmërinë se ai është akoma aq i fortë sa ka vërtet në dorë të ndalë rrotacionin.
Kjo narrativë ku po përpiqet të na fusë me djallëzi propaganda qeveritare duhet shmangur me çdo kusht , sepse është një narrativë që degradon diskursin publik dhe nuk prodhon tjetër vetëm se histeri.
Në këto kushte, fokusi për qytetarët duhet të jetë një debat i shëndetshëm mbi mënyrën e daljes nga kjo krizë e rëndë, sepse çdo debat mbi mundësinë e bllokimit të rrotacionit është thjesht shterpë.
Sot, ai nuk ka më asgjë në dorë vetëm se të bëjë detyrën, pra të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme , përndryshe të gjithë e kemi të qartë përfundimin e atyre që guxojnë të ndalin vullnetin e popullit dhe transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.